Autoriteti i Konkurrencës autorizon paraprakisht shitjen e Spar Albania te Viva Fresh - Business Magazine Albania

Autoriteti i Konkurrencës autorizon paraprakisht shitjen e Spar Albania te Viva Fresh

Viva Fresh Store blen Spar Albania

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar paraprakisht shitjen e kompanisë Spar Albania te shoqëria nga Kosova Viva Fresh. Autorizimi i përqendrimit të përkohshëm do të jetë i vlefshëm deri në momentin e finalizimit përfundimtar të transaksionit. Kontrata e nënshkruar mes grupit Balfin dhe Viva Fresh për shitjen e kuotave të Spar Albania do të jetë subjekt i përmbushjes së disa kushteve.

Palët janë angazhuar ta finalizojnë transaksionin jo më vonë se 120 ditë kalendarike nga data e nënshkrimit kontratës për shitblerjen e kuotave (kushtet konkrete nuk janë cituar në vendimin e Komisionit të Konkurrencës).

As data e saktë e nënshkrimit të kontratës nuk është publikuar në vendim, megjithatë arritja e marrëveshjes u njoftua nga kompania Viva Fresh në 21 mars të këtij viti. Mbi këtë bazë, mund të vlerësohet se afati për përfundimin e transaksionit do të jetë data 20 qershor e këtij viti.

Nëse për çdo arsye, finalizimi i transaksionit nuk mund të ndodhë në datën e parashikuar, palët do takohen 5 ditë pune më vonë dhe do përpiqen të zhvillojnë negociata të mëtejshme për finalizimin e transaksionit.

Marrëveshja përcakton gjithashtu edhe detyrimin për të marrë miratimet e nevojshme lidhur me transferimin e pronësisë nga dhënësi i franchise për markën Spar, Spar International B.V dhe nga disa banka tregtare në vend, që janë kreditore të shoqërisë Spar Albania (Intesa Sanpaolo, OTP, BKT dhe Fibank).

Pavarësisht se operacioni ende nuk është i mbyllur, Autoriteti i Konkurrencës ka gjykuar të nevojshëm dhënien e autorizimit të përqendrimit të përkohshëm deri në depozitimin e njoftimit mbi finalizimin përfundimtar të transaksionit të realizuar nga palët pjesëmarrëse në transaksion.

Komisioni i Konkurrencës vlerëson se përqendrimi i njoftuar pritet të mos krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar.

Viva Fresh nuk është e pranishme në tregun shqiptar të shitjeve me pakicë, megjithatë, pronari i saj, Xhevdet Rexhepi, zotëron njëkohësisht kompaninë Studio Moderna, që ka aktivitet të shitjeve kryesish nëpërmjet kanaleve elektronike, me markën Top Shop.

Viva Fresh zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë, Viva Fresh Store ndërsa është e pranishme edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2023 Spar Albania raportoi një xhiro prej 10.7 miliardë lekësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Fitimi para tatimit arriti në 406 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 62%.

Ndërkohë, në klasifikimin si franchise (duke përfshirë edhe xhiron e kompanive që përdorin më të njëjtën markë, por që kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga palë të tjera) Spar vlerësohet të jetë rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri, pas Big Market.

Sipas informacionit zyrtar të Spar Albania, në fund të 2024 rrjeti i saj përbëhej nga 90 markete dhe dy hipermarkete.

Çmimi i shitjes nuk është bërë publik nga palët, megjithatë kontrata parashikon që ky çmim mund të jetë subjekt i axhustimit deri në mbylljen e transaksionit.

Korrigjimi mund të jetë i lidhur me përmbushjen e kushteve të caktuara, siç mund të jetë auditimi i pasqyrave financiare të vitit 2024 apo kryerja e due diligence të thelluar dhe verifikimeve të tjera nga ana e blerësit.

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0