LACONICS, një flamur shqiptar në Europë - Business Magazine Albania

LACONICS, një flamur shqiptar në Europë

LACONICS

LACONICS shpk është një prej startupeve më dinamike ne Shqipëri dhe Europë gjatë këtij viti. Ajo është një shoqëri e specializuar në digjitalizimin e proceseve dhe në automatizimin e punës, falë një stardardi të ri të shkrimit të programeve softuerike dhe një cilësie që tejkalon pritshmëritë e një tregu perëndimor. Kompania është krenare për cilësinë e talentit shqiptar në programim dhe ngrihet mbi këtë fuqi, duke bindur çdo treg se zhvilluesit shqiptarë janë të denjë të jenë pjesë e çdo laboratori softuerik të botës.

Ne kemi zhvilluar një intervistë me z. Admirim Kala, CEO i LACONICS shpk për t’u njohur më shumë me këtë startup.

Si keni nisur me startupin tuaj. Çfarë sjell LACONICS?

Në fakt, pas një përvoje me investimet në disa fusha, mbasi eksplorova nënsektorin e Horeca-s me një sukses të vlerësueshëm, zgjodha të kaloj në fusha prodhuese, me besimin se ndryshimi i peisazhit ekonomik detyrimisht do të favorizonte investimet serioze.

Në këtë kuptim, përpara se të investoja në LACONICS, unë hyra me të gjithë energjitë e mia në atë që gjykoj se përfaqëson sektorin e së ardhmes: Mjedisin dhe Klimën. Për këtë arsye unë investova përkrah një grupi të spikatur sipërmarrësish në fabrikën më të rëndësishme sot në vend në riciklimin e metaleve. CCALB shpk ishte dhe mbetet një vendim i guximshëm dhe i drejtë, një zgjedhje e mençur dhe një përpjekje e sinqertë për të ndihmuar territorin shqiptar që të marrë frymë sa më gjelbër dhe sa më mirë.

Ndërkohë që shihja mënyrën sesi funksiononte një industri e vërtetë, ndërsa menaxhoja përkrah me kolegët e mi një fabrikë që përfshinte në proceset e saj një numër nënsektorësh, një grup të gjerë furnitorësh dhe një treg botëror shitjesh të produktit final, realizova atë që kishte nisur të dëgjohej gjithnjë e më qartë edhe në Shqipëri: nevojën për digjitalizimin e proceseve të punës dhe për menaxhimin përmes teknologjisë të ndërmarrjeve – të cilësdo përmasë.

Kështu lindi ideja për LACONICS – një boutique softuerësh të ndërtuar posaçëm për të zgjidhur problemet e sipërmarrjes, për të ridimensionuar tregun e ndërmarrjes shqiptare, një zgjidhje për dilemat vendim-marrëse, mbështetur mbi të dhëna të sakta dhe të studiuara mirë dhe një mbështetje për investimet e reja, duke u bërë pjesë e ekosistemit të startup-eve.

Si çdo punë që zbulon hapësirat e reja të vetes në proces, edhe LACONICS më ndihmoi të kuptoj se ne, jo vetëm mund të jemi një realitet kombëtar i sipërmarrjes, por mund të gjenerojmë një prani edhe ndërkombëtare – me ciklin e shërbimeve IT shumë të kërkuara.

Ajo që ne si kompani duhej të garantonim ishte cilësia. Ne zgjodhëm fjalën çelës dhe i qëndruam besnikë atij parimi të shenjtë në shërbime. Duke reflektuar përgjegjshmëri në kontrata, cilësi në produkt dhe një çmim të besueshëm dhe konkurues në bindëm realitete europiane të mëdha në sipërmarrje që të mbështeten tek ne.

Brenda të njëjtit vizion, unë zgjodha që përmes LACONICS t’i përgjigjem gjithashtu thirrjes sime të brendshme për të diversifikuar në investime. Kështu LACONICS u bë pjesmarrës në disa startup-e – kryesisht me origjinë të huaj – duke ofruar investimin e kërkuar në teknologji. Përmes kësaj zgjedhjeje ne jemi përfshirë sot në tregun e real estate në Angli apo në Edukim dhe Shëndet Digjital për Fëmijët përmes një zgjidhje mahnitëse me Inteligjencë Artificiale.

