Një startup në Francë po përdor fuqinë e inteligjencës artificiale të mbështetur në parime fizike, me shpresën për të revolucionarizuar mënyrën se si zhvillohen barnat e reja,duke ulur ndjeshëm kohën dhe kostot e këtij procesi. Aktualisht, zhvillimi i një medikamenti të ri kërkon mesatarisht nga 10 deri në 15 vite, përmes një procesi të gjatë e kompleks kërkimesh në laborator dhe testimesh të shumta përpara se të arrihet në fazat e provave klinike mbi njerëzit.
Ky është gjithashtu një proces jashtëzakonisht i kushtueshëm, ku vetëm 10 deri në 20 për qind e barnave eksperimentale që hyjnë në fazat klinike marrin miratimin për përdorim. Themeluar në vitin 2019 nga studiuesi i fizikës kuantike Maximilien Levesque dhe ish-konsulentja e Boston Consulting Group, Emmanuelle Martiano, Aqemia synon të përdorë AI-në për të ndërtuar më me efikasitet molekula të reja barnash kundër kancerit të kokës, qafës, kraharorit dhe mushkërive.
“Qëllimi ynë është të zhvillojmë barna më shpejt, me më pak kosto dhe me saktësi të lartë,” , shprehet Dr. Véronique Birault, zëvendëspresidente e shkencave translative në Aqemia, gjatë një interviste për Euronews Health në selinë e re të kompanisë në Londër, e hapur në janar.
Për ta realizuar këtë, Aqemia ndërthur AI-në me fizikën themelore, fushë mbi të cilën Levesque ka ndërtuar karrierën e tij akademike. Shumë kompani farmaceutike kanë filluar të përdorin AI-në në procesin e zbulimit të barnave, por zakonisht këto modele kërkojnë trajnime mbi volume të mëdha të dhënash, të cilat shpesh mungojnë për molekulat e reja, thekson Levesque.
Lexo edhe: Rreziqet e AI: Çfarë frikësojnë qytetarët krahasuar me ekspertët
“Për shembull, nuk ka miliarda barna për kancerin e kraharorit që mund t’i shërbejnë si bazë trajnimi AI-së,” – shpjegon ai. Në vend që të furnizojnë sistemin me të dhëna të papërpunuara, ekipi i Aqemia e ushqen AI-në me rregullat e fizikës në nivelin e atomeve dhe molekulave, të lidhura me sëmundje të caktuara. Kjo përfshin edhe një ekuacion matematikor të zgjidhur nga vetë Levesque, i cili, sipas ekipit, mund të përdoret për të identifikuar molekula më të mira dhe më efektive. “Është si të mos i japësh AI-së lista me numra për t’i përpunuar, por një mësues matematike që të mëson të numërosh,” – thotë Levesque.
Roli në rritje i AI-së në mjekësi
Aqemia nuk është e vetmja kompani që beson tek AI për përshpejtimin e zbulimit të barnave. Që nga viti 2021, dhjetë kompani të mëdha farmaceutike në mbarë botën kanë nënshkruar mbi 130 marrëveshje bashkëpunimi me kompani të AI-së. Këto modele janë në gjendje të analizojnë me shpejtësi të dhënat për të identifikuar modele dhe lidhje mes molekulave dhe sëmundjeve, si dhe të parashikojnë kandidatët më premtues për trajtime të reja.
Deri diku, AI mund të ndihmojë edhe në parashikimin e reagimit të pacientëve ndaj barnave të reja. Një shembull është AlphaFold i Google, fitues i Çmimit Nobel në Kimi në vitin 2024, i cili përdor AI për të parashikuar strukturën 3D të një proteine dhe mënyrën se si ajo ndërvepron me molekula të tjera.
Aqemia ka nënshkruar tashmë marrëveshje bashkëpunimi me gjigantë farmaceutikë si Sanofi, Servier dhe Johnson & Johnson për të hulumtuar molekula të reja për trajtime të mundshme, thotë Levesque.
Megjithatë, ai paralajmëron se, edhe pse kompania po përshpejton fazën e zhvillimit molekular, nuk mund të ndikojë në fazat klinike, të cilat zgjasin mesatarisht nëntë vjet. Sidoqoftë, kërkimet në këtë drejtim janë në zhvillim. Disa molekula të zbuluara nga AI janë tashmë në fazat e para të provave klinike, ku më shumë se gjysma lidhen me trajtime kundër kancerit.
“Programet tona të brendshme po ecin mirë. Disa molekula kanë treguar **efikasitet dhe mungesë toksiciteti në testime mbi minjtë me kancer,” – shton Levesque. Kompania synon të nisë provat klinike për këto molekula në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.