Greta Bajrami, sipërmarrësja e suksesshme në fushën e ndërtimit në SHBA, ndan rrugëtimin dhe planet e saj - Business Magazine Albania

Greta Bajrami, sipërmarrësja e suksesshme në fushën e ndërtimit në SHBA, ndan rrugëtimin dhe planet e saj

Buzëqeshja e saj duket fitorja e saj e parë e qëndrueshme në jetë. Greta Bajrami drejton bizneset e saj në USA dhe jo vetëm ka tejkaluar sfida deri në sigurimin e suksesit, por sot ajo është në kushtet që po zgjeron fushën e veprimit dhe gjeografinë ku po angazhohet, si një përmbushje e saj personale.

Në komunikime të herë pas hershme me Gretën, prej tashmë rreth 2 vitesh, kam kuptuar që Greta, suksesin në jetë në fakt e ka arritur ende pa nisur biznes. Një vajzë e re, e cila së bashku me të dashurin e saj të gjimnazit, vishen që herët me autoritetin e prindit për t’i dhënë jetë vajzës së tyre që ishte ngjizur tashmë. Kundër vullnetit të shumë njerëzve përreth, ashtu siç ndodh shpesh edhe në biznes ata ndërtuan bazat e një familje që sot e gëzojnë përkrah drejtimit të një grupi sipërmarrjes.

Në këtë intervistë, Greta tregon rrugëtimin e saj dhe planet për të ardhmen, ku përfshihet fatmirësisht edhe Shqipëria  

Si ka nisur rrugëtimi juaj në US? Prej sa vitesh jeni atje dhe cilat kanë qenë angazhimet tuaja të para?

Kur isha 10 vjeç, prindërit e mi dhe unë emigruam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes sistemit të llotarisë amerikane në Shqipëri. Si një vajzë e re, hapi im i parë në Shtetet e Bashkuara ishte të ndiqja gjimnazin dhe më vonë kolegjin (universitetin) për të marrë një diplomë në administrim biznesi. Në vitin tim të fundit të fakultetit, në një klasë sipërmarrje, zbulova mundësinë dhe vendosa të hapja kompaninë time, e quajtur “Golden Group Roofing”.

Sa kohë ju desh të konsolidoni sipërmarrjen dhe ta ndjeni veten të suksesshme?

Sfidat e para të çdo sipërmarrësi të ri, veçanërisht në moshën 21-vjeçare, ishin ndërtimi i vetëbesimit për të realizuar atë që thoja se do të bëja, jo vetëm për veten time, por edhe për ekipin tim. Sfida e dytë për mua personalisht ishte të isha një sipërmarrëse e re femër në një industri të dominuar nga meshkujt. Sfida e tretë ishte të isha një emigrante e re, një sipërmarrëse femër në një industri të tillë, duke pasur përballë kaq shumë pengesa që e bënin të vështirë hyrjen në këtë fushë, sikur çdo gjë ishte kundër rrymës. Kur hapa dyert për Golden Group Roofing, e bëra këtë me vetëm një hua prej $15,000 nga prindërit e mi në atë kohë. Të kesh një buxhet shumë të kufizuar në një industri shumë konkurruese më shtyu të jem inovative, duke përdorur shumë burime falas dhe duke gjetur mënyra për të shfrytëzuar kohë, vend të burimeve financiare që nuk i kisha.

Arsyeja pse vendosa të angazhohem në biznes është e thjeshtë. Doja të gjeja një mënyrë për të siguruar të ardhura për familjen dhe veten time, për të  krijuar një stabilitet që nuk do të rrezikoja të mbetesha e papunë. Në atë kohë isha një nënë e re dhe e martuar me partnerin tim që nga shkolla e mesme. Nuk ishte se një ditë u zgjova duke menduar se doja të punoja në ndërtim, rikonstruksion, ose të zotëroja një kompani që rindërton çati. Gjithçka që dija ishte se doja të gjeja një mënyrë për të siguruar të ardhura për familjen time. Ideja për Golden Group Roofing erdhi nga një klasë mbi sipërmarrjen që ndoqa në vitin tim të fundit të kolegjit.

Fillimisht po punoja në një projekt për një kafene të quajtur *Tiramisu Café”. Megjithatë, në atë kohë më duhej urgjentisht një punë dhe fillova të hidhja një sy industrisë së ndërtimit, e cila po përjetonte një bum pas recesionit në Shtetet e Bashkuara. Duke punuar në ndërtim atë verë, vura re se ishte një industri në rritje, me shumë mundësi për fitime.

