Hungari: Vetëm një rrugë për marrjen e miliardave të ngrira - Business Magazine Albania

Hungari: Vetëm një rrugë për marrjen e miliardave të ngrira

Hungari

Nga mesi i muajit, BE ngriu një shumë prej disa miliardë eurosh për Hungarinë. Tani për Hungarinë janë në pikëpyetje gjithsej 22 miliardë euro. Vetëm në këmbim të reformave ka ende një shans për t’ia dhënë Hungarisë.

Në mosmarrëveshjen për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, përballë Hungarisë Komisioni Evropian i merr gjërat seriozisht. Komisioni njoftoi ngrirjen e përkohshme të të gjitha fondeve të kohezionit që Hungaria do të marrë në vitet e ardhshme.

Fjala është për gjithsej 22 miliardë euro. Qëllimi i këtij fondi është të promovojë harmonizimin e kushteve të jetesës në shtetet anëtare të BE-së. Fondet ishte planifikuar fillimisht t’i jepeshin Hungarisë midis viteve 2023 dhe 2027.

Mungesë e lirisë për drejtësinë dhe diskriminim

Komisioni Evropian ka denoncuar prej vitesh shkeljet e parimeve të shtetit të së drejtës nga Hungaria, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e drejtësisë, lirinë e shkencës dhe të drejtën e azilit. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili ndalon ekspozimin e homoseksualitetit dhe transeksualitetit, gjithashtu nuk është në përputhje me Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore. Siç ka theksuar Komisionerja kompetente Evropiane Elisa Ferreira, ndihma financiare nga Fondi i Kohezionit mund të ketë efekt vetëm “nëse korniza institucionale dhe ligjore është adekuate dhe nëse zbatohet në përputhje me rregullat dhe vlerat e BE-së”.

Eurodeputeti i Gjelbër Daniel Freund foli për një “sensacion”. Përballë kursit autoritar të qeverisë hungareze nën Viktor Orbanin si dhe shkeljeve sistematike të të drejtave themelore, shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike, është absolutisht e drejtë të bllokohen paratë evropiane në një masë të tillë, tha ai.

Lexo: Pesë leksione jetike që kam mësuar nga intervistimi i mbi 100 sipërmarrësve

Fondet e para të ngrira në mes të dhjetorit

Një javë e gjysmë më parë, shumica e vendeve anëtare të BE-së kishin votuar për ngrirjen e një pjese të fondeve të kohezionit – vendet kishin rënë dakord për një shumë prej 6.3 miliardë eurosh. Gjermania kishte votuar gjithashtu pro ngrirjes së pagesave.

Kësaj i shtohen edhe 5.8 miliardë euro që do t’i paguheshin Hungarisë nga fondi i BE-së për rindërtimin e Corona-s dhe të cilat gjithashtu janë ngrirë.

Kërkohen shumë reforma

Për të qenë ende në gjendje të marrë fonde evropiane, Hungaria duhet të përmbushë tani një katalog të kërkesave të vendosura nga Komisioni Evropian. Ky plan përfshin 27 pika. Komisioneri Evropian për Çështjet Sociale Nicolas Schmit nënvizoi gatishmërinë e BE-së për të “punuar ngushtë” me Hungarinë për të “siguruar që hungarezët të përfitojnë nga kjo ndihmë e rëndësishme e BE-së, duke respektuar plotësisht Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së”.

Qeveria hungareze ka nevojë për mbështetje financiare nga BE: inflacioni aktualisht është në 26 përqind. Për më tepër, Hungaria duhet të përballet me një borxh publik në rritje dhe një monedhë kombëtare gjithnjë e më të dobët.

DW

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0