Me hidhërim të thellë njoftojmë se në moshën 88-vjeçare, ka ndërruar jetë shkrimtari i madh Ismail Kadare. Një ikonë e letërsisë shqiptare, ai na ka lënë trashëgimi të jashtëzakonshme që ka prekur zemrat e lexuesve anembanë botës. Shkrimet e tij janë një pasqyrë e historisë dhe kulturës sonë, duke na krenuar dhe prezantuar me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ai fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit Enver Hoxha. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. Romani u vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, zoti Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, ndërsa vitet e fundit u rikthye në Tiranë. Më 17 tetor 2023, shkrimtarit të madh shqiptar iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë.Kadare ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.
Qofsh i parajsës, Kadare! Faleminderit për gjithçka që na dhurove, për çdo faqe që na frymëzoi dhe për çdo histori që na lidhi më fort me rrënjët tona. Do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona dhe në rreshtat e pavdekshëm të librave të tu.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.