Shkruar nga Nada Dosti, kontributore
Filmi i ri në Netflix, Shahmaran, risolli vëmëndjen tek legjenda jo shumë e njohur botërisht, të qënies mitologjike gjysëm grua e gjysëm gjarpër. Emër që vjen nga persishtja dhe që është bashkimi i fjalës “shah” mbret dhe “maran” gjarpër. Me fuqizimin e lobit që promovon ideologjinë feministe, e cila tashmë promovohet aq shumë saqë është kthyer në një mendësi, po fuqizohet edhe rrëfimtaria e mitologjisë dhe traditës popullore që promovon heroinat femra.
Dijmë se mitet dhe legjendat janë produkte të traditave dhe kulturave të ndryshme si përpjekje për të kuptuar fenomene të caktuara por edhe jetën në prgjithësi. Në këto rrëfime mund të gjinden shumë mesazhe të fshehura të cilat mund të jenë referencë për çështjet gjinore dhe mënyrën se si shihet dhe trajtohet gruaja në një shoqëri.
Legjenda e Shahmaranit, më së shumti është e përhapur në traditën dhe kulturën kurde, iraniane dhe të anadollit. Rrëfimi mbi Shahmaranin vjen në versione të ndryshme sipas kulturës përkatëse. Ndër këto versione mund të përmenden: “Unaza e Shah Maran, një tregim nga malet e Kurdistanit” nga Raphael Emmanuel, një tjetër version gjendet në përkthimin nga J.C. Mardrus të “Njëmijë e një netë” tek përralla e titulluar “Xhemilja, Sulltanesha e Nëntokës” si dhe “Unaza e Shah Maran, një tregim nga malet e Turqisë”.
Sipas legjendës, mijëra vjet më parë, ekzistonte një specie e veçantë gjarpërinjsh që jetonin nën tokë. Këta gjarpërinj, të quajtur Maran, ishin inteligjentë dhe jetonin në paqe. Mbretëresha e Maranëve quhej Shahmaran. Shahmaran ishte një grua e re e bukur. Legjenda thotë se Xhemshab ishte personi i parë që e pa Shahmaranë. Ai ishte djali i një familjeje të varfër që shiste dru për bukën e gojës. Një ditë, Xhemshabi dhe miqtë e tij zbuluan një shpellë plot me mjaltë. Shokët e tij, e zbritën Xhemshabin për të nxjerrë mjaltin. Xhemshabi pa një vrimë në shpellë dhe vuri re që prej saj depërtonte dritë. Duke e zmadhuar vrimën me një thikë në xhep, ai pa një kopsht më të bukur se sa kishte parë ndonjëherë në jetën e tij. Në këtë kopsht, ai pa lule unike, pishina dhe shumë gjarpërinj. Ai jetoi atje për shumë vite dhe fitoi besimin e Shahmaranit. Vite më vonë, ai tha se i mungonte familja e tij dhe iu lut të largohej. Shahmaran pranoi ta lironte me kusht që të premtonte se nuk do t’i tregonte askujt për vendin e saj. Xhemshabi i dha fjalën dhe shkoi të takonte familjen e tij. Për vite me radhë, ai e mbajti premtimin e tij për të mos i treguar askujt se ku ishte Shahmarani. Mirëpo një ditë u sëmur sulltani i vendit. Veziri tha se ilaçi për sëmundjen ishte ngrënia e mishit të Shahmaranit dhe lajmi u shpërnda kudo. Kur Xhemshabi iu tregoi vendndodhjen e pusit, Shahmaran u gjet dhe u nxor jashtë. Shahmarani i kërkoi të dashurit të saj të vepronte në këtë mënyrë: “Më vendos për zierje në një enë balte, jepja vezirit ekstraktin tim dhe ushqeje me mishin tim sulltanit, ndërsa ujin e dytë të zierjes pije vetë”. Kështu, veziri vdiq dhe sulltani u shërua dhe e bëri vezirin e tij Xhemshabin, i cili pas pirjes së ujit përvetësoi dije pafund dhe urtësi.
Në disa versione të tjera ekzistojnë edhe elementë dhe personazhe shtesë si përshembull Lilith, e cila në disa kultura të lashta, njihet si gruaja e parë, madje para Havasë, e krijuar prej dheut së bashku me Ademin.
