Në një botë ku suksesi ngrihet në podium dhe dështimi fshihet nën tapet, ndoshta është koha të rishohim gjithë narrativën. Po sikur t’ju thoja se dështimi, ai moment kur të duket sikur gjithçka po shkon ters, është në fakt arma më e fuqishme e suksesit?
Nëse tingëllon si paradoks, nuk jeni vetëm. Por le të shohim përtej fasadës së “perfektit”, drejt atyre historive ku dështimi nuk ishte fundi, por katalizatori. Pikërisht kështu nisi edhe historia e Wesley Mercer, një ish-korporatist i suksesshëm që la gjithçka për të ndjekur rrugën e rritjes personale dhe shkrimit. Rruga s’ishte e lehtë, dhe dështimet nuk munguan. Por… çfarë ndodhi më pas?
Lexo gjithashu: 25 rregulla për një jetë të lumtur, shëndetshme dhe pa komplekse!
Dështimi, mësuesi që s’e gjen në asnjë shkollë
Që të vegjël mësohemi të shmangim gabimet, merr notën 10, jo 4. Në vendin e punës, një projekt i dështuar tingëllon si fundi i karrierës. Por çfarë nëse dështimi nuk është një tabelë “Stop”, por një shenjë që të thotë “kthehu djathtas, këtu mëson më shumë”?
Albert Einstein tha dikur: “Dështimi është suksesi në progres.” Bill Gates thekson se “Suksesi është një mësues i dobët.” Dhe po të mendosh me qetësi, ka sens, kur gjithçka shkon vaj, rrallëherë ndalemi për të reflektuar. Por kur diçka dështon, reflektimi bëhet i pashmangshëm.
Çfarë të dhuron dështimi?
Në vend që të shihet si një dënim, dështimi duhet parë si një filtrues, ai që heq gjithçka që nuk të përket, për të nxjerrë në pah thelbin e asaj që ti je me të vërtetë.
Qartësi dhe fokus
Dështimi të tregon çfarë nuk funksionon. Siç thotë edhe J.K. Rowling: “Dështimi më hoqi të gjitha gjërat e panevojshme.”
Rezistencë
Çdo herë që rikthehesh nga një humbje, rrit muskujt e qëndrueshmërisë. Njësoj si palestra dhimbja ndërton forcën.
Kreativitet
Dështimi të detyron të mendosh ndryshe. Sikur Thomas Edison, i cili provoi 10 mijë herë para se të krijonte llambën elektrike. Çdo “jo” e tij ishte një hap më afër “po”-së.
Lexo gjithashtu: Zemërthyerja profesionale, si ndodh dhe si ta shërojmë?
Përulësi dhe rritje
Dështimi i bën njerëzit më të hapur ndaj kritikës dhe mësimit. Në vend që të kthehesh në “i ditur”, bëhesh “i zoti për të mësuar”.
Vendosmëri
Disa humbje ndezin atë zjarrin e brendshëm që të shtyn të mos dorëzohesh më.
Kur dështimi ndërtoi perandori
J.K. Rowling nga ndihmat sociale te një perandori letrare
E njohim si autoren e Harry Potter, por pak e kujtojnë si gruan e re, të papunë, me një fëmijë në krah dhe me një dorëshkrim që u refuzua 12 herë nga botuesit. Duket si tragjedi, por në të vërtetë ishte fillimi i legjendës. “Sikur të kisha pasur sukses në diçka tjetër,” thotë ajo, “nuk do kisha ndjekur atë që doja vërtet.”
Ray Dalio, miliarderi që huazoi para nga babai
Themeluesi i hedge fund-it më të madh në botë, Bridgewater Associates, në vitin 1982 dështoi aq rëndë sa u detyrua të kërkonte 4,000 dollarë hua nga i ati. Sot, ai thotë se ishte gjëja më e mirë që i ndodhi ndonjëherë. Sepse e mësoi të jetë i hapur ndaj kritikës dhe vendimmarrjes së informuar. Pikërisht përmes humbjes, ai ngriti një kompani që menaxhonte mbi 160 miliardë dollarë.
James Dyson, 5,126 herë “jo”, një herë “po”
A do kishit guximin të provonit 5,126 herë për të shpikur një fshesë me korent? Dyson e bëri. Pas 15 vitesh testimesh, më në fund krijoi teknologjinë që revolucionarizoi pastrimin. Ai tha: “Nuk ishte prototipi i fundit që e bënte të vlefshëm procesin. Ishte procesi vetë.”
Jeta është një draft, dështimi është redaktori yt më i mirë
Si shkrimtar, Mercer e sheh çdo dështim si një draft që s’funksionon, por që i jep informacionin për të përmirësuar versionin tjetër. Dhe ndoshta jeta është po ashtu, një seri draftesh që i rishkruajmë, rishikojmë, heqim dhe shtojmë, derisa të arrijmë diçka që funksionon.
Dhe mësimi më i madh?
Dështimi nuk është antiteza e suksesit, është ingredienti i tij kryesor.
Është si të ndërtosh një urë me gurët që të kanë penguar. Gurë të rëndë, por që të mbajnë. Gurë që të formësojnë, dhe mbi të gjitha, që të çojnë përpara.
Prandaj, herën tjetër që rrëzoheni, kujtohuni për Edisonin, Rowling-un, Dalio-n dhe Dysonin. Jo për të gjetur ngushëllim, por për të kuptuar që jeni në rrugën e duhur. Dhe që dështimi i sotëm, mund të jetë kapitulli i parë i suksesit tuaj të nesërm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.