Njihuni me Besfortin/ Matematikani shqiptar me dy medalje të arta në olimpiada që shkëlqeu në Oxford - Business Magazine Albania

Njihuni me Besfortin/ Matematikani shqiptar me dy medalje të arta në olimpiada që shkëlqeu në Oxford

Dalëngadalë kupton vendndodhjen e mobilieve dhe më vonë e gjen edhe ndërprerësin e dritës dhe e gjithë dhoma ndriçohet. E menjëherë më vonë hyn në dhomën tjetër të errët dhe e nis gjithçka nga fillimi.

Kështu e kishte përshkruar dashurinë e tij për zgjidhjen e problemeve matematikore britaniku, Andreë Ëiles, një ndër matematikanët që e frymëzon djaloshin 22-vjeçar nga Prishtina, Besfort Shala. Besforti e mbylli vitin 2022 me një sërë suksesesh në fushën e matematikës. Ai, vullnetarisht, përfaqësoi Kosovën në gara ndërkombëtare.

Kosova i mbylli këto gara me katër mirënjohje nderi në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës dhe dy medalje të arta dhe një medalje të argjendtë në Garën Ndërkombëtare të Matematikës për Studentët Universitarë.

Djaloshi nga Prishtina i quan këto arritje të përbashkëta të matematikanëve kosovarë si suksesin më të rëndësishëm të vitit 2022, ndërsa veçon edhe një arritje të tij personale.

“Në aspektin personal, ndoshta arritja më e madhe ka qenë diplomimi me sukses të dalluar në programin master në Universitetin e Oxfordit”, thotë Besforti për Radion Evropa e Lirë.

Universiteti i Oxfordit është i radhitur si universiteti i katërt më i mirë në botë, sipas ranglistës së Quacquarelli Symonds.

Por Besforti, me gjithë sukseset e tij, thotë se “nuk pretendon ndonjë aftësi mbi mesataren”. Ai beson se kurioziteti dhe pasioni ia kanë mundësuar arritjen e këtyre sukseseve.

Lexo edhe: Vajza shqiptare zgjidhet shkencëtarja më e re e suksesshme në Austri

Thotë se nuk e ka kurrë të lehtë ta shpjegojë dashurinë e tij për matematikën, por shton se “është diçka shumë e natyrshme” dhe nuk lidhet detyrimisht me aplikimin e matematikës në jetën e përditshme.

Besforti tani po kryen studimet e doktoraturës për matematikë në Universitetin e Bristolit, ku është i punësuar edhe si asistent. Ai thotë se pa avancimin e matematikës, jetët tona të përditshme do të ishin shumë ndryshe, shkaku i zbulimeve si: rryma elektrike, telefoni, kompjuteri e veturat për transport.

Për këtë arsye, ai shpreson që sa më shumë njerëz do ta zgjedhin matematikën si karrierën e tyre.

“Matematika do të duhej të ishte më shumë tërheqëse për njerëzit, pasi zhvillimi i saj merr hov sa më shumë që kemi njerëz e mendje kreative në të”, thotë Besforti.

Por, edhe vetë ai kishte qenë në të kaluarën në mëdyshje për karrierën e tij. Në moshën 12-vjeçare, videot udhëzuese për flaut në kanalin Youtube ishin bërë pjesë e jetës së përditshme të tij, pasi prindërit ia kishin dhuruar këtë instrument muzikor, ndërsa më vonë ishte regjistruar edhe në një shkollë të muzikës në Prishtinë.

“Gjatë shkollës së mesme, kam konsideruar edhe mundësinë e vazhdimit të studimeve në muzikë apo edhe mjekësi në Prishtinë”, thotë Besforti, teksa shton se edhe pse tani është i angazhuar në matematikë, ende e ka “një lidhje të veçantë me muzikën klasike”.

Megjithatë, ai tregon se është shumë i lumtur me zgjedhjen që ka bërë, pasi që, siç tregon, matematika ka qenë gjithmonë ndër lëndët e tij të preferuara në shkollë.

Prishtinasi është falënderues ndaj mësimdhënësve të tij të matematikës që e kanë shtyrë përpara në zgjedhjen e tij për matematikën, pasi që thotë se “sa më shumë kam mësuar gjatë procesit, aq më shumë jam lidhur me matematikën, dhe kjo në fakt vazhdon edhe sot”.

Rol kyç në sukseset e Besfortit – i cili kishte fituar bursë të plotë për studimet e nivelit bachelor në Universitetin e Primorskës në Slloveni – kanë luajtur edhe prindërit e tij, edhe pse pasionin për matematikën nuk e kanë të përbashkët.

“Prindërit kanë luajtur një rol kyç në kulturën dhe etikën time të punës, si dhe kultivimin e pasionit, qoftë përmes të qenët shembull apo mbështetjes së parezervë”, thotë Besforti.

Përderisa është falënderues për përkrahjen që i është dhënë në rrugën drejt sukseseve, Besforti tani ka mendjen te synimet e tij për vitin e ri. Kryesore për të është që ta shijojë gjithë rrugëtimin e tij.

“Synimi im kryesor për vitin 2023 dhe përtej është që të vazhdoj ta shijoj procesin e të punuarit në matematikë, kontribuimit në fushën time të kërkimit, si dhe kontribuimit në zhvillimin e matematikës në Kosovë”, thotë Besforti./ Radio Evropa e Lire 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0