Guvernatori Sejko në takim me FMN-në: Shqipëria ruajti stabilitetin financiar. Politika monetare uli inflacionin - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko në takim me FMN-në: Shqipëria ruajti stabilitetin financiar. Politika monetare uli inflacionin

Komitetit Monetar Financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se ecuria e ekonomisë globale përballet me pasiguri të shumta ndërsa rritje ekonomike mbetet e ndrydhur.

Sipas deklaratës së Komitetit Monetar Financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar lufta në Ukrainë po rëndon mbi rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin financiar

Parashikimi për ecurinë e ekonomisë globale përballet me pasiguri të shtuara. Deri më sot, ekonomia globale ia ka dalë të jetë rezistente, ndërsa pasojat makroekonomike më të rënda të parashikuara në vjeshtën e kaluar nuk janë materializuar. 

Megjithatë, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet i ndrydhur, ndërkohë që rreziqet e kahut të poshtëm janë rritur. 

Goditjet e njëpasnjëshme, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë – në kontekstin e shtrëngimit të politikës monetare, i nevojshëm për të ulur inflacionin – po rëndojnë mbi rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin makrofinanciar, ashtu siç treguan ngjarjet e fundit të stresit bankar dhe atij të tregut financiar”, theksohet në deklaratë.

Duke iu referuar inflacionit, FMN shpjegon se edhe pse ka rënie rritja e çmimeve vijon të jetë prezente. Sa i përket furnizimit me ushqime dhe energji po prekin më së shumti shtresat në nevojë.

“Inflacioni ka rënë disi, por presionet në rritje të çmimeve mbeten prezente. Dobësitë e lidhura me borxhin janë rritur, ndërsa pasiguritë në lidhje me furnizimin me ushqime dhe me energji ende vijojnë, duke prekur më së shumti vendet dhe shtresat më në nevojë.

Për më tepër, pabarazia po thellohet, goditjet klimatike kanë ardhur duke u forcuar dhe rreziqet e fragmentimit duke u rritur”, shkruhet më tej në deklaratë.

Deklarata e Komitetit Monetar Financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar është mbajtur në Uashington pas mbledhjes së Pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, ku ka marrë pjesë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Lexo edhe: Ekonomia u rrit me 4.84% në 2022-in. Ndikim kryesor ndërtimi dhe turizmi

Në këto mbledhje ku marrin pjesë guvernatorë të bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria u përfaqësua me një delegacion të përbashkët të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë,. Delina Ibrahimaj.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se ekonomia jonë i rezistoi mirë goditjeve të njëpasnjëshme nga tërmeti, pandemia dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, të cilat nisën gjatë vitit 2022 dhe vijojnë të jenë ende të pranishme.

Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Këto vendime për të rritur normën, kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionet më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit.

Interesit të përfaqësuesve të FMN-BB për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar ndaj falimentimeve të fundit të bankave në Amerikë dhe Evropë, Guvernatori Sejko iu përgjigj se Banka e Shqipërisë ka monitoruar nga afër tregjet ndërkombëtare dhe tregu shqiptar qëndron larg këtyre rreziqeve dhe për më tepër, provat e rezistencës dhe analizës të kryera, tregojnë se bankat e nivelit të dytë janë mjaft të shëndetshme. Por, sigurisht, Banka e Shqipërisë mbetet vigjilente për të garantuar respektimin e kritereve të rrezikut dhe normave mbikëqyrëse rregullatore.

Përsa i përket kreditimit të ekonomisë, Guvernatori shtoi se ai është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Sektori bankar ka vijuar të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi, me një rritje vjetore të kredisë prej mesatarisht 14% gjatë vitit 2022. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata pranuan se Shqipëria i ka kaluar mjaft mirë krizat e njëpasnjëshme, madje edhe më mirë nga sa ishte parashikuar dhe për këtë Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol vendimtar. Më tej, ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

Së fundi, ata theksuan se koordinimi i politikës monetare me politikën fiskale në Shqipëri dhe kahun e politikës monetare në Eurozonë dhe në botë mbetet i një rëndësie të veçantë. Konsolidimi fiskal dhe konvergjenca me politikën monetare në Eurozonë janë faktorë ndihmues në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin makroekonomik të vendit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0