Studimi i ri: Shëndeti mendor i babait mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijës - Business Magazine Albania

Studimi i ri: Shëndeti mendor i babait mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijës

Studimi i ri: Shëndeti mendor i babait mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijës

Prej kohësh, roli i nënës në zhvillimin e shëndetshëm të një fëmije është konsideruar thelbësor, nga shtatzënia deri në adoleshencë. Por një studim i ri dhe i gjerë i publikuar në revistën JAMA Pediatrics nënvizon rëndësinë gjithnjë e më të madhe të shëndetit mendor të atit, duke treguar se ai ndikon në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin emocional, fizik dhe kognitiv të fëmijës.

Sipas studimit, shqetësimet mendore të atit  përfshirë depresionin, ankthin, stresin apo një kombinim të tyre  lidhen në mënyrë të moderuar me zhvillim të dobët të fëmijëve, veçanërisht gjatë periudhës perinatale (nga konceptimi deri në dy vitet e para pas lindjes). Në këtë fazë, fetusi dhe më pas foshnja dhe fëmija i vogël janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj gjendjes emocionale të prindërve. Sipas të dhënave, rreth 8% e burrave përjetojnë depresion klinik gjatë tranzicionit drejt atësisë, 11% ankth dhe 6-9% nivele të larta stresi. Këto përqindje e bëjnë të domosdoshme mbështetjen për shëndetin mendor të etërve, nëse synohet përmirësimi i mirëqenies së familjes në tërësi.

Studimi më gjithëpërfshirës deri tani

“Ky është rishikimi më gjithëpërfshirës global mbi lidhjen mes shëndetit mendor të etërve dhe zhvillimit të fëmijëve,” tha autorja kryesore e studimit, Dr. Delyse Hutchinson nga Deakin University në Australi. Ajo theksoi konsistencën befasuese të të dhënave të mbledhura nga 84 studime me mijëra çifte baba-fëmijë të ndjekura gjatë kohës. Studiuesit analizuan ndikimin e shëndetit mendor të atit në gjashtë fusha zhvillimi të fëmijës: zhvillimi social-emocional, adaptiv, kognitiv, gjuhësor, fizik dhe motorik. Ndikimi më i madh u vërejt në zhvillimin social-emocional, kognitiv, gjuhësor dhe fizik,  veçanërisht gjatë fëmijërisë së hershme. Nuk u gjetën lidhje të qarta me zhvillimin adaptiv dhe motorik. Këto efekte shfaqen më të forta kur shqetësimet mendore të atit ndodhin pas lindjes, sesa para konceptimit, çka sugjeron se ndërveprimet e drejtpërdrejta pas lindjes kanë më shumë ndikim në zhvillimin e fëmijës. Sipas Hutchinson, një baba që përjeton shqetësime mendore mund të ketë vështirësi të tregojë ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri në ndërveprimet me fëmijën, duke ndikuar kështu në lidhjen emocionale mes tyre.

Lexo edhe:Paga deri në 500 mijë dollarë për talentët e AI-së, Mira Murati trondit Silicon Valley

Një moment i duhur për veprim

Sipas ekspertëve të pavarur që komentuan studimin, si Dr. Craig Garfield dhe kolegët e tij në Spitalin Lurie Children’s në SHBA, ky studim vjen në një moment kyç. “Etërit sot kalojnë më shumë kohë me fëmijët dhe janë gjithnjë e më shumë të njohur si faktorë të rëndësishëm për shëndetin e familjes,” shkruajnë ata. Edhe Dr. Arwa Nasir nga University of Nebraska vëren se këto gjetje konfirmojnë rëndësinë e prindërimit mbështetës për mirëqenien e fëmijëve. Ajo thekson se kërkimi duhet të thellohet më tej për të zbuluar edhe mënyrat pozitive me të cilat etërit ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve.

Kufizime dhe vëmendje ndaj faktorëve shoqërorë

Megjithatë, studimi ka edhe kufizimet e veta. Ai mbështetet pjesërisht në të dhëna të padeklaruara më parë (gray literature), përfshirë disertacione dhe intervista me autorë që nuk kishin publikuar të gjitha të dhënat e tyre. Gjithsesi, rezultatet mbetën të qëndrueshme edhe pas krahasimit të burimeve të ndryshme. Një tjetër kritikë është mungesa e analizës së thelluar të faktorëve shoqërorë dhe ekonomikë që mund të ndikojnë njëkohësisht si tek prindërit, ashtu edhe tek fëmijët, si varfëria, racizmi strukturor apo mungesa e aksesit në kujdes shëndetësor. “Ekziston rreziku që të paraqitet babai si shkaku kryesor i problemeve të fëmijëve, pa marrë parasysh kontekstin më të gjerë shoqëror,” thekson Nasir. Në vend të kësaj, ajo sugjeron që kërkimi dhe politikat publike duhet të përqendrohen në mënyrat për të mbështetur të gjithë familjet përmes sigurisë ekonomike, drejtësisë dhe barazisë.

Mbështetja për etërit është investim për të ardhmen

Ekspertët bien dakord se duhet ndërtuar një infrastrukturë më e mirë për të mbështetur edhe etërit gjatë periudhës perinatale – duke marrë shembull nga praktikat e testimit për depresionin pas lindjes tek nënat. Kjo do të mundësonte krijimin e programeve të posaçme për etërit, që do të përmirësonin jo vetëm shëndetin e tyre mendor, por edhe atë të fëmijëve. “Etërit janë kujdestarë të brezave të ardhshëm,” përfundon Nasir. “Mbështetja e familjeve duhet të jetë një prioritet kombëtar.” Ndërkohë, vetë etërit duhet të ndihen të sigurt për të folur për shëndetin e tyre mendor dhe të kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme. “Të kërkosh ndihmë është forcë, jo dobësi,” thekson Hutchinson. Këshillimi, aplikacionet online për menaxhimin e stresit dhe grupet e mbështetjes mes bashkëmoshatarëve mund të jenë mjete të dobishme në këtë proces.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0