Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend disa ndryshime në Ligjin për Sigurinë Kibernetike, i cili shton një seri detyrimesh të cilat duhet të përmbushen nga kompanitë private. Mes tyre, është detyrimi i kompanive pkrijimin e një sistemi rezervë serverash ku të transmetohen të dhënat dhe operacionet në rast sulmesh.
Projektligji parashikon zgjerim të kompetencave të Autoritetit përgjegjës për sigurinë kibernetike, përcaktim të qartë të strukturave përgjegjëse për sigurinë nga sulmet si dhe rolet dhe kompetencat e tyre. Gjithashtu projektligji do të syonjë forcimin e detyrimeve të operatorëve të infrastrukturave të informacionit si dhe të masave të sigurisë kibernetike, trajtimi i gjendjes së situatave emergjente, krizës kibernetike si dhe përcaktimi i strukturave përkatëse për menaxhimin e tyre, rregullimi i certifikimit të sigurisë kibernetike.
Gjithashtu, do të ndërhyhet edhe në mënyrën e përcaktimit të rregullave dhe formave te vetëdeklarimit, si dhe procedurave për pajisjen me autorizimin e përmbushjes së standardeve e sigurisë elektronike. Bazuar në Ligjin e vitit 2023 “Për qeverisjen elektronike”, zhvilluesi i një sistemi në fushën TIK (autoritet publik apo subjekt privat qoftë) parashikohet të sigurojë që sistemet e teknologjisë së informacionit ta përpunojnë informacionin në mënyrë që të garantohet efikasiteti i ofrimit të shërbimeve; të evidentojë sistemet ose pjesët e sistemeve, të cilat janë kritike për ofrimin e shërbimit 24 orë në 7 ditë të javës dhe të ketë plane të dokumentuara për menaxhimin e riskut, teknikat e menaxhimit dhe të vlerësimit të performancës së tij.
Me qëllim garantimin e mirëfunksionimit të këtyre teknikave të menaxhimit të riskut, institucioni kryen auditime të brendshme; identifikon të dhënat parësore dhe të dhëna të tjera, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e sistemit të tij të teknologjisë së informacionit.
Njëkohësisht, bizneset duhet të njohin pajisjet e veçanta (hardware) dhe varësinë që sistemi, të dhënat dhe shërbimet kanë ndaj tyre. Me ndryshimet, merren masa që dështimi i njërës prej këtyre pajisjeve të mos ndikojë në funksionimin e sistemit të teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve të ofruara. Ndryshimi kryesor është ai që detyron subjektet të marrin masa që të dhënat, të cilat do të ruhen me qëllim rivendosjen e sistemeve dhe të shërbimeve në punë, të sigurohen në një vendndodhje fizike dytësore e ndryshme nga ajo në të cilën ndodhen sistemet dhe të dhënat e institucionit gjatë veprimtarisë normale të tij.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.