TOP 10 intervistat më të lexuara në Businessmag për vitin 2023! - Business Magazine Albania

TOP 10 intervistat më të lexuara në Businessmag për vitin 2023!

Po vjen fundi i vitit dhe BusinessMag si çdo vit analizon personazhet që kanë lënë një impakt me historitë e tyre si dhe intervistat që ka realizuar me individë, biznese, startup-e, sipërmarrës të ndryshëm. Historitë e suksesit për shqiptarët kudo ku janë të pafund dhe ne jemi të lumtur që përcjellim këto histori në revistën tonë, të cilët me punë, vullnet dhe dashuri kanë arritur atë që për të tjerët ndoshta duket e pamundur. Modele suksesi dhe motivuese vijnë në këtë artikull të përmbledhur nga BusinessMag Albania.

Më poshtë ju sjellim 10 intervistat e realizuara këtë vit nga Businessmag, të cilat janë lexuar dhe ndarë më shumë në mediat sociale dhe në platforma të tjera.

Marjana ka studiuar Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe ëndrra e saj si studente ishte të prekte dyert e diplomacisë perëndimore. Por, dashuria e saj ndaj traditës dhe kulturës së rajonit nga vjen, e lidhi më shumë me kthimin në Shqipëri, pranë tokës së të parëve. Familja e saj ka punuar në turizëm, kryesisht turizmin ujor, në liqen. “Un jam ma e dashurume me tokën e me malin, se sa me ujin. Un doja rranjët, doja me hedhë rranjë ma shumë, aty ku kam rranjë prej shekujsh. Atë që asht e aftë me ba toka, un e quej alkimi. Jam akoma në zbulim të k’saj alkimie t’bukur”, thotë ajo në një intervistë për Businessmag.

Lexo:Marjana Koçeku, vajza që po shkon larg, duke qëndruar në kullën e saj

Në një botë ku inovacioni dhe qëllimi ndryshojnë lojën, historia e sipërmarrësit të biçikletave elektrike, Sadi Lika, na ofron një dritë shpresë dhe frymëzim për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të bëjnë ndryshime pozitive. Sadi e nisi me shërbimin postar me biçikleta, kur të gjithë rendnin drejt motorrëve. Por, ai shkoi më tej, duke u angazhuar në programe të ndryshme, deri sa solli biçikletat elektrike. Kjo intervistë jep një pamje të thellë në rrugën drejt suksesit të kompanisë “LikSad e-Bike” dhe ofron këshilla të vlefshme për ata që duan të ndjekin rrugën e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Lexo:“LikSad e-Bike”: Përvoja e tij në botën e biçikletave elektrike

Të gjithë kemi pasur mundësi të shikojmë pranë qendrës se qytetit të Tiranës një autobuz të branduar me Tradita.al. Ishte kurioziteti i cili na shtyu të kontaktonim me themeluesen e saj dhe ta pyesnim më tepër për këtë brand, të cilin e shohin çdo ditë me qindra e mijëra turistë dhe qytetarë vendas. Tradita.al, e themeluar nga znj.Edlira Sula, krahas realizimit dhe shitjes së veshjeve popullore, synon edukimin dhe ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë kulturore dhe folklorike kombëtare në formën e prodhimeve artizanale si, kostume popullore dhe dekore të ndryshme.

Lexo:Jeto dhe Vishu me Traditë! Edlira Sula, një kontributore në ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Një rrugëtim i frymëzuar nga traditat, pasioni për ëmbëlsirat organike dhe dëshira për të përkrahur komunitetin lokal, historia e “Jo Vetëm Neps” është një udhëtim emocionues që i fton njerëzit të shijojnë shije të shëndetshme në një mënyrë inovative. Ndërthurja e traditave shqiptare në kuzhinën e tyre dhe përkushtimi për të krijuar produkte të veçanta është thelbi i suksesit. Një mision i qartë për të ofruar një gamë të gjerë të embëlsirave vegane, hipoalergjenike dhe të prodhuara me kujdes është sfida që ata kanë përballur me guxim dhe pasion.

