Ndikimi i shpenzimeve qeveritare në rritjen ekonomike, madhësia e multiplikatorit. Tema që fitoi çmimin e Guvernatorit - Business Magazine Albania

Ndikimi i shpenzimeve qeveritare në rritjen ekonomike, madhësia e multiplikatorit. Tema që fitoi çmimin e Guvernatorit

shpenzime qeveritare

Ilir Brasha, është një nga studentët e Ekonomisë që u vlerësua në fund të vitit me çmimin e Guvernatorit për temën e tij të diplomës.

Punimi me temë “Ndikimi i Shpenzimeve Qeveritare në Rritjen Ekonomike”,   ka sjellë në vëmendje një çështje mjaft të rëndësishme përsa i përket ndikimit të politikës fiskale mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërsë. Përkatësisht, në vëmendje është marrë ndikimi i instrumentit të shpenzimeve qeveritare dhe qëllimi i këtij punimi ka qenë që të llogarisë masën e multiplikatorit të shpenzimeve qeveritare.

Si fillim, në këtë punim është parë ecuria e nivelit të shpenzimeve qeveritare, duke e krahasuar Shqipërinë me vendet e tjera të ngjashme. Kur niveli i shpenzimeve qeveritare të Shqipërisë krahasohet me vendet me të ardhura për frymë (PBB për frymë) sa 10% mbi dhe nën nivelin e të ardhurave për frymë të shqipërisë, dhe me vendet sa 20% mbi dhe nën nivelin e të ardhurave për frymë të Shqipërisë, Shqipëria është pak nën nivelin e shpenzimeve qeveritare të këtyre vendeve. Kur merret në shqyrim lidhja e PBB-së për frymë me nivelin e shpenzimeve qeveritare për të gjitha vendet që ka të dhëna Banka Botërore, lidhja rezulton pozitive dhe Shqipëria ndodhet në vijën e trendit, duke treguar që niveli i shpenzimeve qeveritare të Shqipërisë është në nivelin mesatar të vendeve me të ardhurat të njëjta. E njëjta ecuri tregohet si në rastin kur në shqyrtim merren të ardhurat për frymë në $ korrent edhe në rastin kur në shqyrtim merren të ardhurat për frymë të përshtatura me PPP. Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve qeveritare për vitin 2020. Analiza e shpenzimeve sipas komponentëve të saj tregon që niveli i shpenzimeve kapitale ka qëndruar në të njëjtat nivele përgjatë viteve të marra në shqyrtim duke pasur nivele të larta vetëm përgjatë viteve të krizave ekonomike. Niveli i shpenzimeve totale të qeverisë në këtë mënyrë është ndikuar nga ndryshimi i shpenzimeve korrente dhe jo i atyre kapitale që në teori njihen që kanë një impakt më të madh në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Për të gjetur vlerën e multiplikatorit të shpenzimeve qeveritare është përdorur metodologjia SVAR. Nga rezultatet e modelit në diferenca të para, kemi që niveli i multiplikatorit të menjëhershëm është 0.29. Pra, kjo tregon që një rritje me 10 lekë e shpenzimeve qeveritare përkthehet në një rritje të menjëhershme të PBB-së me 2.9 lekë. Maksimumi i nivelit të multiplikatorit arrihet pas tre tremujorësh. Përkatësisht, në maksimum vlera e multiplikatorit është

0.31. Pas një viti vlera e multiplikatorit është në vlerën 0.3, pas dy vitesh është në vlerën 0.28. Pas 13 tremujorësh, niveli i multuplikatorit stabilizohet në 0.17. Pra, rritja e nivelit të shpenzimeve qeveritare me 10 lekë në afatshkurtër (1vit) do të sillte rritjen e PBB-së me 3 lekë, ndërsa në afatgjatë (pas 3 vitesh) do të sillte rritjen e PBB-së me rreth 1.7 lekë. Për shkak të dyshimeve në lidhje me vlerat e multiplikatorit dhe gabimeve standarte në vlerë të lartë, multiplikatori është llogaritur edhe më një metodologji tjetër. Kjo metodologji është marrë nga FMN dhe është metoda Bucket Approach (Qasja e Kovës). Kjo metodë ka disa faza dhe kërkon një proces të zhvillimit të saj. Përkatësisht, faza e parë kërkon vlerësimin e 6 komponentëve për rastin e Shqipërisë dhe nga ky vlerësim arrihet në përfundimin që rangu i multiplikatorit është 0.1 – 0.3. Kjo vlerë përshtatet edhe me gjetjet e këtij punimi me anë të modelit SVAR. Faza e dytë kërkon një vlerësim të nivelit të PBB-së potenciale dhe të efektivitetit të politikës monetare. Kjo bëhet për të gjetur një rang më të saktë të multiplikatorit dhe kjo bëhet duke përshtatur rangun e gjetur në fazën e parë. Rangu përfundimtar i multiplikatorit që rezulton nga aplikimi i metodës “Bucket Approach”, është 0.12

– 0.36. Ky rang është konsistent dhe konfirmon përsëri gjetjet nga modeli SVAR

Kur krahasojmë rezultatet me studimet e tjera që janë bërë në Shqipëri, përkatësisht atë të (Banka e Shqipërisë, 2011), rezulton që vlera e multiplikatorit në këtë punim është më e vogël se ajo e BSH. Multiplikatori është konsistent me gjetjet e (Banka Botërore, 2022) që ka gjetur multiplikatorin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Rangu i multiplikatorit konfirmohet për periudhën e menjëhershme, kurse për periudhën pas 3 vitesh ka ndryshime. Rangu i multiplikatorit është përafërsisht i njëjtë me studimin e kryer për 102 vende në zhvillim nga (Aart Kraay, 2014). Krahasuar me vendet e tjera të ngjashme, Shqipëria ka një multiplikator më të ulët, por të krahasueshëm me vendet e Ballkanit.

Si përfundim multiplikatori i shpenzimeve qeveritare është relativisht i ulët për Shqipërinë, ashtu siç është treguar edhe në studime të mëparshme. Politika duke përdorur mekanizmin e shpenzimeve qeveritare nuk vlerësohet që të jetë efiçente, dhe si në shumë studime të tjera, politika me anë të uljes së taksave rezulton më efektive. Por, duhet pasur kujdes, sepse edhe pse ulja e taksave rezulton më efektive, rezultatet duhen parë me dyshim, sepse fokusi i këtij punimi ka qenë vetëm ndikimi i shpenzimeve qeveritare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0