5 gjërat që nuk duhet t’ia tregoni kurrë ChatGPT! - Business Magazine Albania

5 gjërat që nuk duhet t’ia tregoni kurrë ChatGPT!

5 gjërat që nuk duhet t’ia tregoni kurrë tek ChatGPT!

Njerëzit i drejtohen ChatGPT për shumë gjëra,  që nga këshillat për çiftet, ndihma për të shkruar një email profesional, deri tek transformimi i fotografive të qenve në versione njerëzore. Por duke ndarë informacione personale me platforma të inteligjencës artificiale, mund të rrezikoni privatësinë tuaj. Ka disa informacione specifike që ekspertët thonë se nuk duhet t’ia tregoni kurrë një chatbot-i si ChatGPT.

Sapo shkruani diçka në një chatbot, “humbni pronësinë mbi të”, shpjegon Jennifer King, kërkuese pranë Institutit Stanford për Inteligjencën Artificiale të Përqendruar te Njeriu, për Wall Street Journal. Edhe OpenAI vetë paralajmëron: “Ju lutemi, mos ndani informacione të ndjeshme gjatë bisedave tuaja.” Po ashtu, Google i këshillon përdoruesit e Gemini të mos fusin asnjë informacion konfidencial apo të dhëna që nuk do të dëshironin të shiheshin nga një rishikues.

Me këtë në mendje, këtu janë 5 gjërat që nuk duhet t’ia tregoni kurrë ChatGPT-së apo ndonjë chatbot-i tjetër të AI-së:

1. Informacione identifikuese personale

Mos zbuloni të dhëna personale si numri i sigurimeve shoqërore, numri i pasaportës apo patentës, data e lindjes, adresa apo numri i telefonit. Edhe pse disa platforma mundohen t’i fshijnë automatikisht këto të dhëna, është më e sigurt të mos i ndani fare. “Duam që modelet tona të mësojnë për botën, jo për individët”, tha një zëdhënëse e OpenAI për WSJ.

Lexo edhe:E ardhmja e pagesave digjitale në Shqipëri. Roli i Pago dhe vizioni i Igli Gjelishtit për Fintech

2. Rezultate mjekësore

Edhe pse mund të jetë tundim për të kërkuar ndihmën e një AI-je për të interpretuar analiza apo rezultate mjekësore, chatbot-ët nuk përfshihen në ligjet e mbrojtjes së të dhënave shëndetësore si mjekët apo spitalet. Nëse gjithsesi vendosni të ngarkoni analiza, ekspertët këshillojnë që të redaktoni dokumentet përpara, duke lënë vetëm rezultatet e analizave, pa të dhëna personale.

3. Llogari bankare dhe investimi

Mos ndani kurrë numrat e llogarive tuaja bankare apo të investimeve. Nëse këto të dhëna bien në duar të gabuara, mund të përdoren për të ndjekur ose vjedhur fonde.

4. Të dhëna për llogari dhe fjalëkalime

Edhe pse chatbot-ët po bëhen gjithnjë e më të aftë për të ndihmuar në detyra të ndryshme, nuk janë vende të sigurta për të ruajtur fjalëkalime apo emra përdoruesi. Për këto qëllime, është shumë më e sigurt të përdorni një menaxher fjalëkalimesh.

5. Informacione konfidenciale të punës

Nëse po përdorni ChatGPT për punë — si për të redaktuar dokumente apo shkruar email-e — keni rrezik të zbuloni pa dashje të dhëna konfidenciale të klientëve apo sekrete tregtare. Disa kompani përdorin versione të personalizuara të AI-së, me mbrojtje të avancuar, por në mungesë të tyre, duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm.

Si të mbroni privatësinë tuaj?

Nëse vendosni të ndani informacione personale, sigurohuni që llogaria juaj të ketë një fjalëkalim të fortë dhe të aktivizoni autentifikimin me dy hapa. Për përdoruesit që duan të jenë më të kujdesshëm, është mirë që pas çdo bisede ta fshijnë atë manualisht. Shumica e kompanive të AI-së e fshijnë përgjithmonë të dhënat “e fshira” brenda 30 ditësh. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur me inteligjencën artificiale, ruajtja e privatësisë është më e rëndësishme se kurrë. Ndaj, përdorni chatbot-ët me kujdes dhe përgjegjësi.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0