Efektet e pandemisë tek adoleshentët ishin të mëdha, studime të shumta kanë dokumentuar raporte të problemeve me shëndetin e tyre mendor, jetën sociale dhe më shumë.
Një studim i ri sugjeron se këto fenomene shkaktuan që truri i disa adoleshentëve të plaket shumë më shpejt se zakonisht – 4.2 vjet më shpejt te vajzat dhe 1.4 vjet më shpejt te djemtë mesatarisht, sipas studimit të botuar në revistën Proceedings of the National Academy.
Duke qenë i pari që kontribuoi me detaje mbi ndryshimet e plakjes sipas gjinisë, studimi i shton njohuritë ekzistuese të ofruara nga dy studime të mëparshme mbi pandeminë Covid-19 dhe plakjen e përshpejtuar të trurit tek adoleshentët.
“Gjetjet janë një alarm i rëndësishëm për brishtësinë e trurit të adoleshencës. Adoleshentët kanë nevojë për mbështetjen tonë tani më shumë se kurrë”, tha autorja e studimit, Dr. Patricia K. Kuhl.
Një zhvillim i rëndësishëm socio-emocional ndodh gjatë adoleshencës, së bashku me ndryshime thelbësore në strukturën dhe funksionin e trurit. Trashësia e korteksit cerebral arrin kulmin në mënyrë natyrale gjatë fëmijërisë, zvogëlohet në mënyrë të qëndrueshme gjatë adoleshencës dhe vazhdon të ulet gjatë jetëgjatësisë, shkruajnë autorët.
Studiuesit fillimisht synonin të gjurmonin zhvillimin e zakonshëm të trurit të adoleshentëve me kalimin e kohës, duke filluar me MRI (Rezonanca Magnetike e Imazhit) që autorët kryen në trurin e pjesëmarrësve në vitin 2018. Ata planifikuan t’i ndiqnin ata për një tjetër skanim në vitin 2020. Pandemia e vonoi MRI-në e dytë me tre deri në katër vjet, kur 130 pjesëmarrësit me bazë në shtetin e Uashingtonit ishin midis moshës 12 dhe 20 vjeç. Autorët përjashtuan adoleshentët që ishin diagnostikuar me një çrregullim zhvillimi, psikiatrik apo që merrnin medikamente psikotrope.
Ekipi përdori të dhënat e MRI-së para pandemisë për të krijuar një “model normativ” se si 68 rajone të trurit do të zhvilloheshin gjatë adoleshencës tipike, me të cilën ata mund të krahasonin të dhënat MRI pas pandemisë dhe të shihnin nëse ato devijonin nga pritshmëritë. Ky model normativ është analog me tabelat normative të rritjes që përdoren në zyrat e pediatrisë për të gjurmuar gjatësinë dhe peshën tek fëmijët e vegjël, thanë autorët. Është përdorur gjithashtu nga studiues të tjerë për të studiuar efektet e rrethanave ose kushteve të tilla si disavantazhi socio-ekonomik, autizmi, depresioni, çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes ose stresi traumatik.
Studimi zbuloi hollimin e përshpejtuar të korteksit në trurin pas pandemisë së adoleshentëve, që ndodh në 30 rajone të trurit në të dy hemisferat dhe të gjitha lobet për vajzat, dhe në vetëm dy rajone për djemtë. Prevalenca e hollimit arriti në 43% dhe 6% të rajoneve të trurit të studiuara për vajzat dhe djemtë, respektivisht.
“Studimi nuk është një zbulim i madh, siç e pranojnë autorët, por shton njohuritë tona për këtë temë”, tha Dr. Max Wiznitzer.
Studimi ka disa kufizime të rëndësishme. Dhe meqenëse të gjithë u prekën nga pandemia, autorët nuk kishin një grup kontrolli, kjo është arsyeja pse ata duhej të përdornin modelimin normativ për të përafruar se çfarë do të kishin qenë kontrollet normale, tha Wiznitzer.
Autorët gjithashtu nuk kishin të dhëna për punët e familjeve të pjesëmarrësve, sigurinë financiare ose ushqimore, ose mbi ushtrimet, gjumin apo zakonet e të ushqyerit të pjesëmarrësve. Nuk dihet gjithashtu nëse pjesëmarrësit që kanë pasur Covid-19 mund të kenë kontribuar në gjetjet.
Lexo edhe: Teknologjia inteligjente e përgatitjes së kafes
“Studimi i tyre është një studim i mirë, por edhe atëherë ndoshta nuk ka një mostër mjaft të madhe për të thënë se dallimi në gjini në plakjen e trurit është një gjetje e besueshme”, tha Dr. Ian Gotlib.
Zonat e prekura në trurin e vajzave janë të lidhura me funksionet njohëse sociale, të tilla si njohja dhe interpretimi i fytyrave dhe shprehjeve emocionale, përpunimi i përvojave sociale dhe emocionale, aftësia për empati dhe dhembshuri, si dhe kuptimi i gjuhës, sipas studimit. Ndërkohë, zonat e prekura në trurin e djemve janë më së shumti të përfshira në përpunimin vizual të objekteve dhe fytyrave.
Dallimet në gjini mund të jenë për shkak të efekteve të ndryshme të faktorëve stresues tek djemtë kundrejt vajzave bazuar në atë që është e rëndësishme për secilin, thanë autorët.
Një faktor tjetër që studiuesit nuk e dinë ende është nëse këto efekte në tru janë të përhershme.
“Truri nuk rikuperon trashësinë që ka humbur, kjo është e qartë, por një tregues i shërimit të adoleshentëve pas përfundimit të pandemisë dhe rikthimit të plotë të normalitetit social, do të ishte nëse rrallimi i trurit ndodh me një ritëm më të ngadaltë. Nëse do të ishte kështu, mund të themi se truri i adoleshentëve tregoi një rikuperim. Ky është një studim që mund ta bëjmë në të ardhmen”, tha Kuhl.
Mbështetja e të rinjve në aspektin e shëndetit mendor është thelbësore, theksoi Gotlib. Ai sugjeron të promovoni kohën cilësore ballë për ballë, të kufizoni përdorimin e mediave sociale dhe të jeni të vëmendshëm ndaj çdo ndryshimi në sjellje që mund të tregojë probleme me shëndetin mendor, ose ndryshime në humor, në mënyrë që të ndërhyni sa më shpejt që të jetë e nevojshme.
Është e rëndësishme të pranohet se megjithëse “pandemia ka mbaruar kryesisht”, efektet e saj mbeten, tha Gotlib.
“Një kthim total në ‘normale’ mund të mos ndodhë kurrë. Këto janë të gjitha përkujtues të fuqishëm të brishtësisë njerëzore dhe të rëndësisë së investimit në shkencën e parandalimit dhe përgatitjes për pandeminë e ardhshme (të pashmangshme), tha Kuhl.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.