Kur u ktheva në klasën e kolegjit, i tregova profesorit tim për ndërtimin dhe për mënyrat që kisha vënë re për të përmirësuar proceset e kësaj industrie, që sipas meje ishin të ngurta dhe të lëna pas dore nga teknologjia. Profesori im më tha: “Pse të mos e kthesh “Tiramisu Café” në kompaninë tënde të ndërtimit?”
Në atë moment nuk e kuptova çfarë donte të thoshte, por më vonë e kuptova. Ai po më sugjeronte që gjithçka që kisha mësuar dhe përgatitur për të hapur kafenenë “Tiramisu Café” ishte gjithçka që duhej për të hapur çdo lloj biznesi. Kështu që projekti im për “Tiramisu Café” u transformua në Golden Group Roofing. Kur bëhet fjalë për biznesin, unë dhe Fredi jemi ekipi perfekt. Ne u shmangemi rrugëve të njëri-tjetrit dhe fokusohemi në atë që secili prej nesh sjell në tryezë. Në biznesin tonë, do ta quaja Fredin “inovatori” dhe veten time “zbatuesja.” Mendoj se është thelbësore për çdo biznes të ketë të dyja rolet. Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë shumica e sipërmarrësve është mungesa e njërit prej këtyre roleve në modelin e tyre të biznesit. Mendoj se është pothuajse e pamundur të gjesh një sipërmarrës që mishëron të dyja cilësitë, ndaj shpesh një sipërmarrës i mirë nuk është një CEO i mirë dhe anasjelltas.

Sa i përket çështjeve të çatisë, Fredi është ai që zakonisht sjell idetë, ndërsa unë zbatoj strategjitë dhe proceset rreth tyre. Ai preferon të jetë në terren dhe të mbikëqyrë operacionet, ndërsa unë kujdesem për ekipin tonë të shitjeve dhe marketingut. Ne punojmë shumë mirë bashkë, sepse unë jam një ekstroverte e theksuar, ndërsa Fredi është introvert dhe gëzon ditët e qeta. Unë shkëlqej kur jam pranë ekipit tonë dhe në ngjarje komunitare, ndërsa ai preferon një qasje më të qetë dhe të fokusuar. Ky ekuilibër na ka ndihmuar të krijojmë një skuadër të fortë dhe të suksesshme.

Kur e ndjetë veten të suksesshëm në biznes?

Kjo është një pyetje që një CEO apo sipërmarrës i mirë duhet t’i përgjigjet çdo ditë. Ne gjithmonë përpiqemi të qëndrojmë përpara konkurrentëve, duke thyer jo vetëm objektivat personale, por edhe rezultatet e vitit të kaluar. Nëse nuk zgjohemi çdo ditë me këtë plan, atëherë rrezikojmë të mbesim prapa, dhe kjo është arsyeja pse shumë biznese të mira ndalojnë së zhvilluari. Për mua personalisht, çdo ditë mendoj se nuk kemi arritur ende suksesin dhe jemi ende në një rrugëtim. Kjo qasje ka bërë që biznesi të rritet mesatarisht me 1 deri në 2 milionë dollarë çdo vit.

Megjithatë, nëse duhet të them kur e ndjeva suksesin për herë të parë, do të thosha që kjo ndjesi filloi rreth vitit të shtatë. Shtatë vitet e para të biznesit ishin të mbushura me punë të palodhshme, netë të gjata, orë të pafundme dhe pak ose aspak të ardhura. Sot, kur flas në konferenca ose podcaste, shpesh më pyesin: “Çfarë bëni?” ose “Sa fitoni?” Por, gjithmonë u them që kjo është pyetja e gabuar. Pyetja e duhur është: “Çfarë kam bërë dhe çfarë më është dashur të bëj për të arritur deri këtu?”, sepse ndoshta ajo është një rrugë, një angazhim kohe dhe një sakrificë që ju nuk jeni të gatshëm ta bëni.

Suksesi në biznes është i ndryshëm për secilin. Për disa mund të ndihet pas tre vitesh, për të tjerë pas dhjetë vitesh. Por, çështja është: Sa gjatë jeni të gatshëm të sakrifikoni dhe të përpiqeni derisa suksesi të ndihet?

Vitet e fundit ju keni zgjeruar portofolin e investimeve, duke u shtrirë edhe në fushën e marketingut dhe edukimit. A mund të na flisni për Rootless, si lindi dhe si po ecën si projekt?

