Shkruar nga Nadia Elbasani
Zhurma e krijuar gjatë kësaj kohe e publikimeve të komunikimeve të aplikacionit “Sky Ecc”, ka ngritur një debat, i cili teorikisht ka dy kahe. Më shumë se sa një kureshtje për të lexuar komunikimet mes personave që kanë kryer aktivitete të paligjshme, debati duhej të fokusohej edhe në një pikë tjetër: Privatësia e komunikimeve apo siguria publike?
“Sky Ecc”, aplikacioni i mesazheve të enkriptuara, u prezantua si një zgjidhje për ata që dëshironin të komunikonin në mënyrë të sigurt dhe të mbronin privatësinë e tyre. Me një sistem të avancuar të enkriptimit/kodimit, aplikacioni premtoi të siguronte një nivel të lartë të sigurisë për përdoruesit e tij. Ky reklamimin që vinte nga vet “Sky Ecc”, shkaktoi interesimin e grupimeve të ndryshme, veçanërisht atyre të përfshira në fushën e krimit ndërkombëtar.
Niveli i sigurisë së “Sky Ecc” kishte një protokoll sigurie shtesë dhe përdorte metoda të avancuara të enkriptimit/kodimit. Kjo krijoi besueshmërinë se ky aplikacion, ndryshe nga platformat e tjera të komunikimeve online, do të ishte më i sigurt.
Njëkohësisht, autoritetet dhe agjencitë europiane të sigurisë filluan të shqetësohen për përdorimin e këtij aplikacioni në veprimtari kriminale. Një pjesë e madhe e përdoruesve të “Sky Ecc” ishin organizata kriminale që përfshiheshin në trafikim droge, dhe mungesa e mundësisë për të monitoruar komunikimet e tyre krijoi një sfidë më vete. Dekriptimi/çkodimi i mesazheve të këtij aplikacioni, ishte me interes për autoritetet shtetërore për monitorimin e aktiviteteve të paligjshme dhe për të parandaluar kërcënimet potenciale. Policia belge dhe hollandeze arritën të çkodonin mesazhet e këtij aplikacioni dhe të zbulonin në të një rrjet të gjerë komunikimesh mes grupeve kriminale. Pikërisht në këtë moment del në pah sfida e vazhdueshme për të gjetur një balancim midis të drejtës së individëve për privatësi dhe nevojës së autoriteteve për të parandaluar kriminalitetin përmes mbikëqyrjes së kominikimeve.
Kjo situatë, duke përkrahur aspektet pozitive të ruajtjes së sigurisë publike, ka sjellë një debat të gjerë rreth nevojës për rregullime më të forta në fushën e aplikacioneve të sigurisë dhe komunikimit. Autoritetet duhet të punojnë për të siguruar sigurinë publike pa shkelur të drejtat themelore të privatësisë, ndërsa teknologjitë e sigurisë duhet të jenë transparente dhe të respektojnë protokollet e sigurisë së miratuar më parë.
Diskutimet mbi transparencën dhe rregullat e qarta ligjore lidhur me përdorimin e të dhënave personale janë pjesë integrale e kësaj debati. Sidoqoftë, nuk mundet në asnjë rast që të pretendohet për një të drejtë privatësie absolute, në atë masë që pengon institucionet e drejtësisë të kryejnë detyrat e tyre funksionale në dobi të rendit publik. Për sa kohë institucionet përkatëse sigurohen që përmbajtja e bisedave të mos dalë lirisht në publik, autoritetet duhet të bëjnë maksimumin për të çkoduar aplikacione të kësaj natyre, deri në arritjen e një balance ligjore mes enkriptimit të bisedave dhe mbikëqyrjes së aktiveteteve të paligjshme në këto platforma komunikimi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.