Besoj se të gjithë tashmë jemi mësuar dhe biem dakort me shprehjen se “Ritmi i zhvillimit teknologjik në vitet e fundit, falë internetit dhe revolucionit dixhital është shumë herë më i shpejtë se revolucionet e mëparshme industriale”.
Revolucioni dixhital ka sjellë shumë përfitime për njerëzimin. Interneti është fenomen, i cili është kthyer në mjetin më të rëndësishëm në jetët tona me ndikimin e jashtëzakonshëm në krijimin e teknologjive të reja me burim idetë inovatore nga individë të apasionuar. Këto ide, janë kthyer në startupe e kompani, të cilat po dominojnë skenën botërore të biznesit dhe të cilat kanë vlerën e tyre të tregut, shpesh më të madhe se GDP-të e disa shteteve.
Ky revolucion, njëkohësisht ka sjellë një kërkesë të vazhdueshme dhe në rritje për qasje në internet nga e gjithë bota, për të krijuar shanse dhe mundësi të barabarta për çdo popull, në çdo cep të botës. Aktualisht, sipas Statista, në Prill të vitit 2023 kemi 5,18 miliardë përdorues interneti në të gjithe botën që përbëjnë rreth 64,6% të popullsisë globale.
Big Tech & Telco – Një Betejë Titanësh
Gjigandët e teknologjisë, të ashtuquajtura Big Tech, kanë në objektivat e tyre kryesore mbulimin me internet në çdo cep të globit. Nga kjo, kuptohet se nëpërmjet ofrimit të rrjetit (Internetit) tek sa më shumë njerëz do të thotë një treg më i madh ofrimi të shërbimeve të reja, gati magjike nga ana e tyre.
Mirëpo ndërkohë që ne shikojmë dhe mahnitemi nga funksionalitetet e reja nën kontrollin tonë, duhet të kuptojmë se të gjitha këto bëhen të mundura edhe me zhvillimin paralelisht të një infrastrukture të nevojshme fizike & dixhitale; që nis me shtrimin e rrjetit, fibrat optike, rritjen e fuqisë kompjuterike nëpërmjet procesorëve më të fuqishëm dhe transmetimit të shpejtë të të dhënave, rrjetit 5G, cloud computing etj.
Këto investime në infrastrukturë dhe rrjet kanë qenë prioritet për kompanitë e Telekomunikacionit të ashtuquajtura Telco. Kemi qenë dëshmitarë të evolucionit të internetit nëpërmjet të dhënave (data) nga shërbimet me internet 2G, e me pas 3G, 4G e tashmë drejt 5G apo 6G dhe garës së pandalshme nga kompanitë e telekomunikacionit në Shqipëri e rajon për ta përvetësuar i pari.
Një garë, për ta poseduar i pari. Pasi kjo nënkupton më shumë shpejtësi, më tepër fuqi transmetimi të dhënash, më tepër bandwidth dhe me shumë potencial për aplikime të reja, duke lehtësuar komunikimin dhe ndërveprimin mes shërbimeve që tashmë po kalojnë në Cloud.
Por me çfarë kosto?
Nderkohë që ne kërkojmë më shumë, më shpejt dhe pse jo më lirë, kompanitë Telco, kryesisht në Europë janë të shqetësuara se investimet në rritje nuk po përkthehen në të ardhura të mjaftueshme në bilancet e tyre.
Ritmi i evolucionit të tekonologjive të reja, pothuajse kërkon vazhdimisht “upgrade” të infrastrukturës në mënyrë të shpeshtë dhe pa lënë kohë të mjaftueshme (si një dekadë më përpara) që kostot e investimeve të ktheheshin në disa vite.
Rrjedhimisht, këto kompani në mënyrë që të vijojnë investimet e tyre janë duke kërkuar alternativa për të qenë të qëndrueshme. Ato kërkojnë që një pjesë të kostos ta ndajnë me konsumatorët më të mëdhenj të rrjetit, të cilët janë gjigandët Big Tech!
Koncepti Fair Share!
Sipas një raporti nga kompania kanadeze Sandvine, gjigandët e teknologjisë si Google, Netflix, Facebook, Microsoft, Apple dhe Amazon gjeneruan pothuajse gjysmën e trafikut në internet.
