Sa e mirë është inteligjenca artificiale në zgjidhjen e atyre problemeve të ndërlidhura ndërpersonale që mund të tensionojnë marrëdhëniet tona? David Robson vë në provë “arsyetimin e mençur” të chatbots.
Ka një varg pyetjesh që i drejtohen inteligjencës artificiale rreth problemeve personale që mund të kenë individë të ndryshëm. Si për shembull: “Çfarë duhet të bëjmë kur një çift përpiqet të na tërheqë në debatet e tyre?, A është e justifikueshme sjellja e tij?, Si të veproj ndaj reagimeve që marr?”, e shumë të tjera.
Disa nga këto probleme mund të duken të parëndësishme mes sfidave me të cilat përballet bota sot, por ato përfaqësojnë llojet e dilemave me të cilat të gjithë përballen në jetën e përditshme. Dhe ato nuk janë aspak të lehta për t’u zgjidhur. Secila palë lufton për të parë perspektivën e tjetrës, shpesh bëhen supozime të gabuara dhe dështojnë të llogarisin paragjykimet që mund të jenë. Rezultati i gjykimit të dobët të gjithësecilit mund të jetë një burim serioz stresi dhe pakënaqësie që zgjat për muaj apo edhe vite pasi të ketë ndodhur ngjarja. Kapaciteti juaj për të lundruar në këto telashe nuk kapet në testet standarde të inteligjencës, por hulumtimet e fundit mbi “arsyetimin e mençur” sugjerojnë se ai mund të matet në mënyrë të besueshme dhe dallimet midis dy njerëzve mund të kenë pasoja serioze për mirëqenien e tyre përkatëse.
David Robson, ka realizuar kërkimet e tij, nëse inteligjenca artificiale, në formën e modeleve të mëdha gjuhësore, si ChatGTP, mund të sigurojë një pjesë të mençurisë që na mungon. Duke qenë se ka shkruar gjerësisht për inteligjencën njerëzore, vendimmarrjen dhe arsyetimin social, ka pasur dyshime se përgjigjja do të ishte një jo e fortë, por ka mbetur i surprizuar.
Fuqia e papërpunuar e trurit
Pyetja se si të matet kapaciteti i mendjes njerëzore ka pushtuar psikologët që në ditët më të hershme të disiplinës. Në fillim të shekullit të 20-të, Alfred Binet dhe Théodore Simon hartuan një seri testesh për të gjurmuar zhvillimin intelektual të një fëmije gjatë shkollës. Psikologu mund të recitojë një varg numrash dhe t’i kërkojë fëmijës t’ia përsërisë atë, gjë që mund të vlerësojë kujtesën afatshkurtër. Ose mund t’u jepen tre fjalë dhe t’u kërkohet të formojnë një fjali duke përdorur fjalorin, një shenjë e aftësisë së tyre verbale. Disa vite më vonë, psikologu amerikan, Lewis Terman, përktheu dhe zgjeroi këto teste për të përfshirë artikuj për fëmijët më të rritur, të tillë si, “Nëse dy lapsa kushtojnë pesë cent, sa lapsa mund të blini për 50 cent?”. Ai gjithashtu ndryshoi mënyrën e shprehjes së rezultateve. Duke qenë se fëmijët më të mëdhenj në përgjithësi do të dilnin më mirë se fëmijët më të vegjël, ai krijoi tabela të rezultateve mesatare për çdo grupmoshë. Krahasimi i rezultatit të fëmijës me këto mesatare mundësoi të përcaktoni moshën e tij mendore, të cilën më pas e ndani me moshën e tyre kronologjike dhe e shumëzoni me 100 për të gjetur “koeficientin e inteligjencës” ose IQ-në e tyre. Një fëmijë 10 vjeç, i cili shënoi të njëjtat rezultate si mesatarja e 15-vjeçarit, kishte një IQ prej 150, për shembull. IQ-të priren të ndjekin shpërndarjen e një “lakoreje zile”, me IQ-të e shumicës së njerëzve që bien rreth mesatares së 100, dhe shumë më pak që arrijnë të dyja ekstremet. Për shembull, sipas mostrës së referencës për “Shkallën e Inteligjencës së të Rriturve Wechsler” (WAIS), e cila aktualisht është testi më i zakonshëm i IQ-së, vetëm 10% e njerëzve kanë një IQ më të lartë se 120. Identifikimi se ku bie aftësia njohëse e dikujt në kurba normale është tani mjeti kryesor për llogaritjen e IQ-së së tyre.
Nuk ka dyshim se IQ mund të parashikojë disa rezultate të rëndësishme në jetë. Fuqia parashikuese e IQ-së në fusha të tjera është objekt debati, duke bërë që disa shkencëtarë të propozojnë masa të ndryshme alternative të aftësive specifike si kreativiteti, vendimmarrja racionale dhe të menduarit kritik që mund të priremi t’i lidhim me inteligjencën e përgjithshme.
