Shefja e HR në Walmart: Sjellja që të mbyll dyert në punë - Business Magazine Albania

Shefja e HR në Walmart: Sjellja që të mbyll dyert në punë

Sipas Donna Morris, një sjellje specifike është flamuri i kuq më i madh që një punonjës nuk do të shkojë larg në karrierë: të jesh “Debbie Downer”, një person që shpërndan negativitet.

Morris, 57 vjeç, është nënkryetare ekzekutive dhe drejtuese e burimeve njerëzore në Walmart që nga viti 2020, ku ka ndikuar në përvojën e më shumë se 2.1 milionë punonjësve. Më herët, ajo kaloi 17 vite në Adobe në pozicione drejtuese të ndryshme dhe, përgjatë karrierës së saj, ka mësuar të dallojë me saktësi sinjalet paralajmëruese të një sjelljeje jo konstruktive në ambientet e punës. “Askush nuk dëshiron të punësojë një ‘Debbie Downer’,” tha ajo për CNBC Make It. “Ky është personi që është gjithmonë negativ, që vjen me problemin, por asnjëherë me zgjidhjen. Unë preferoj njerëzit që e sjellin problemin bashkë me një ide për si mund të zgjidhet.” Një “Debbie Downer” shpesh është edhe kundërshtues/e i ideve të reja, i mendimeve të kolegëve apo projekteve që kërkojnë energji dhe ndryshim. Një qëndrim i tillë mund të bëjë që të humbasin mundësitë për t’u lidhur me njerëz të rinj në kompani, apo të mos u besohet përgjegjësia e projekteve të reja nga drejtuesit. Nëse keni një koleg me këtë sjellje, “do t’ju mbështesë vetëm brenda një limiti shumë të ngushtë,” ka deklaruar më parë Juliette Han, neuroshkencëtare e trajnuar në Harvard, për CNBC Make It. “Mund t’ju dekurajojë që të eksploroni mundësi të reja në kompani, nëse këto nuk e përfitojnë drejtpërdrejt atë.” Megjithatë, kjo nuk do të thotë që duhet të shfaqni optimizëm toksik – pra të pretendoni se çdo gjë është mirë kur situata është objektivisht e vështirë. “Është jorealiste të jesh i/e lumtur gjithë kohës,” thekson Morris. Por nëse je vazhdimisht negativ/e, ndoshta është sinjal se nuk je në punën apo kompaninë e duhur.

Lexo edhe:Më shumë se një startup, historia që fshihet pas perandorisë Canva

Sipas Morris, disa sjellje dallojnë punonjësit më të suksesshëm nga ata që nuk ecin përpara në karrierë. Ajo vlerëson shumë njerëzit që “e përmbushin detyrën në kohën që pritet – apo më herët,” shprehet ajo. “Është më mirë të dorëzosh një punë më herët se sa vonë, dhe më mirë të ofrosh më shumë sesa më pak.” Një tjetër sinjal pozitiv është hapja ndaj mundësive të reja: “Punonjësit që ngrejnë dorën për të marrë përgjegjësi shtesë, që sjellin një problem bashkë me një propozim, ose kërkojnë ndihmë në kohë – para se ‘shtëpia të jetë në flakë’ – janë shembuj idealë.” Për të treguar një qëndrim bashkëpunues dhe proaktiv, mund të ofroni ndihmë pa qenë nevoja të kërkohet, si për shembull të mentoroni një praktikant apo të sugjeroni një ide që i jep zgjidhje një problemi të vazhdueshëm në departamentin tuaj. Po ashtu, sipas Michael Ramlett, CEO i kompanisë globale të inteligjencës së të dhënave Morning Consult, të tregosh një kureshtje të thellë dhe të qëllimshme – për shembull, duke hulumtuar mbi një mjet të ri të AI-së që po përdoret nga konkurrenca dhe duke ndarë gjetjet me menaxherin,  është një tjetër mënyrë për të rritur besueshmërinë. Dhe nëse gjatë gjithë këtij procesi ndihmon edhe të tjerët, duke ndarë përvojën dhe njohuritë e tua, kjo është pika kulmore, përfundon Morris: “Njerëzit që ndihmojnë të tjerët janë flamuri jeshil i vërtetë.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0