Guvernatori Sejko në Mbledhjen e Konstituencës së FMN-së dhe BB-së: inflacioni në objektiv në gjysmën e parë 2024 - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko në Mbledhjen e Konstituencës së FMN-së dhe BB-së: inflacioni në objektiv në gjysmën e parë 2024

~4 minuta lexim

Në datën 10 mars 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në San Marino, Itali.

Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse. Më në veçanti, në fokus të kësaj mbledhjeje ishin sfidat e rimëkëmbjes post-COVID dhe tensionet gjeopolitike.

Në këtë mbledhje, Shqipëria përfaqësohej nga zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të kryesuar nga z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhe zj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka luajtur normalizimi i politikës monetare në kushtet e një inflacioni të lartë në vend. Inflacioni ka vijuar trendin rënës për të katërtin muaj radhazi dhe pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. “Banka e Shqipërisë monitoron me kujdes situatën duke vlerësuar të dhënat e reja, të cilat do të diktojnë shpejtësinë dhe intensitetin e normalizimit të politikës monetare”, tha Guvernatori. Ndërkohë, ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të mirë ndaj goditjeve të huaja të ofertës dhe shtrëngimit të kushteve monetare në vend dhe në botë dhe pritet të vijojë të rritet.

Përsa i përket tregjeve financiare, ato mbeten relativisht të qeta, edhe në prani të shtrëngimit global të kushteve të financimit dhe bilancet e sektorit bankar paraqiten të shëndetshme. Ndryshimet e normës bazë janë përcjellë kënaqshëm në tregun ndërbankar, ndërkohë që treguesit kryesorë të stabilitetit financiar pritet të mbeten në kontroll. Kredia për bizneset dhe familjet ka vijuar të rritet, ndonëse me ritme më të ngadalësuara.

Në përfundim, Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit të kësaj mbledhjeje. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë si autoriteti monetar i vendit mbetet e angazhuar të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të rritjes së qëndrueshme dhe forcimit të balancave kryesore makroekonomike në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit të tij në San Marino, Guvernatori Sejko dhe Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi zhvilluan një takim me përfaqësues të Bankës së Italisë, të fokusuar kryesisht në zhvillimet e sistemeve të pagesave, inovacionin në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe sfidat e lidhura me to. Banka e Shqipërisë synon modernizimin e mëtejshëm të sistemeve të pagesave për akomodimin e zhvillimeve në këtë fushë në mënyrë të sigurt dhe efikase.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Federico Giamusso.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Matteo Bugamelli.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0