Lexo: Rregullat e reja të marketingut në kanalet moderne të komunikimit

Në këtë kuptim, LACONICS ofron në tregun vendas dhe të huaj shërbime të konsulencës, të zhvillimit, të mirëmbajtjes të softuerëve dhe të trajnimit të përdoruesve të tyre. LACONICS ofron identifikimin, shkrimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e zgjidhjeve komplekse teknologjike që zgjidhin problemet e sipërmarrjes – të çdo niveli dhe çdo industrie, përmes digjitalizimit, automatizimit dhe lehtësimit të shërbimeve, ofruar online dhe përmes instrumentesh gjithnjë e më të aksesueshëm në mënyra dhe kosto për të gjithë.

LACONICS ofron mbështetje për shoqëritë që kërkojnë të rrisin ekipet e tyre të IT-së, duke u ofruar grupeve të gatshme zhvilluesish të specializuar, të çdo niveli dhe teknologjie të kërkuar, të cilët udhëhiqen nga klienti ose në rast se klienti kërkon – drejtohen nga drejtues teknikë të LACONICS dhe raportojnë rregullisht tek klienti, duke punuar për të “remote”.

Pra, ne ofrojmë sipas kërkesës “Team Augmentation” përmes “Nearshoring” – për tregjet fqinjë si Italia etj, “Outsourcing” për distanca edhe më të largta dhe “Team as a Service” për këdo që është i interesuar të transferojë me ne një departament të brendshëm të kompanisë së tij.

LACONICS njëherësh ofron investim me teknologji në çdo startup që na bind për vlerën  investimit të kërkuar.

Brenda këtij kuptimi, LACONICS ka sot një numër produktesh të vetat, që mund të zhvillohen si startup-e të shkëputura (por që do të zotërohen nga shoqëria mëmë). Këto produkte përfshijnë një numër inovacionesh teknologjike, me përgjigje të avancuara për tregjet e synuar.

Kujt i drejtohet?

Ne nuk kemi preferenca në raport me tregjet. Eshtë e qartë se tregjet e huaja kanë një kuptim më të mirë të vlerës së këtij shërbimi krahasuar me SME-të shqiptare. Por njëherësh, SME-të shqiptare që ja dinë vlerën teknologjisë apo kanë vjelë tashmë frytet e një investimi të vogël fillestar, janë klientë të mrekullueshëm dhe të çmuar.

Ne besojmë se çdo kompani që synon të rritet – përpara se të zgjerojë tregjet e saj, duke të rrisë kapacitetet menaxhuese dhe efiçencën. Kjo bëhet sot përmes teknologjisë.

Ndërmarrjet e mëdha nga ana e tyre kanë një domosdoshmëri: ato mbijetojnë dhe fuqizohen vetëm përmes rritjes së produktivitetit. Ky hap ka vetëm një premisë kushtëzuese: teknologjinë e përdorur në process. Pa teknologji dhe menaxhim të dhënash nuk ka as indikatorë të besueshëm të performancës, as vendim-marrje të arsyetuar.

A doni të përmirësoni menaxhimin e të ardhurave dhe funksionimin financiar? Asgjë nuk ju vlen më shumë se teknologjia.

A doni të siguroni se burimet njerëzore janë në nivelin e kërkuar? A doni të krijoni kanale të reja të ndërveprimit me klientelën për të pararendur problemet dhe për të pasur një CRM apo after-sales të besueshëm? Përgjigja është po ajo: Teknologjia!

Nëse dikush duhet të investojë për diçka – asetet fizike sot renditen të dytat për nga rëndësia.

Jo rastësisht kompanitë më të mëdha të globit janë kompanitë e teknologjisë.

Ne sot i drejtohemi edhe sektorit publik, i cili paralelisht me atë privat ka nevojë të rrisë kapacitetet në teknologji, të përmirësojë shërbimet, të menaxhojë më mirë së brendshmi burimet dhe detyrat duke rritur efiçencën dhe reputacionin në shërbimet publike.

Në ç‘fazë jeni tani dhe cili është tregu juaj i arrirë dhe tregu i synuar?

Tregu ynë i arrirë është ai i synuar. Dhe anasjelltas.

Ne jemi sot të pranishëm me klientë në Austri, Gjermani, Itali. Kemi zhvilluar me shumë sukses projekte në Zvicër. Jemi aktivë në Portugali dhe gjithashtu në Angli.

Sigurisht jemi në Shqipëri dhe me besim po shohim drejt tregjeve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Jemi të pranishëm me përfaqësues të autorizuar të LACONICS në një numër edhe më të madh vendesh, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe vendet Nordike.

Po mendojmë të zhvillojmë një rrjet kompanish (filiale të kompanisë) në vendet e BE-së, për të gjeneruar një përfshirje më të mirë në tregjet ku kemi një prani.

Siç e thashë më lart, ne kemi zhvilluar (të paktën deri në nivelin e MVP) një numër produktesh të kompanisë. Disa prej tyre po hyjnë në shfrytëzim përmes klientëve të ndryshëm.

Sektorët tanë të ekselencës përfshijnë:

Në sektorin privat:

Bankë dhe financë, industrinë e makinave (përfshi mjedisin e EV), shërbime postare dhe menaxhim logjistik (përfshi tracking online), tregun e pronave të paluajtshme në një format të ri të marketplace, turizmin – përfshi atë kulturor dhe të eventeve (produkt i LACONICS), zgjidhje menaxheriale të njësive të tregtisë me pakicë dhe shumicë (Inventory Management përfshi menaxhim financiar dhe njerëzor të njësisë), bujqësinë dhe menaxhimin e tregtisë së produkteve bujqësore, menaxhim të përmbajtjes mediatike dhe transmetimet online (streaming), etj.

Në sektorin publik, brenda dhe jashtë vendit ne kemi shërbyer:

Arsim digjital në rrafshin kombëtar në Austri, autoritete vendore në fushën e menaxhimit financiar e fiskal, ndërmarrje shërbimesh si ujësjellës-kanalizime, Porte të nivelit kombëtar, etj.

Ndërkohë po gjykojmë të zhvillojmë një numër produktesh të reja në fushën e menaxhimit të resorteve të mëdha turistike – brenda dhe jashtë vendit, duke krijuar për herë të parë një përvojë digjitale në menaxhimin e pronave luksoze dhe në faktorizimin e rolit të palëve për një feedback të drejtpërdrejtë nga klienti i cilësisë së lartë. Ky produkt besoj se do t’i shtojë shumë vlerë turizmit në Shqipëri.

Në kornizën e fushave më sensitive si siguria, emergjencat civile dhe mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore dhe jo vetëm, LACONICS ka ndërtuar një plan të qartë ndërhyrjeje dhe po zhvillon projekte konkrete me partnerë të huaj për të krijuar një praktikë të re digjitale që mbron të gjitha shtresat, veçmas gratë, vajzat, fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa fuqizon komunitetet me shprehi dhe përgjigje të reja që orientojnë një kohezion social më të mirë.

Cila është skuadra që po punon dhe çfarë synoni në të ardhmen afatmesme të realizoni?

Kur dikush thotë kompania, unë mendoj njerëz. Në këtë rast edhe LACONICS është një ekip njerëzish që sjellin perspektiva të çmuara në departamentin ku shërbejnë. Kështu, Ing. Fjorelo Serjani është drejtuesi teknik i kompanisë. Përvoja e tij me kompani të huaja më herët ka ofruar një pjekuri të rëndësishme teknike dhe emotive, si dhe një vizion sektorial të kthjellët që ne e kemi mbështetur.

Alban Bala drejton rritjen e kompanisë dhe udhëheq zhvillimin tonë në tregje të reja dhe në konceptin strategjik të rritjes. Në sytë e tij LACONICS është shpejt një Holding që do të ketë kompanitë e veta të specializuara, të ndara dhe që ndërveprojnë sipas tregjesh parësore për secilën – me një fuqi të shtuar që nis nga pasuria jonë më e madhe: zhvilluesit e rinj shqiptarë.

Megi Xhepo, e cila ka mbaruar një master në Zaragoza në Spanjë, ka menaxhuar deri më tani kërkesën për burime të reja njerëzore.

Një ekip i tërë me mëse 9 zhvillues senior ( shumica prej tyre ka mes 10-13 vjet përvojë) drejtojnë projektet tona dhe ngrejnë në senioritet të rinjtë që ne përfshijmë vazhdimisht në cikle internship.

Për më shumë, LACONICS ka mbyllur marrëveshje me të paktën 5 universitete shqiptare për të përthithur prej tyre ajkën e studentëve, në teknologji, por jo vetëm.

Në aspektin e rrethit të Partnerëve të Autorizuar në botë LACONICS ka çdo arsye të ndjehet krenar.

A keni pasur mbështetje për startupin?

Për dy projekte kemi gjetur mbështetje tek programet e ndihmës nga qeveria shqiptare. I fundit ishte fondi i Ministrisë së Sipërmarrjes për Startup- et që njohu vlerën e një aplikimi tonë.

Projektin e parë me të cilin gjetëm mbështetje do ta fusim në treg prej vjeshtës së këtij viti, besoj. Ai është një produkt i dedikuara për turizmin kulturor.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0