Historia e Rootless është vërtet e bukur dhe e veçantë. Në vitet 2017 dhe 2018 fillova të tërhiqja vëmendjen e mediave kombëtare në Shtetet e Bashkuara. Të gjithë donin të dinin më shumë për vajzën shqiptare që kishte hapur një kompani rikonstruksioni çatish me vetëm një hua prej $15,000 dhe arriti të krijojë një histori suksesi që statistikat e konsideronin me më pak se 1% mundësi për sukses.

Historia ime nuk është e zakonshme. U bëra nënë e re që në vitin tim të parë të kolegjit dhe u martova me të dashurin tim të gjimnazit, jo sepse ishim të sigurt që donim të kalonim jetën bashkë, por sepse donim t’i siguronim vajzës sonë gjithçka që meritonte – një familje. Si dy të rinj që po përpiqeshin të mësoheshin me prindërimin dhe të krijonin dashurinë për njëri-tjetrin, hapja e një kompanie në një industri të dominuar nga meshkujt, si një grua dhe një emigrante, ishte një sfidë e pabesueshme.

Me rritjen dhe suksesin e kompanisë sonë, filluan të vinin çmimet dhe bashkë me to, intervistat dhe interesimi i komunitetit për të njohur njerëzit pas markës. Kështu fillova të jem pjesë e shumë podkasteve, nga viti 2018 deri në 2022. Në këto biseda, kuptova se kisha një mesazh më të gjerë për të ndarë me botën, mesazhin e Rootless.

Emri Rootless (pa rrënjë) erdhi nga ndjesia ime personale. Kur erdha në Amerikë në moshën 10 vjeçare, kurrë nuk u ndjeva plotësisht amerikane. Kur u ktheva në Shqipëri si një grua 35-vjeçare, nuk ndihesha plotësisht shqiptare, sepse shumë nga ato që mbaja mend kishin ndryshuar. Dhe kjo ndjesi vazhdoi edhe në industrinë e çative, ku ndonëse isha CEO e një kompanie të suksesshme, përsëri nuk ndihesha e përfshirë, sepse emigrantët dhe gratë janë të rralla në këtë sektor.

Ajo ndjesi për mua përkufizohet si të qenit Rootless, që simbolizon shkëputjen nga kufizimet e rrënjëve tona. Rrënjët per disa janë kujtime të dhimbshme të vështirësive të së kaluarës, që na pengojnë të arrijmë sukses për shkak të mungesës së mundësive. Ata që janë “rootless” kuptojnë se nëse nuk largohen nga vendi ku ndodhen, nuk do të gjejnë dyer të hapura. Ata duhet të guxojnë të shkëputen, të përballen me të panjohurën, sepse edhe nëse kanë vetëm 1% shans për sukses, historia e tyre e meriton atë shans.

Rootless.com është një platformë e bazuar në misionin e ndarjes së historive si e imja, e Fadil Berishës dhe e shumë të tjerëve. Përmes tregimeve frymëzuese dhe udhërrëfyesve praktikë, ne ofrojmë mjete që i ndihmojnë të tjerët të krijojnë historinë e tyre të suksesit.

Në këtë rrugëtim, ne gjithashtu krijuam Rootless Agency, një kompani branding dhe marketing. Me këtë agjenci, unë ndihmoj në krijimin e strategjive dhe implementimin e tyre për bizneset e reja. Një ekip i talentuar, i udhëhequr nga CTO-ja ynë, Xhulio Jamaku, realizon projektet teknologjike të klientëve tanë, duke ndihmuar biznese të ndryshme të rriten dhe të gjejnë suksesin e tyre. Rootless Agency ka qenë gjithashtu një nga shtyllat që ka mbështetur suksesin e Golden Group Roofing dhe shumë kompanive të tjera.

Ju shohim gjithnjë të buzëqeshur, cila është formula juaj e lumturisë? Çfarë konsideroni lumturi?

Është e vërtetë që shpesh dukem e buzëqeshur dhe pozitive, por kjo nuk do të thotë që jam gjithmonë e lumtur. Megjithatë, unë kam një rregull të rëndësishëm në jetën time: pavarësisht situatave që përjetoj, duhet t’i përballoj ato me dinjitet dhe empati për të tjerët. Nuk dua që stresi, ose vështirësitë e mia personale të ndikojnë tek miqtë e mi, apo tek skuadra ime. E ndjej se nuk do të ishte e drejtë për ta. Ky është një mësim që kam mësuar gjatë viteve të fundit si një e rritur dhe një CEO më e pjekur – diçka që nuk e kam pasur kur isha më e re.

Të mbetesh pozitiv, edhe kur situatat duken të pamundura, është çelësi për të parë pak dritë pas stuhisë. Kjo shtë diçka që mundohem t’ia kujtoj vetes çdo ditë.

