Gjatë muajit qershor të këtij viti, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar një rritje të jashtëzakonshme në numrin e pasagjerëve, duke arritur një shifër rekord prej 1,067,405 pasagjerësh. Kjo shifër tejkalon numrin e pasagjerëve të qershorit të vitit të kaluar, që ishte 667,521, shënuar një rritje impresionuese prej 61.6% nga viti në vit.
Në periudhën nga janari deri në qershor 2024, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pritur gjithsej 4,790,368 pasagjerë, krahasuar me 2,894,358 pasagjerë gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023, për një rritje prej 65%. Këto shifrë tregojnë një zhvillim të shpejtë të trafikut ajror në kryeqytetin shqiptar dhe rritjen e ndjeshme të preferencave të udhëtarëve për të përdorur Aeroportin e Tiranës për udhëtime në destinacione të ndryshme kryesisht në Evropë dhe më tej.
“Tejkalimi i 1 milion pasagjerëve dhe realizimi i mbi 5850 lëvizjeve avionësh në një muaj të vetëm nuk është vetëm dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të të gjithë punonjësve dhe profesionistëve të TIA-s, por vërteton se investimet e konsiderueshme në infrastrukturat ajrore, zgjerimin e terminalit dhe përmirësimin e sigurisë po sjellin frutat e pritshme. Ne në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës jemi të përkushtuar për të siguruar standardet më të larta të shërbimit dhe të mbajmë përherë në fokus rregulloret e sigurisë nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar,” tha Piervittorio Farabbi, Drejtori Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Në fund, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shtuar numrin e destinacioneve për udhëtarët, duke përfshirë një gamë të gjerë qytetesh në Europë dhe jashtë saj. Nga shtimi i destinacioneve të reja si Nisa në Francë, Rodhos dhe Heraklion në Greqi, Barcelona dhe Valencia në Spanjë, Bukureshti në Rumani, deri te destinacionet e njohura si Bodrum, Antalia dhe Stambolli në Turqi, si dhe Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vazhdon të rrisë opsionet për udhëtarët që kërkojnë mundësi të zgjeruara të udhëtimit.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto