Kosovë-Serbi: BE publikon marrëveshjen dhe planin e zbatimit - Business Magazine Albania

Kosovë-Serbi: BE publikon marrëveshjen dhe planin e zbatimit

Kosovë-Serbi

Pa vonesa: Aneksi i zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi që u arrit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut publikohet menjëherë nga BE.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se të dy vendet “janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat e propozimit evropian dhe se do t’i implementojnë të gjitha”. Bashkimi Evropian publikoi në formë të shkruar marrëveshjen/planin e zbatimit që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq.

1. Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.

3. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

4. Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

5. Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

6. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

7. Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

8. Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

9. Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

10. Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

11. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

DW

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0