- Për këtë arsye, operatorët e telekomunikacionit kërkojnë që shërbimet që konsumojnë kaq shumë të dhëna (data) – të tilla si Tik Tok, Netflix apo YouTube – të paguajnë disa nga kostot për këto investime, pasi, sipas tyre këta janë përfituesit e mëdhenj.
- Për këtë kanë kërkuar ndihmën e Komisionit Europian, i cili ka kërkuar që të bëjnë një marrëveshje, ku e gjithë industria të kontribuojë në mënyrë proporcionale në kostot e të mirave publike, shërbimeve dhe infrastrukturës. Ky kontribut priret të ndikojë në objektivat e Bashkimit Europian për 2023 për të lidhur mbi 45 milionë qytetarë me rrjetin 5G.
- Nga ana tjetër, kjo përpjekje për një FairShare ka gjetur kundërshtimin e kompanive të teknologjisë, sepse sipas tyre kjo përbën një shkelje të parimit të Net Neutrality dhe diskriminon në thelb disa shërbime të caktuara online (ato që nuk munden të paguajnë do të kenë me pak akses në net?).
Ato komentojnë se lëvizje të tilla nuk sjellin përmirësim në akses por mund të sjellin shërbime të përkeqësuara – si për shembull video me cilësi me të ulët – të cilat shpenzojnë më pak hapësirë/ngarkesë në rrjet. Sipas Big Tech, ai që duket se mund të humbasë nga cilësia e shërbimeve do të jetë konsumatori.
Por a jemi gati si konsumatorë të ‘sakrifikojmë’ nga cilësia e shërbimeve?
Historia tregon të kundërtën.
Pretendimet e njerëzve me evolucionin e teknologjisë rriten po ashtu. Ne nuk mund të pranojmë të kemi internet të ngadaltë. Ne shqetësohemi kur një foto apo video vonon të qindtat e sekondit për t’u transmetuar nëpërmjet Whatsapp…apo e kemi të pamundur të pranojmë që të shohim video jo-cilësore të YouTube në ekranet e mëdha TV me megacilësi.
Alternativat dhe kërkesa jonë është gjithmonë për më shumë shpejtësi…një rrugë e pakthyeshme.
Si përfundim
Jemi në një betejë titanësh, për të ofruar shërbime tek konsumatori e cila, duke parë pushtetin dhe ndikimin e palëve pritet të zgjasë për vite apo dekada. Ndërkohë që kostoja e inovacionit “disruptiv” me këtë ritëm nuk është e lirë.
Dhe me kaq shumë inovacione, të përshpejtuara nga zhvillimet e teknologjisë, të cilat kanë nevojë të konsumojnë gjithmonë e më shumë të dhëna dhe rrjet, kostot financiare priren të rriten si për biznesin (konsumatori i madh) ashtu edhe për individin.
Ndërkohë që ky debat është i ndezur në Europë, SHBA e më gjerë, edhe në Shqipëri duhet të marrë rëndësinë e duhur dhe të merren masa paraprake. Ne si vend, sidomos në dritën e ngjarjeve të fundit e kemi treguar që jemi pjesë e një tregu të përbashkët dhe afektohemi menjëherë. Kjo u pa, se sa të ndikueshëm ishim nga rritja e kostove të lëndës së parë, karburanteve, të energjisë dhe të produkteve të tjera në tregun global përgjatë pandemisë apo nga lufta në Ukrainë.
Në të njëjtën mënyrë është brenda të arsyeshmes, që për sa kohë kemi çmime të rritura të energjisë apo të lëndëve të para thelbësore për investimet e reja, edhe industria në fjalë në Shqipëri mund dhe do të ketë inflacion dhe rritje të çmimeve.
Ndaj, në mungesë të një zgjidhje në afat të shkurtër të kësaj përplasje titanësh, ajo që duket e pashmangshme është që barra e kostos së inovacionit do të kalojë tek konsumatori final. Sa do të jetë kjo kosto dhe a do të jetë e përballueshme për xhepat e tyre, kjo mbetet ende për t’u parë.
Përgatiti: Gerti Boshnjaku – Themelues i Business Mag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.