Nga Adelina Onuzi – Shqipëria ishte destinacioni i preferuar i 11.7 milionë vizitorëve vitin e kaluar. Edhe pse jemi në fund të tremujorit të parë të vitit, flukset turistike tashmë kanë treguar një rritje të qëndrueshme. Për vitin 2025, prioritetet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk janë vetëm shifrat e larta, por edhe rritja e qëndrueshme dhe ofrimi i përvojave unike të mikpritjes. Për të mësuar më shumë rreth këtyre zhvillimeve, Business Magazine bisedoi me Herida Duro, drejtoreshë pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Si ka evoluar turizmi në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe cilat janë tendencat kryesore që po shihen në këtë sektor?
Përtej rritjes në shifra (në vitin 2024 pritëm 11.7 milionë vizitorë të huaj), Shqipëria tashmë është një destinacion që vizitohet gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin. Nuk konsiderohet më thjesht një destinacion sezonal për plazhin dhe diellin, por ofron një gamë të gjerë përvojash turistike, të cilat tërheqin vizitorë çdo ditë të vitit.
Si po kontribuon Shqipëria në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe cilat janë sfidat në këtë fushë?
Shqipëria ka përqafuar një qasje të qëndrueshme në zhvillimin e turizmit, duke e projektuar atë në të gjithë territorin, pasi çdo zonë e Shqipërisë ka potencial për turizëm detar, malor, natyror, ekoturizëm dhe agroturizëm. Është e rëndësishme që komunitetet lokale të inkurajohen të krijojnë mundësi ekonomike përmes turizmit.
Nisma të rëndësishme si kthimi i banesave apo kullave të vjetra në bujtina, ofrimi i ushqimit lokal, dhe organizimi i itinerareve turistike nga guida vendase po mbështeten nga programet e qeverisë.
Të gjitha strukturat akomoduese të certifikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përfitojnë nga TVSH e ulur në 6%. Po ashtu, njësitë agroturistike përfitojnë nga lehtësirat fiskale, përfshirë 6% TVSH të reduktuar, 5% Tatim mbi Fitimin dhe zero taksë infrastrukture.
Këto politika kanë ndihmuar në tërheqjen e 11 brandeve ndërkombëtare, të cilat respektojnë parimet e turizmit të përgjegjshëm dhe ofrojnë garanci për vizitorët e huaj.
Si ka ndryshuar profili i turistëve që vizitojnë Shqipërinë dhe çfarë pritshmërish keni për vitin 2025?
Pas pandemisë, Shqipëria pati një rimëkëmbje të fuqishme të turizmit, duke u renditur e katërta në botë dhe e para në Europë për normën e rimëkëmbjes së vizitorëve ndërkombëtarë në vitin 2023.
Tashmë, profili i turistëve ka ndryshuar. Vizitorët janë më aktivë dhe kureshtarë, duke kërkuar përvoja të larmishme, atraksione dhe evente të shumta.
Për vitin 2025, fokusi nuk është më vetëm tek rritja e numrave, por tek zhvillimi i qëndrueshëm dhe forcimi i mikpritjes, e cila është guri i themelit i turizmit shqiptar.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto