Shkencëtarët kanë gjetur një mënyrë novatore për të kthyer një problem të madh në diçka me vlerë, duke shndërruar bllokimet e yndyrshme dhe të neveritshme të kanalizimeve në përbërës aromatikë që përdoren për parfume dhe produkte kozmetike.
“Kemi zhvilluar një teknikë ku modifikojmë bakteret që të konsumojnë yndyrën nga këto bllokime dhe ta kthejnë atë në përbërës aromatikë të përdorshëm për parfume dhe shamponë,” shpjegon profesori Stephen Wallace nga Universiteti i Edinburgut për STV News në Skoci.
Bllokimet e yndyrshme formohen kur njerëzit hedhin në kanalizime objekte si peceta të lagura dhe mbeturina të tjera të ngurta, të cilat bashkohen me vajrat e gatimit dhe ujërat e zeza, duke krijuar masa të mëdha dhe të pakëndshme. Një nga bllokimet më të mëdha të regjistruara ndonjëherë, e zbuluar në vitin 2017, kishte një gjatësi prej 250 metrash dhe peshonte 130 tonë. Këto masa shpesh bllokojnë sistemet e kanalizimeve, duke shkaktuar kosto të mëdha pastrimi.
Në Londër, kompania Thames Water shpenzon mbi 22 milionë dollarë çdo vit për pastrimin e tyre, ndërsa probleme të ngjashme hasen edhe në qytete të mëdha si Nju Jorku. Aktualisht, këto masa zakonisht hiqen dhe digjen, duke krijuar një ndikim negativ në mjedis dhe duke rritur shpenzimet. Por profesori Wallace ka propozuar një zgjidhje të re: shndërrimin e bllokimeve të yndyrshme në përbërës aromatikë. Së pari, këto bllokime hiqen nga tubacionet nga kompani të specializuara dhe pastrohen me avull për të eliminuar mikrobet e dëmshme. Më pas, ato infuzohen me baktere të modifikuara gjenetikisht që konsumojnë yndyrën dhe prodhojnë një aromë pishash, shumë të përdorur në industrinë e kozmetikës. “E dimë që bakteret e duan yndyrën, prandaj menduam: pse të mos i riprogramojmë që të konsumojnë këto masa dhe t’i shndërrojnë në diçka të dobishme?” shpjegon Wallace.
Lexo edhe:Lionel Messi lançon parfumin e tij të parë!
Profesori sugjeron se në të ardhmen këto baktere mund të përdoren drejtpërdrejt në sistemet e kanalizimeve për të shpërbërë bllokimet dhe për të reduktuar erërat e këqija. “Imagjinoni kanalizime që jo vetëm pastrohen, por edhe mbajnë një aromë të këndshme,” shton ai. Një krahasim i mundshëm është ambergris-i, një substancë e çmuar që formohet në zorrët e balenave dhe përdoret në prodhimin e parfumeve luksoze. Përveç ndikimit pozitiv në mjedis, ky proces mund të ndihmojë edhe në uljen e kostove të larta të trajtimit të këtyre bllokimeve. “Ne po tregojmë se kjo mund të jetë jo vetëm e përballueshme, por edhe një burim fitimi duke krijuar produkte me vlerë nga mbeturinat,” shpjegon Wallace. Edhe pse ky proces ende nuk është komercialisht i realizueshëm për prodhimin masiv, ekipi i tij po bashkëpunon me partnerë në Mbretërinë e Bashkuar për ta zhvilluar më tej. Ky zbulim premtues mund të jetë një hap i madh drejt një të ardhme më të qëndrueshme. “Ka potencialin të jetë një zgjidhje transformuese për krizën klimatike dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë,” përfundon Wallace.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.