Apple në telashe në Evropë, Spanja zgjeron hetimin për abuzim me tregun - Business Magazine Albania

Apple në telashe në Evropë, Spanja zgjeron hetimin për abuzim me tregun

Spanja po thellon hetimin e saj kundër gjigantit teknologjik Apple, duke ngritur shqetësime serioze se kompania mund të jetë duke ushtruar sjellje anti-konkurruese në treg.

Komisioni Kombëtar i Tregjeve dhe Konkurrencës në Spanjë (CNMC) nisi për herë të parë hetimin në korrik 2024, duke akuzuar Apple për “vendosje të kushteve të padrejta tregtare” ndaj zhvilluesve të aplikacioneve që shiten përmes platformës së saj App Store. Rregullatori deklaroi se Apple mund të jetë duke “abuzuar me pozitën e saj dominuese në treg”.

Të martën, CNMC njoftoi se do ta zgjerojë hetimin për shkak të “provave të reja” që tregojnë se kompania kërkon nga zhvilluesit të ndjekin një skemë çmimesh të përcaktuar nga vetë Apple në mënyrë që të lejohet publikimi i aplikacioneve të tyre në App Store.

“Sjellje të tilla përbëjnë kufizim të konkurrencës mes ndërmarrjeve”, tha rregullatori spanjoll, duke theksuar se kjo praktikë përbën shkelje të ligjeve të Bashkimit Evropian.

Komisioni ka një vit kohë për të përfunduar hetimin dhe theksoi se zgjerimi i tij “nuk paragjykon rezultatin përfundimtar”.

Apple i ka mohuar akuzat, duke deklaruar vitin e kaluar se “zhvilluesit spanjollë të të gjitha përmasave konkurrojnë në kushte të barabarta në App Store”.

Lexo edhe: Nvidia porosit 300 mijë çipë H20 nga TSMC, pas rritjes së kërkesës në Kinë

Ky hetim i autoriteteve spanjolle vjen në vazhdën e dy procedurave të ngjashme të nisura më parë nga Komisioni Evropian. Vitin e kaluar, Komisioni i BE-së e gjobiti Apple me më shumë se 1.8 miliardë euro në një rast që kishte të bënte me aplikacionet për transmetim të muzikës në iPhone dhe iPad.

Sipas Komisionit, Apple kishte vendosur kufizime për zhvilluesit, duke i ndaluar të informonin përdoruesit për mundësitë e abonimeve më të lira që ofroheshin jashtë aplikacionit – në shkelje të rregullave të BE-së për “ndalimin e devijimit të konsumatorit”.

Në prill të këtij viti, Komisioni njoftoi mbylljen e një tjetër hetimi mbi shkeljet e mundshme të Aktit për Tregjet Digjitale (DMA), pasi Apple ra dakord të lehtësonte mënyrën se si përdoruesit ndryshojnë cilësimet e paracaktuara për shfletuesit, thirrjet, mesazhet dhe më shumë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0