Zëri i Vjosës dëgjohet në botë, aktivistët shqiptarë nderohen me ‘... - Business Magazine Albania

Zëri i Vjosës dëgjohet në botë, aktivistët shqiptarë nderohen me ‘Goldman’

2025 Goldman Prize winners, Olsi Nika & Besjana Guri (Photo: Goldman Environmental Prize)
~5 minuta lexim

Në një moment historik për Shqipërinë dhe natyrën e saj të egër, aktivistët mjedisorë Besjana Guri dhe Olsi Nika janë nderuar me çmimin ndërkombëtar Goldman për Mjedisin 2025, një vlerësim që shpesh cilësohet si “Nobeli i mjedisit”. Kjo është hera e parë që ky çmim i jepet aktivistëve shqiptarë dhe është një dëshmi e fuqishme se kauzat vendase, kur ndërthuren me pasion dhe këmbëngulje, arrijnë të prekin globin.

Dyshja, që prej një dekade ka udhëhequr betejën për të mbrojtur lumin e fundit të egër në Evropë, Vjosën, nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve, arriti ta shndërrojë këtë kauzë në një simbol global të rezistencës për natyrën. Rezultati? Shpallja e Vjosës si Parku i Parë Kombëtar i një lumi të egër në Europë, një precedent historik për mbrojtjen e ekosistemeve ujore në kontinentin e vjetër.

2025 Goldman Prize winner Besjana Guri (Photo: Goldman Environmental Prize)
2025 Goldman Prize winner Besjana Guri (Photo: Goldman Environmental Prize)

Çdo betejë fillon me një thirrje. E në këtë rast, thirrja për të shpëtuar “Zemrën Blu të Europës” nisi në vitin 2014. Me një ADN krejt të ndryshme, Olsi si biolog dhe ekolog ujor, ndërsa Besjana si punonjëse sociale me talent të jashtëzakonshëm në komunikim publik, ata bashkuan forcat në EcoAlbania për të ndërtuar një lëvizje që do të përfshinte komunitete, shkencëtarë, artistë, politikanë dhe ndërkombëtarë.

Ata ishin zëri i Vjosës në çdo forum, nga fshatrat përgjatë lumit, tek Parlamentet Europiane. Ata ngritën një rrjet të gjerë mbështetjeje, nga komunitetet vendase që nuk ishin informuar për projektet zhvillimore, deri tek personalitete si Leonardo DiCaprio dhe organizata ndërkombëtare si Patagonia, EuroNatur dhe RiverWatch.

Në mars 2023, pas një dekade aktivizëm, sensibilizimi dhe lobimi, qeveria shqiptare shpalli Vjosën Park Kombëtar të një Lumi të Egër, duke mbrojtur ligjërisht 270 kilometra të lumit dhe degëve të tij, një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën.

Aktivistët e konsiderojnë këtë si një model të ri për mbrojtjen e natyrës. Tani fokusi është në zbatimin e planit të menaxhimit dhe mbrojtjen e degëve si Shushica, që rrezikon devijimin e ujërave.

Për aktivistët çmimi Goldman nuk është fundi i punës me Vjosën, por është një motivim i ri.

2025 Goldman Prize winner Olsi Nika (Photo: Goldman Environmental Prize)
2025 Goldman Prize winner Olsi Nika (Photo: Goldman Environmental Prize)

Çmimi Goldman, një platformë globale për heronjtë lokalë

I themeluar në vitin 1989 nga filantropët Richard dhe Rhoda Goldman në San Francisko, çmimi jepet çdo vit për aktivistë nga gjashtë kontinente që kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për ruajtjen e mjedisit dhe komunitetit të tyre. Deri më sot, janë nderuar 233 aktivistë nga 98 vende, ndër ta 106 gra, duke krijuar një rrjet të fuqishëm global.

Në ceremoninë e këtij viti, Jennifer Goldman Wallis, nënkryetare e fondacionit, tha: “Në një botë të mbushur me problematika, këta udhëheqës janë shpresë, janë zgjidhja.”

Vjosa River, Albania (Photo: Adrian Guri for the Goldman Environmental Prize)
Vjosa River, Albania (Photo: Adrian Guri for the Goldman Environmental Prize)

Pse kjo fitore është edhe një mundësi për Shqipërinë?

Në një kohë kur ekonomia dhe zhvillimi shpesh shihen në konflikt me natyrën, Besjana dhe Olsi kanë treguar se ekziston një rrugë e tretë, ajo e bashkëjetesës. Vjosa është jo vetëm një thesari natyror me mbi 1,175 specie dhe habitate për kafshë të rrezikuara si ngjala europiane, por edhe një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm, ekoturizëm dhe krenari kombëtare.

Për një vend si Shqipëria, që shpesh perceptohet si e vogël për të ndikuar në çështje globale, çmimi “Goldman” është një përgënjeshtrim i fuqishëm. Ai dëshmon se idetë e mëdha mund të lindin në brigjet e Vjosës po aq sa në sallat e OKB-së.

Nderimi i Besjana Gurit dhe Olsi Nikës nuk është thjesht një çmim personal, por një triumf kolektiv për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e natyrës, të komuniteteve dhe të qëndresës. Vjosa është ende e lirë dhe falë tyre, edhe zëri i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është më i fuqishëm se kurrë më parë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Teknologjia nuk është asgjë. E rëndësishme është që të kesh besim te njerëzit.”
— Steve Jobs
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0