Lexo: Të jesh sëmurë është histori e së shkuarës. Teknologjia nuk na lejon më ditë pushimi
Lilith, në legjendën tonë është motra e Shahmaranit, e cila pas vrasjes së saj përbetohet për hakmarrje. Një ditë, pas plotësimit të disa shenjave të Kijametit, do të fuqizohet dhe do të rikthehet në sipërfaqen e tokës për t’u hakmarrë ndaj rracës njerëzore dhe të gjitha zullumeve të tyre jo vetëm karshi gjarpërinjëve Mara por edhe natyrës në përgjithësi.
Mesazhet
Historia e Shahmaranit, qoftë filmit apo legjendës në origjinë, tregon se si njeriu tradhtoi lidhjen e tij me natyrën, duke shkaktuar vdekjen e krijesës që donte. Bëhet fjalë për një histori keqardhjeje dhe faji, dhe sipas legjendës, njerëzimi mund të shpaguaj veten vetëm nëse një njeri bie sërish në dashuri me natyrën, pra nëse fillon t’ia dijë vlerat dhe të përkujdeset për të. Megjithatë, në këtë rast, njeriu do të jetë ai që sakrifikon jetën për dashurinë.
Duke analizuar kuptimin e përgjithshëm të mitit, Shahmaran na jep një mësim për njerëzimin, natyrën dhe tradhtinë. Janë njerëzit fajtorët e vërtetë për mënyrën se si tradhtojnë natyrën dhe duhet të kërkojnë shpagim gjatë jetës së tyre. Me sakrifica të vogla të përditshme dhe kuptimplote, në emër të dashurisë për natyrën, ne mund të shpagojmë fajin tonë dhe të gjejmë lidhjen tonë të përtërirë me natyrën që na rrethon.
Mëgjithatë, sakrifica është tema kryesore në mitologjinë në fjalë. Jo një sakrificë e rëndomtë, por pikërisht sakrifica e një gruaje. E cila është e prirur të falë dashuri dhe besim të cilat këmbehen me tradhëti, me mosmbajtje fjale, deri në flijimin e saj. Pra është gruaja ajo që i vuan pasojat më së shumti, dhe ajo që duhet të sakrifikohet për një kauzë më madhore. Gruaja është ajo e cila përfundon viktimë e sistemit, e burrave në pushtet dhe me famë. Ajo sakrifikohet për tre burra të tjerë: vezirin, mbretin dhe i dashuri i saj. Ndoshta në këtë rast numri tre simbolizon edhe një numër në shumës dhe të tre këta karakterë simbolizojnë një person të dashur që mund të jetë partneri, veziri mund të simbolizojë një person më me shumë pushtet si vëllai, dhe mbreti babain. Personazhe në jetën reale që historikisht kanë pretenduar të kenë pushtet mbi gruan si bashkëshorte, motër dhe bijë.
Ky lloj mesazhi i koduar, na kujton përveçse disa dhjetra histori të tjera nga mitologjia greke, por veçanërisht një tjetër legjendë në trojet tona: Rozafati.
Legjenda e ç’koduar flet praktikisht për një burrë plak të urtë (i cili mund të simbolizojë ndër të tjera jo vetëm dije dhe eksperiencë jete por edhe partriakalizmin) takon tre djem të cilët ankohen se dëshirojnë të ndërtojnë një kështjellë për t’u mbrojtur nga armiqtë mirëpo ndërtojnë themlet ditën dhe iu prishen natën. Plaku iu sugjeron që duhet të sakrifikojnë pikërisht një grua (jo një fëmijë, jo një burrë, por një grua). Ai iu sugjeron gjithashtu që të mos e flasin sekretin e tyre me gratë por t’ia lënë këtë rastësisë: gruaja e parë që do vijë të nesërmen të sjellë ushqim për vëllezërit do të jetë ajo që do sakrifikohet dhe do muroset në themelet e kështjellës. Djemtë e mëdhenjë nuk e ruajnë sekretin, përveç të voglit, gruaja e cila merr përsipër t’iu çojë ushqim “trimave” pasi kunatat e saja gjejnë arsyetime. Kështu, Rozafati muroset, edhe pse nënë gjidhënëse, nuk ia kursyen jetën për hatër të foshnjes. Andaj, ajo pranon me kusht që gjysma e trupit t’i lihet jashtë, që të mund të vazhdojë, simbolikisht, të kujdeset për djalin e saj. Me dorën e djathtë të mund t’ia përkëdhelë kokën, me gjirin e djathtë të mund ta mëkojë, me këmbën e djathtë të mund ta përkundë djepin. Përsëri, një tjetër grua u sakrifikua, për familjen e saj, për sigurinë e vendit dhe për të mirën e atdheut. Ajo u sakrifikua për faj të tre burrave të tjerë të familjes së saj, që në këtë rast janë bashkëshorti dhe kunetërit, shto dhe një burrë të panjohur që kalon aty rastësisht i cili mund të jetë kushdo, madje dhe djalli vetë i mishëruar në formë njeriu.