Sa i përket lumturisë, për mua ajo lidhet me familjen, miqtë dhe fëmijët e mi. Çdo ditë, pyes veten: “Pse zgjohem në mëngjes? Pse bëj gjithçka që bëj?” dhe ndonëse paratë janë pjesë e rëndësishme e biznesit, ato nuk janë arsyeja kryesore pse punoj fort. Arsyeja është të krijoj një jetë që më lejon të jem prezente në momentet e rëndësishme të jetës së fëmijëve të mi, të jem në çdo ndeshje futbolli të djalit, në çdo aktivitet të vajzës dhe në darkë çdo natë me bashkëshortin tim.

Për mua, të jem e pranishme dhe aktive në jetën e njerëzve që dua është gjithçka. Në fund të fundit, çfarë kuptimi ka të fitosh miliona dollarë nëse humbet njerëzit që do, qoftë fizikisht, emocionalisht, apo përmes kujtimeve që nuk krijon dot me ta?

Gjithsesi, dua të ndaj me ju se gjatë viteve të para të biznesit dhe studimeve, më është dashur të sakrifikoj kohën me vajzën time. Ajo ishte në çerdhe/kopësht që nga mosha tetë javëshe dhe unë personalisht nuk kujtoj shumë momente të rëndësishme me të gjatë viteve të saj të para deri kur mbushi 10 vjeç. Ishte një periudhë ku përpiqesha të mbaroja universitetin dhe të ndërtoja Golden Group Roofing.

Por sot, unë zgjedh ndryshe. E kuptoj më mirë çfarë më bën të lumtur dhe e vendos atë si prioritet. Mendoj se shumë CEO e humbin këtë balancë, duke u përqëndruar obsesivisht tek suksesi financiar dhe rritja, pa kuptuar se asgjë nga kjo nuk ka vlerë nëse humbasin njerëzit e tyre të dashur në këtë proces.

Si e menaxhoni kohën mes punës dhe familjes?

Kur vjen puna te menaxhimi i kohës mes punës dhe familjes, ne si familje e kuptojmë shumë mirë se çfarë kërkohet për të qenë sipërmarrës. Bëjmë biseda të hapura me fëmijët tanë, duke u shpjeguar se ndonjëherë mamaja ose babai mund të duhet të punojnë më shumë orë në zyrë. Fëmijët tanë e kuptojnë që Golden Group është zemra e shtëpisë sonë, por gjithashtu e dinë që ka momente të shenjta, si festat, ditëlindjet dhe përvjetorët, ku puna nuk merr përparësi, pavarësisht rrethanave.

Për mua, menaxhimi i kohës nuk nënkupton një ekuilibër perfekt çdo javë, por një ekuilibër në kuadër të 365 ditëve të vitit. Për shembull, në biznesin tonë, pranvera dhe vjeshta janë sezonet më të ngarkuara, dhe në këto periudha punojmë nga 60 deri në 80 orë në javë. Është e mundur të humbasim disa momente të rëndësishme gjatë këtyre muajve, por e kompensojmë gjatë dimrit dhe verës, kur kemi një periudhë më të qetë. Në këto kohë, ne i dedikojmë javë të tëra pushimeve familjare ose thjesht kalojmë më shumë kohë në shtëpi me fëmijët.

Mendoj se është e rëndësishme për çdo sipërmarrës të pranojë që iluzioni i ekuilibrit të përsosur mes punës dhe jetës private, veçanërisht si CEO ose themelues kompanie, nuk ekziston. Është një iluzion. Por, nëse e shikon këtë balancë në një perspektivë më të gjerë dhe të kujdesshëm të mos humbasësh momentet që kanë më shumë rëndësi, atëherë ky është çelësi i suksesit për mua, si në punë, ashtu edhe në familje.

Këshillat që do të doja t’u jepja të rinjve që dëshirojnë të angazhohen në sipërmarrje bazohen në ato që kam mësuar gjatë udhëtimit tim dhe quhen “themele të sipërmarrjes”. Ja disa pika të rëndësishme:  

  1. Hyr me përkushtim të plotë.

Kur fillon një biznes, nuk duhet të kesh plan B. Shpesh dëgjoj sipërmarrës të rinj që thonë: “Nëse nuk funksionon, do të bëj këtë.” Kjo qasje është si të hapësh një derë për të ikur. Suksesi vjen vetëm kur je plotësisht i përkushtuar, duke mos pasur mundësi për të ikur, përveçse për të ecur përpara dhe për të arritur majat. Kur hyn në sipërmarrje, imagjino veten të mbyllur në një dhomë pa dyer – e vetmja dalje është përmes çatisë dhe kjo arrihet vetëm me sukses.

