Facebook nën akuzë për praktikat e privatësisë: Fillon gjyqi 8 miliardë dollarësh kundër Zuckerberg - Business Magazine Albania

Facebook nën akuzë për praktikat e privatësisë: Fillon gjyqi 8 miliardë dollarësh kundër Zuckerberg

Facebook nën akuzë për praktikat e privatësisë: Fillon gjyqi 8 miliardë dollarësh kundër Zuckerberg

Një gjyq me vlerë 8 miliardë dollarë, i nisur nga aksionerët e Meta Platforms kundër Mark Zuckerberg dhe drejtuesve aktualë apo të mëparshëm të kompanisë, ka filluar të mërkurën, duke trajtuar akuzat për mbledhje të paligjshme të të dhënave të përdoruesve të Facebook, në shkelje të një marrëveshjeje të vitit 2012 me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC) të SHBA-së.

Jeffrey Zients, shefi aktual i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë nën Presidentin Joe Biden dhe anëtar bordi në Meta për dy vite që nga maji i vitit 2018, pritet të jetë një nga dëshmitarët e parë në këtë gjyq pa juri, që zhvillohet nën drejtimin e gjykatëses kryesore të Gjykatës së Kancelarisë së Delaware, Kathaleen McCormick. Në proces pritet të dëshmojnë edhe vetë Zuckerberg dhe figura të tjera të njohura si ish-shefja operative Sheryl Sandberg, kapitalisti i njohur i sipërmarrjes dhe anëtar bordi Marc Andreessen, si dhe ish-anëtarët e bordit Peter Thiel – bashkëthemelues i Palantir Technologies – dhe Reed Hastings – bashkëthemelues i Netflix. Avokati i të paditurve, të cilët i kanë mohuar akuzat, nuk pranoi të komentojë.

Procesi gjyqësor ka rrënjët në vitin 2018, pas zbulimeve se kompania tashmë e mbyllur e këshillimit politik Cambridge Analytica kishte aksesuar të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook. Cambridge Analytica ishte e angazhuar në fushatën presidenciale të Donald Trump në vitin 2016. Pas këtij skandali, FTC gjobiti Facebook me 5 miliardë dollarë, duke deklaruar se kompania kishte shkelur marrëveshjen e vitit 2012 për mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve. Aksionerët kërkojnë që Zuckerberg dhe drejtuesit e tjerë të kompensojnë Meta-n për këtë gjobë si dhe për kostot ligjore të përfshira, që sipas paditësve kapin shumën e 8 miliardë dollarëve. Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, të paditurit i kanë cilësuar akuzat si “ekstreme”, duke argumentuar se Facebook kishte punësuar një kompani të jashtme konsulence për të garantuar përputhshmërinë me marrëveshjen e FTC-së dhe se vetë Facebook ishte viktimë e mashtrimit nga Cambridge Analytica.

Lexo edhe:Made in Albania, Protected Worldwide: Rasti i suksesshëm i Estela Koni Couture

Meta, e cila nuk është palë e paditur në këtë proces, ka refuzuar të komentojë. Në faqen zyrtare të saj, kompania ka deklaruar se që nga viti 2019 ka investuar miliarda dollarë për të përmirësuar privatësinë e përdoruesve. Ky proces është konsideruar si i pari në llojin e tij që arrin në një gjykim dhe që pretendon se anëtarët e bordit kanë dështuar me vetëdije të mbikëqyrin kompaninë – një nga akuzat më të vështira për t’u provuar sipas ligjit të korporatave në Delaware. Për krahasim, drejtuesit aktualë dhe të mëparshëm të Boeing kanë pranuar të paguajnë një shumë rekord prej 237.5 milionë dollarësh për të mbyllur një çështje të ngjashme në vitin 2021, pa pranuar fajësinë. Përveç akuzave që lidhen me privatësinë, paditësit pretendojnë gjithashtu se Zuckerberg ka parashikuar rënien e çmimit të aksioneve si pasojë e skandalit Cambridge Analytica dhe ka shitur aksionet e tij përpara, duke përfituar të paktën 1 miliard dollarë. Mbrojtja pretendon se provat do të tregojnë se Zuckerberg nuk ka tregtuar mbi bazën e informacionit të brendshëm dhe se ka përdorur një plan të parapërcaktuar tregtimi që eliminon kontrollin e tij mbi shitjet, për të shmangur konfliktin me ligjin për tregtimin e brendshëm. Gjykatësja McCormick pritet të japë vendimin për përgjegjësinë dhe dëmshpërblimet disa muaj pas përfundimit të gjyqit.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0