Ekziston dhe një tjetër legjendë e jona e cila në mënyrë shumë të fshehur nxjerr në pah elementin e sakrificës, siç është ajo e Doruntinës dhe Konstantinit.
Sipas legjendës, Konstandini e bind nënën që ta martojë motrën e tij Doruntinën me një njeri prej një vendi të largët, i cili po i kërkonte dorën. Konstandini i jep besën nënës se nëse atë e merrte malli për të bijën atëherë ai vetë do të shkonte e do t’ia sillte. Nëna pranon dhe e marton Doruntinën me burrin nga vendi i largët. Por ndërkohë vdesin të gjithë vëllezërit, përfshirë dhe Konstantinin dhe nëna mbetet e vetme. Atë e merr malli për Doruntinën dhe mërzitet shumë. Shkon te varri i Konstantinit dhe e mallkon të birin që kishte shkelur besën. Në mesnatë Konstantini ngritet nga varri, shkon e merr motrën dhe ia sjell nënës te dera. Për vete kthehet në varr ndërsa Doruntina troket në derë pa e ditur se i vëllai kishte vdekur. Kur hapet dera, nëna e pyet atë se kush e solli, e ajo i thotë Konstantini. Nëna i tregon se Konstantini bashkë me vëllezërit e tjerë kishin vdekur shumë kohë më parë.
Kjo është çka ne dijmë apo çka përsëritet shpesh nga versione të ndryshme të legjendës si tek “Përralla të Moçme” të Mitrush Kutelit, apo “Kush e solli Doruntinën” të Ismail Kadaresë. Por nën rrjeshta mund të lexohet një mesazh fatal: e gjithë kjo tragjedi erdhi si pasojë e vendimit që vëllezërit morën pa pëlqimin e nënës dhe motrës së tyre, për ta martuar Doruntinën pikërisht në atë vend të largët sepse martesa do të sillte pajtim gjakrash, paqe dhe bashkëpunim në të ardhmen.
““Pa m’nigjoni vllaznit e mi,
sall ni motër tjetër spat,
si u kujtuet n’Krajli mem tret?”
Martesa në fjalë, ishte kështu një strategji lufte dhe përsëri një grua sakrifikohet nga vëllezërit e saj për hir të disa interesave “më madhore dhe fisnike”.
Që prej asaj kohe e deri në ditët e sotme gratë sakrifikohen përditë. Kush për faj të bashkëshortit, kush për faj të babait apo vëllezërve, apo dhe nga sistemi në prgëjithësi. Andaj, rrëfimi i baladave dhe legjendave duhet cc’bërë dhe ribërë në një fromë më të shëndetshme, jo vetëm për të mirën e grave por të shoqërisë në përgjithësi.
Mitologjitë janë ADN-ja e një populli dhe përcakton dhe të ardhmen e tij, nëse nuk mësojmë t’i rithemi legjendat tonaduke marr parasysh drejtësinë hyjnore dhe barazinë gjinore.
Burimi:
Kara, B. (n.d.). MİTOLOJİ VE TOPLUMSAL CİNSİYET: ŞAHMERAN MİTİ. İSTANBUL ÜNİVERSİTESİ SOSYAL BİLİMLER ENSTİTÜSÜ KADIN ÇALIŞMALARI ANABİLİM DALI. http://nek.istanbul.edu.tr:4444/ekos/TEZ/ET001048.pdf
KÖKLÜ, Ayça. “Şahmaran” – Bir Sahne Uygulamasında Bedensel İfadenin Yorumu, Sanat Çalışması Raporu, Ankara, 2016.
Sabah, D. (2020, March 1). Shahmaran tale to resonate through Mardin streets with the art of sculpture. Daily Sabah. https://www.dailysabah.com/arts/events/shahmaran-tale-to-resonate-through-mardin-streets-with-the-art-of-sculpture
Shahmaran: the story & the meaning of the Turkish legend. (2023, January 24). Auralcrave. https://auralcrave.com/en/2023/01/24/shahmaran-the-story-the-meaning-of-the-turkish-legend/
Wikipedia contributors. (2008, December 4). Kush e solli Doruntinën (roman). wikipedia. https://sq.wikipedia.org/wiki/Kush_e_solli_Doruntin%C3%ABn_(roman)
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.