  1. Investo gjithçka që ke.

Një gabim i zakonshëm është mosinvestimi i të gjitha burimeve në biznesin që po fillon. Nëse ke $10,000 dhe investon vetëm $5,000, atëherë po i jep vetes një shans të kufizuar për të pasur sukses. Për të zbuluar potencialin e vërtetë të biznesit tënd, duhet të investosh gjithçka që ke. Mosbesimi për të investuar të gjitha burimet do të thotë që nuk beson plotësisht në idenë dhe suksesin tënd.

  1. Përballu me frikën, mos dysho në veten tënde.

Sipërmarrja është si të jesh sërfist mbi një valë gjigante. Edhe pse mund të jesh i frikësuar, nuk duhet të dyshosh kurrë në aftësinë tënde për të qëndruar mbi valë dhe për të arritur bregun. Dyshimi është shkatërrimtar dhe mund të të nxjerrë nga rruga drejt suksesit. Pranoje frikën, por mos e lejo të marrë kontrollin.

  1. Mëso të dëgjosh dhe të jesh inovator.

Një gabim tjetër që bëjnë sipërmarrësit është ngurtësia ndaj idesë së tyre fillestare. Ndonjëherë, tregu ose vetë biznesi tregon që diçka nuk po funksionon. Në këto momente, duhet të jesh i gatshëm të ndryshosh strategjinë, pa humbur qëllimin përfundimtar. Për shembull, kur fillova, Golden Group nuk ishte një kompani e fokusuar te çatia, por një kompani ndërtimi. Megjithatë, tregu më udhëzoi drejt specializimit në çati, dhe kjo ndryshoi gjithçka. Pranimi i realitetit dhe përshtatja është çelësi i suksesit afatgjatë.

  1. Këmbëngul dhe mos hiq dorë shpejt.

Suksesi nuk vjen brenda natës. Shumë sipërmarrës dorëzohen shumë shpejt kur gjërat bëhen të vështira. Këmbëngulja është ajo që të dallon nga të tjerët. Ji i gatshëm të luftosh deri në fund, edhe kur duket sikur gjithçka është kundër teje.

Si përfundim:

Sipërmarrja nuk është një rrugë e lehtë, por është një rrugë e bukur që kërkon përkushtim, vendosmëri dhe aftësinë për të mësuar dhe për t’u përshtatur. Nëse je gati të sakrifikosh dhe të përballosh sfidat me guxim, atëherë çdo gjë është e mundur. Mos harro, suksesi është për ata që qëndrojnë deri në fund dhe janë të gatshëm të krijojnë dhe të luftojnë për ëndrrën e tyre.

A keni ndonje projekt në sirtar që planifikoni të zhvilloni në të ardhmen, apo do të fokusoni tek nismat e ndërmarra tashmë?

Po, një nga projektet më të mëdha që po planifikoj për të ardhmen është “Rootless Albania”, i cili do të realizohet në prill 2025. Ky projekt është shumë emocionues për mua, pasi do të sjell platformën dhe mesazhin e Rootless në vendlindjen time, Shqipëri.

Plani është të organizojmë një konferencë të madhe Rootless, e cila do të përfshijë:

-Paneliste, të cilët do të ndajnë histori frymëzuese dhe përvoja praktike.

– Workshops, për të ndihmuar pjesëmarrësit të zhvillojnë aftësi konkrete dhe strategji biznesi.

– Network, të shoqëruara me muzikë, për të krijuar një atmosferë të hapur dhe miqësore.

Mendoj se shqiptarët kanë një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe një krenari të pashoqe në punën që bëjnë dhe ky është një potencial i madh që dua ta mbështes dhe ta promovoj nëpër botë. Me këtë projekt, dua të sjell më shumë histori të Rootless nga Shqipëria, për t’i nxjerrë ato në dritë dhe për të treguar që sukseset e jashtëzakonshme janë të mundshme për këdo.

Gjithashtu, jam e lumtur të ndaj që “Rootless Albania” do të mbështesë një startup në Shqipëri përmes një çmimi monetar, që do të shpallet po këtë pranverë 2025. Kjo është mënyra jonë për të investuar në talentin dhe idetë e reja shqiptare.

Nëse doni të qëndroni të përditësuar për datën dhe vendndodhjen e konferencës, ju ftoj të më ndiqni në rrjetet e mia sociale ose përmes platformës “Rootless.com”. Shpresoj që ky projekt të jetë një shtysë për shumë të tjerë, të thonë: “Pse jo edhe unë?”

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0