Lexo: “Jo Vetëm Neps”: Historia e pasionit për ëmbëlsirat dhe nismat sociale

Nëse nuk e keni parë në sheshet e qytetit, mund ta keni parë në Instagram. Nëse jo, është ky rasti për t’ju folur për një profesionist që bie në sy për mënyrën si ka zgjedhur ta zhvillojë pasionin dhe biznesin e tij. Brian Hoxha fotografon njerëz të panjohur në rrugë. Persona të ndryshëm, me jetë të ndryshme bëhen pjesë e fokusit të tij. Pasioni i tij për fotografinë ka nisur që i vogël, trashëguar nga babai i tij. Ai sot është freelance “fotograf me kohë të plotë”, pasi ka bërë një rrugëtim studimesh në inxhineri dhe biznes.

Lexo: Brian Hoxha, fotografi që u vu në objektivin tonë

Sipërmarrësi Samir Mane ishte pjesë e Web Summit. Gjatë samitit ai takoi të gjithë pjesëmarrësit shqiptarë, ku dha mesazhet dhe këndvështrimin e tij për qasjen ndaj teknologjisë. Më poshtë ju sjellim një intervistë me z. Mane.

Lexo: Samir Mane, përdorimi i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë suksesin apo dështimin e një biznesi

Në një bisedë me Anin, krijuesin në mediat sociale me pseudonimin “Super Sajani,” shohim rrugën e tij drejt influencës digjitale dhe animacionit. Nga dëshira e tij për të ndihmuar të rinjtë shqiptarë të mësojnë rreth teknologjisë dhe rrjeteve sociale, deri te sfidat në krijimin e përmbajtjes së cilësisë së lartë, Ani na sjell perspektivën e tij të frymëzimit dhe zhvillimit të karrierës në botën e animacionit dhe artit digjital.

Lexo:Super Sajani- Pasion për artin digjital dhe frymëzim për brezin e ri

Eranda Shuaipi sjell në tregun shqiptar suplementet ushqimore, me brandin 100% shqiptar BETTER.ME. Një hap që vjen pas shumë vitesh përvojë, njohëse e produktit, si në prodhim për kompani dhe tregje të huaja, edhe në konsum, si një sportiste profesioniste se bashku me partnerin e saj në biznes.

Lexo:Një brand tërësisht shqiptar për suplementet ushqimore. Intervistë me Eranda Shuaipi, themeluese e Better.me

Ergisa Bejkollari nuk është studentja tipike shqiptare jashtë vendit. Me studime dhe një karierrë shumëdimensionale në Shqipëri, nga gazetaria në telekomunikacion, pasioni i vërtetë i saj mbetet ekonomia.Pasionin vendosi ta ndjekë me një specializim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Ergisa ka arritur që në Universitetin e Vanderbilt ku studion, të punësohet edhe si asistent-profesoreshë, në lëndët Mikro dhe Makroekonomi, një privilegj për një studente shqiptare. Edhe pse përtej oqeanit, Ergisa sërish mendon për vendin e saj, për rikthimin në të dhe për kontributin që dëshiron t’i japë zhvillimit të vendit tashmë bashkë me eksperiencën amerikane nga pas.

Lexo:“Qëndro gjithmonë i uritur”. Ergisa Bejkollari, nga sfida në sfidë: Shqipëria e së ardhmes, nevojë për një mentalitet të ri

Ajo është vetëm në vitin e tretë bachelor, por ka arritur të sigurojë akses në fushën kërkimore, falë etjes dhe interesit të saj për biologjinë molekulare. Rezultatet e mira në studime e kanë mundësuar të futet në laboratorë dhe të asistojë profesorë me emër. Kërkimet ku është angazhuar lidhen me kancerin e gjirit dhe riparimin e molekulës. Në një intervistë për Businessmag, ajo ndan përvojën, rrugëtimin dhe pasionin për biologjinë molekulare.

Lexo:Esma Fera, studentja premtuese e biologjisë molekulare

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0