Vetëm disa javë pas garimit në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022, Alysa Liu, një nga patinatore artistike më premtuese të SHBA-së, shpalli tërheqjen nga sporti profesionist.
Në moshën 16-vjeçare, Liu ndjehej e rraskapitur dhe e pakënaqur. Ajo e përshkruan karrierën e saj të atëhershme si një detyrim, jo si një pasion. Frika se mos humbiste ritmin e saj e shtynte të mos merrte asnjë ditë pushim nga stërvitjet intensive në pistën e saj në Lakewood, Kaliforni. Në kulmin e lodhjes mendore dhe fizike, ajo filloi të anashkalonte stërvitjet dhe qëndronte zgjuar natën, vetëm për të zgjatur kohën larg akullit. Vetëm në dhjetor të vitit 2023, Alysa vendosi të rikthehej sërish në patinazh. E motivuar nga ndjenja e mungesës për emocionin e garës, ajo mori pjesë në një seancë praktike dhe pas 18 muajsh mungesë, arriti të kryente sërish disa nga kërcimet e saj më të vështira. Këtë herë, vendosi t’i rikthehej garës me një qasje krejt tjetër. Ajo bashkëpunoi për të krijuar koreografitë sipas stilit të saj dhe me muzikë që i pëlqente vërtet, duke lënë pas prapavijën klasike tradicionale. Qëllimi nuk ishte më perfeksioni , por argëtimi dhe krijimi i një performance që transmetonte ndjenja. Rezultati ishte befasues: Liu u kualifikua në kampionatin kombëtar amerikan dhe më pas në kampionatin botëror, ku fitoi medaljen e artë në mars.
Lexo edhe: A po e riformaton trurin tonë shikimi i videove me 2x? Ja kush ndikohet më shumë
“Gjithmonë e kam dëshiruar të jap performanca perfekte, por nuk e vendos më këtë si një standard të detyrueshëm për veten time,” tha ajo për NBC Sports. “Është një qëllim, jo minimumi që duhet arritur… dhe jam e kënaqur me çdo rezultat që arrij.” Përqafimi i argëtimit dhe vetërealizimit solli edhe përfitime të tjera: Alysa tani fle më mirë, e shijon më shumë çdo stërvitje, dhe ndjesia e lirisë i jep një motivim të ri. “Tani është e gjitha zgjedhja ime. Dhe sepse është diçka që unë dua ta bëj, sigurohem që t’i krijoj vetes kushtet për të pasur sukses,” thekson ajo.
Ndërsa jo të gjithë mund të bëhen kampionë bote në sport, ekspertët bien dakord se vendosja e mirëqenies përpara ambicieve ekstreme është një praktikë e shëndetshme. Një analizë e vitit 2022 nga Australian Catholic University tregoi se njerëzit që ndjekin aspirata të brendshme si shëndeti dhe marrëdhëniet janë në përgjithësi më të lumtur se ata që ndjekin famën, pasurinë apo bukurinë. Mjeku i hospicit, Jordan Grumet, shkroi për CNBC Make It se njerëzit që i japin kuptim jetës së tyre përmes kënaqësive të vogla të përditshme, kanë më pak pendesa në fund të jetës. “Një qëllim i bazuar vetëm në rezultate është gjithmonë një ekuacion fitore-humbje. Dhe çfarëdo kënaqësie që sjell arritja, është kalimtare – ajo zëvendësohet shpejt nga frika për ta humbur atë,” shkruan ai. Ndryshimi i qëndrimit të Alysa Liu u reflektua edhe në performancat e saj. Në kampionatin botëror, ajo u shfaq me një fustan të artë vezullues, me flokët e lëshuar lehtësisht në një bisht të thjeshtë që lëkundej me ritmin e këngës “MacArthur Park” të Donna Summer, një himn nostalgjik për fundin e një historie dashurie. Pas performancës së saj dhe pikëve që i siguruan vendin e parë, trajneri i saj prej vitesh, Philip DiGuglielmo, e pyeti: “U kënaqe?” Ajo buzëqeshi dhe iu përgjigj: “Po.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto