Pasi shënoi rritje të vazhdueshme prej një viti, inflacioni shfaqi shenja ngadalësimi në nëntor. Sipas institutit të Statistikave, norma e inflacionit arriti muajin e kaluar 7.9%, nga 8.3% që ishte në tetor që përkon edhe me nivelin më të lartë të këtij treguesi në më shumë se dy dekada.
Që prej tetorit të vitit të kaluar çmimet e konsumit janë rritur me ritme të shpejta. Ndikimin më të madh në frenimi e inflacionit muajin e kaluar e ka dhënë transporti, pasi çmimet e këtij grupi shënuan rënie, ndjekur nga grupet qira, ujë e energjisë elektrike.
Megjithatë, pavarësisht kësaj çmimet vijojnë të jenë sërish të larta veçanërisht ato të ushqimeve ku familjet shqiptare çojnë gati 42% të shpenzimeve për blerjen e tyre. Krahasuar me nëntorin e kaluar, artikujt ushqimore janë shtrenjtuar me gati 14.7%, ndërsa në raport me muajin e mëparshëm u ulën lehtë me 0.1%.
Lexo edhe: Banka e Shqipërisë: Rriten normat e interesit të kredive për qytetarët dhe bizneset
Edhe çmimet e karburanteve janë të larta duke ndikuar kështu ecurinë e inflacionit. Vetëm pak ditë më parë bordi i monitorimit të çmimit të naftës uli çmimin e naftës poshtë 200 lekë për litër, për herë të parë që prej krijimit të tij.
Ndërkohë edhe në nëntor ka vijuar shtrenjtimi për mobilimin e shtëpive, për ofrimin e shërbimeve arsimore si dhe shëndetin, ndërsa kostot janë rritur edhe për grupet e tjera, veshjet, komunikimin si dhe për kafenetë e restorantet.
Projeksionet flasin që inflacioni të vijojë të qëndrojë i lartë duke u kthyer në një rrezik për ekonominë, ndërsa Banka e Shqipërisë për ta frenuar atë rriti në nëntor për të 5-ën herë radhazi brenda vitit normën bazë të interesit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.