Diamanti i dytë më i madh në botë – një gur i papërpunuar me peshë 2,492 karat – është zbuluar në Botsvana në një minierë të zotëruar nga firma kanadeze Lucara Diamond. Ky është zbulimi më i madh që nga diamanti Cullinan me peshë 3,106 karat, i gjetur në Afrikën e Jugut në vitin 1905 dhe i prerë në nëntë gurë të veçantë, shumë prej të cilëve janë pjesë e Xhevahireve të Kurorës Britanike.
Diamanti është gjetur në minierën Karowe, rreth 500 kilometra në veri të kryeqytetit të Botsvanës, Gaborone. Qeveria e Botsvanës tha se ky ishte diamanti më i madh i zbuluar ndonjëherë në shtetin jugor të Afrikës. Zbulimi më i madh i mëparshëm në Botsvana ishte një gur me peshë 1,758 karat, i gjetur në të njëjtën minierë në vitin 2019.
Botsvana është një nga prodhuesit më të mëdhenj të diamanteve në botë, duke përfaqësuar rreth 20% të prodhimit global. Në një deklaratë, Lucara tha se guri ishte “një nga diamantet më të mëdha të papërpunuara ndonjëherë të zbuluara”.
“Jemi të entuziazmuar për zbulimin e këtij diamanti të jashtëzakonshëm me peshë 2,492 karat,” tha kreu i Lucara-s, William Lamb. Firma nuk dha detaje mbi cilësinë e gurit apo vlerën e tij.
Diamanti u zbulua duke përdorur teknologjinë Mega Diamond Recovery X-ray të Lucara-s, tha z.Lamb. Kjo teknologji përdoret që nga viti 2017 për të zbuluar dhe ruajtur diamantet me vlerë të lartë që të mos thyhen gjatë proceseve të shtrydhjes së mineralit, sipas publikimit Miningmx.
Lucara ka 100% pronësinë e minierës në Karowe. Qeveria e Botsvanës ka propozuar një ligj që do t’u kërkojë kompanive, pasi të kenë marrë një licencë për minierë, të shesin një pjesë prej 24% firmave lokale nëse qeveria nuk ushtron opsionin e saj për t’u bërë aksionare, raportoi muajin e kaluar agjencia e lajmeve Reuters.