Drejtori Ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, deklaroi se autoritetet amerikane si Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) mund të lexojnë mesazhet tona në WhatsApp duke pasur qasje fizike në pajisje.
Ai shtoi se kjo është e mundur pavarësisht nga enkriptimi “end-to-end” i aplikacionit. Duke folur në podkastin The Joe Rogan Experience, Zuckerberg adresoi pyetje në lidhje me mënyrën se si agjencitë qeveritare mund të anashkalojnë enkriptimin për të aksesuar komunikimet private. Zuckerberg shpjegoi se ndërsa enkriptimi i WhatsApp-it siguron që serverët e Meta-s nuk mund të shohin përmbajtjen e mesazheve, kjo mbrojtje nuk shtrihet në të dhënat e ruajtura në pajisjen e përdoruesit.
“Enkriptimi bën që kompania që menaxhon shërbimin të mos i shohë ato. Nëse po përdorni WhatsApp, nuk ka asnjë moment kur serverët e Meta-s të shohin përmbajtjen e atij mesazhi,” tha ai. Megjithatë, sipas tij, autoritetet mund të shfrytëzojnë dobësi në vetë pajisjet, duke anashkaluar tërësisht enkriptimin. Kjo deklaratë erdhi gjatë një diskutimi mbi akuzat e gazetarit Tucker Carlson se agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe CIA-n, ndërhynë në përpjekjet e tij për të intervistuar Presidentin rus Vladimir Putin duke aksesuar mesazhet e tij private. Carlson kishte pretenduar se këto agjenci i nxorën planet e tij, duke prishur procesin e intervistës me liderin rus. cia
Lexo edhe:Ja si të çaktivizoni ndarjen e të dhënave të fotove me Apple
Zuckerberg gjithashtu i tha Rogan-it se mjete të tilla si spyware-i, përfshirë softuerin kontrovers Pegasus, po u mundësojnë agjencive të aksesojnë drejtpërdrejt të dhënat e ruajtura në pajisje. Sipas tij, këto mjete lejojnë mbikëqyrjen, duke përfshirë leximin e mesazheve të enkriptuara, shikimin e fotove dhe aksesin në regjistrat e thirrjeve, pa pasur nevojë të ndërhyjnë në komunikimet gjatë transmetimit. Si përgjigje ndaj këtyre rreziqeve, Zuckerberg tha se WhatsApp po prezanton masa për të rritur privatësinë e përdoruesve, siç janë mesazhet që zhduken. Ky funksion automatikisht fshin mesazhet pas një kohe të caktuar, duke reduktuar sasinë e të dhënave të ndjeshme të ruajtura në pajisje. “Nëse dikush ka kompromentuar telefonin tuaj, ai mund të shohë gjithçka sapo të vijë. Ta kesh të enkriptuar dhe që të zhduket është një standard i mirë sigurie dhe privatësie,” tha ai. Ndërsa enkriptimi mbron komunikimet gjatë transmetimit, qeveritë argumentojnë se ai mund të pengojë përpjekjet për të luftuar krimin dhe terrorizmin.
Një dokument i FBI-së i vitit 2021 zbuloi se agjencitë mund të marrin akses të kufizuar në komunikimet e enkriptuara në platforma si WhatsApp dhe iMessage përmes metodave të tilla si kopjet rezervë në cloud ose qasja në pajisje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.