Disa psikologë kanë filluar të hetojnë nëse mund të matet mençuria e njerëzve, gjykimi i mirë që duhet të lejojë të merren vendime më të mira gjatë gjithë jetës. Duke parë historinë e filozofisë, Igor Grossmann në Universitetin e Waterloo-s në Kanada fillimisht identifikoi “dimensionet” e ndryshme të arsyetimit të mençur: njohja e kufijve të njohurive tona, identifikimi i mundësisë për ndryshim, shqyrtimi i këndvështrimeve të shumta, kërkimi i kompromisit dhe kërkimi. Në eksperimente të ndryshme, Grossmann dhe kolegët e tij u kërkuan pjesëmarrësve të mendonin me zë të lartë për dilemat e ndryshme sociale ose politike, ndërsa psikologët i vlerësuan ato në secilën prej këtyre “dimensioneve”.
Siç mund të shpresoni, mençuria e njerëzve duket se rritet me përvojën e jetës, një 50-vjeçar i zhytur në mendime do të jetë më i urtë se një 20-vjeçar kokënxehtë, megjithëse kjo varet edhe nga kultura. Një bashkëpunim ndërkombëtar zbuloi se rezultatet e arsyetimit të mençur në Japoni priren të jenë po aq të larta në mosha të ndryshme. Kjo mund të jetë për shkak të dallimeve në sistemin e tyre arsimor, i cili mund të jetë më efektiv në inkurajimin e cilësive të tilla si përulësia intelektuale. Mençuria mund të varet nga konteksti, njerëzit priren të jenë më të mençur kur arsyetojnë për problemet e njerëzve të tjerë sesa për problemet e tyre. Për fat të mirë, ky defiçit mund të rregullohet duke përdorur disa strategji psikologjike. Kur njerëzit imagjinojnë të diskutojnë problemin e tyre nga këndvështrimi i një vëzhguesi objektiv, ata priren të marrin në konsideratë më shumë perspektiva dhe të demonstrojnë përulësi më të madhe intelektuale.
Deri më tani, të gjitha këto eksperimente janë kryer në trurin e njeriut. Por, a mund të tregojë inteligjenca artificiale mençuri? Platformat si ChatGPT quhen modele të mëdha gjuhësore, të cilat janë ushqyer me vëllime të mëdha teksti për të parashikuar se si një njeri do t’i përgjigjet një kërkese të veçantë. Reagime të mëtejshme nga përdoruesit e vërtetë njerëzorë kanë ndihmuar në përsosjen e algoritmeve. Algoritmet sigurisht performojnë mirë në masat tradicionale të inteligjencës. Në vitin 2023, psikologia e vlerësimit, Eka Roivainen, e Spitalit Universitar Oulu në Finlandë, kohët e fundit ka ushqyer pyetjet ChatGPT nga WAIS, me komponentë mbi fjalorin, njohuritë e përgjithshme, aritmetikën, arsyetimin abstrakt dhe formimin e konceptit. Ai shënoi 155, që, për një njeri, është më i lartë se 99.9% e testuesve. Kur raportoi rezultatet e tij në Scientific American, Roivainen rrëfeu se ai nuk shënoi aq shumë sa chatbot.
Në një rast studimor, ndaj ChatGPT, është marrë një shembull i një letre nga një grua e e sapo martuar, e cila debaton me burrin e saj para gjumit.
Chatbot është shprehur se problemi është një çështje e zakonshme në shumë marrëdhënie, dhe shpesh kërkon bisedë të hapur dhe madje edhe ndihmë nga jashtë për ta zgjidhur.
“Rezultati përfundimtar i këtij konflikti varet nga sa mirë të dy partnerët janë në gjendje të komunikojnë dhe respektojnë nevojat e njëri-tjetrit. Nëse ata arrijnë të krijojnë një mirëkuptim dhe respekt për preferencat e njëri-tjetrit, ata mund të bashkëjetojnë të lumtur. Megjithatë, nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë , mund të çojë në konflikt të vazhdueshëm, pakënaqësi dhe potencialisht të dëmtojë marrëdhënien në afat të gjatë”.
GPT4 rekomandon çiftin të ketë një diskutim të hapur dhe të sinqertë rreth pritshmërive, nevojave dhe kufijve të tyre.
Përgjigja e chatbot-it shënoi dy nga tre pikë të mundshme në dimensionet që njohin mundësinë e ndryshimit, kërkimin për kompromis dhe parashikimin e zgjidhjes së konfliktit. Megjithatë, nuk tregoi shumë përulësi intelektuale apo konsideratë të këndvështrimeve të ndryshme, duke shënuar zero për secilën. Për të nxjerrë konkluzione të sigurta, do të duhet të përshkallëzohet eksperimenti, me më shumë prova si të njerëzve ashtu edhe të chatbot-eve duke përdorur saktësisht të njëjtat udhëzime, por kjo performancë është afërsisht në të njëjtin nivel me rezultatet e një truri prej mishi e gjaku.
“Në përgjithësi, më duket se sistemet mund të perceptohen se funksionojnë më mirë se njerëzit në një sërë dimensionesh, përveç përulësisë intelektuale,” thotë Grossmann.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.