Nga Eni Muça- Kur mungesa e strukturës në shërbimet e përditshme të transportit bëhet pjesë e rutinës, zgjidhjet inovative nuk lindin nga rastësia, por nga përballja e drejtpërdrejtë me problemin. Nentor Dujaka, bashkëthemelues i Clust, vendosi të mos ankohej për kaosin me taksitë, por të ndërtonte një alternativë funksionale. Në këtë intervistë, ai tregon pse duhej një platformë si Clust, çfarë e dallon nga konkurrentët ndërkombëtarë dhe pse Shqipëria është pikënisja, jo kufiri.
Si lindi ideja për të krijuar Clust.al dhe cili ishte problemi konkret që donit të zgjidhnit?
Ideja për Clust lindi nga nevoja reale që hasim çdo ditë: mungesa e një platforme të besueshme dhe të modernizuar për shërbimet e transportit në Shqipëri. Përvoja e përdoruesve me taksitë ishte shpesh e pasigurt, e paorganizuar dhe pa transparencë çmimesh. Donim të krijonim një aplikacion që jo vetëm të ofronte udhëtime të sigurta dhe të shpejta, por që të funksiononte me një standard ndërkombëtar – duke filluar pikërisht këtu, në Shqipëri.
Cili është hapi më sfidues në krijimin e një produkti teknologjik “Made in Albania”?
Sfidat janë të shumta, por më kryesorja është mungesa e infrastrukturës digjitale të plotë dhe bashkëpunimi me institucionet. Gjithashtu, ndërtimi i një ekipi teknik të aftë brenda vendit kërkon kohë dhe angazhim. Por sfidat na kanë shtyrë të jemi më kreativë dhe të gjejmë zgjidhje lokale për probleme globale.
Si funksionon platforma Clust për përdoruesit dhe drejtuesit e mjeteve?
Clust funksionon si një urë lidhëse mes udhëtarëve dhe drejtuesve të mjeteve. Përdoruesit thjesht hapin aplikacionin, zgjedhin destinacionin dhe porosisin një udhëtim. Nga ana tjetër, shoferët marrin njoftimet në aplikacionin e tyre dhe zgjedhin të pranojnë kërkesat. Gjithçka është e thjeshtë, transparente dhe me pagesa të integruara përmes portofolit në aplikacion.
Çfarë teknologjie ose risie përdorni që ju dallon nga konkurrenca?
Ne fokusohemi shumë në përvojën e përdoruesit dhe përpiqemi ta bëjmë aplikacionin sa më të shpejtë dhe intuitiv. Përdorim teknologji cloud për shkallëzueshmëri, si dhe algoritme për të optimizuar shpërndarjen e udhëtimeve. Gjithashtu, kemi zhvilluar funksione unike që i përshtaten tregut shqiptar, si p.sh. fleksibiliteti në mënyrën e pagesës dhe suporti në gjuhën shqipe.
Çfarë mësimesh keni marrë nga konkurrenca me platformat ndërkombëtare?
Konkurrenca na ka ndihmuar të jemi gjithmonë në lëvizje, të përmirësohemi çdo ditë dhe të kuptojmë se çfarë duan realisht përdoruesit tanë. Ajo që kemi mësuar është se nuk mjafton të kopjosh një model të suksesshëm nga jashtë – duhet ta lokalizosh, ta përshtasësh dhe ta kuptosh mirë tregun ku operon.
Si e ka pritur tregu shqiptar këtë produkt?
Pritja ka qenë shumë pozitive. Klientët shqiptarë janë gjithnjë e më të hapur ndaj zgjidhjeve digjitale dhe kërkojnë komoditet dhe transparencë. Shoferët gjithashtu e kanë mirëpritur Clust-in sepse u ofron një mënyrë të qëndrueshme për të fituar dhe menaxhuar kohën.
Si e shihni të ardhmen e mobilitetit në Shqipëri dhe rajon?
E ardhmja është digjitale, e qëndrueshme dhe e ndërlidhur. Besojmë se Shqipëria do të shohë një transformim të madh në mënyrën si lëvizim – nga makina personale te ndarja e udhëtimeve, mikromobiliteti dhe ‘’smart’’ transport. Clust dëshiron të jetë pjesë kyçe e këtij tranzicioni.
A planifikoni të zgjeroheni në tregje të tjera ballkanike ose në diasporën shqiptare?
Po, ky është një nga synimet tona. Po eksplorojmë tregjet e diasporës dhe vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ku ka një komunitet të madh shqiptar dhe nevojë për shërbime të ngjashme.
Çfarë ju motivon personalisht të vazhdoni përtej sfidave të përditshme?
Motivimi vjen nga vizioni që kemi për të ndërtuar diçka me vlerë për vendin tonë. Kur sheh që përdoruesit janë të kënaqur dhe që produkti që ke ndërtuar me përkushtim lehtëson jetën e përditshme të njerëzve, atëherë çdo sfidë kthehet në shtysë.
Cila është këshilla më e mirë që do t’i jepnit një themeluesi që po ndërton një produkt tech në Shqipëri?
Fillo nga problemi real, jo nga ideja. Ndërto diçka që zgjidh një vështirësi konkrete për përdoruesit dhe mos prit që kushtet të jenë perfekte. Puno fort, testo shpesh dhe mos u dorëzo para pengesave. Shqipëria ka potencial të madh – thjesht duhet guxim dhe këmbëngulje.
Për lexuesit e Businessmag, CLust ofron edhe një Discount code: BMAG10 (10% ulje në të gjitha udhëtimet)
I vlefshëm deri më: 31 Dhjetor 2025
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

