Inflacioni ka kërcyer në 8.1% në shtator sipas Institutit të Statistikave, niveli më i lartë i regjistruar në më shumë se dy dekada. Në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, norma e inflacionit ishte 2.5%.
Ndikimin më të madh ne shtator e kanë dhënë shtrenjtimi i fortë i çmimeve të ushqimeve me 4.9% si dhe transporti me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të karburanteve. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, rritja e çmimeve për të dyja këto grupe që marrin edhe gati gjysmën e buxheteve familjare ka rezultuar dy shifrore.
Brenda grupit të ushqimeve, rritja e çmimeve ka qenë e lartë thuajse për të gjitha produktet, veçanërisht për artikujt e bulmetit, vajrave apo edhe zarzavateve.
Lexo edhe: FMN: Kujdes me PPP. Nevojitet më shumë transparencë
INSTAT raporton se shtrenjtimi ka vijuar edhe për mallrat e tjera të konsumit, duke bërë që kostot e jetesës të rriten ndjeshëm. Çmimet janë shtrenjtuar ndjeshëm për pagesat e qirasë dhe energjisë, për mobilimin e shtëpive, për veshmbathjet ndërsa janë rritur edhe shpenzimet për shëndetin.
Kjo normë inflacioni në 8.1% po arrin në gati 3fish më e lartë se objektivi i BSH, prej 3%. Vetëm pak ditë më parë Banka e Shqipërisë në përpjekje për ta frenuar atë, ndërhyri sërish në politikën monetare me rritje të normës bazë të interesit në 2.25%.
Sinjalet negative të shtrenjtimit global të çmimeve tashmë janë reflektuar edhe në ekonominë shqiptare, e cila ka shfaqur trend ngadalësimi. Ajo u rrit 2.2% në tremujorin e dytë, nga 5.9 % që ishte në tremujorin e parë të vitit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.