Miliarderi Elon Musk ka ndryshuar sërish mendjen për blerjen e Twitterit. Ai ka deklaruar se tani është i gatshëm të vazhdojë me procedurat për blerjen e kësaj platforme sociale me çmimin që kishte ofruar disa muaj më herët, përpara se të tërhiqej nga marrëveshja.
Ky ndryshim i qëndrimit vjen vetëm disa javë para se të dyja palët pritej të përballeshin në gjykatë për këtë çështje.
Twitter e ka paditur miliarderin Musk, pasi ai u tërhoq nga marrëveshja dhe pritej që të fitonte procesin gjyqësor. Në letër, avokatët e Musk thanë se ai dëshiron që të vazhdojë me kompletimin e transaksionit dhe ka kërkuar që t’i jepet fund betejës ligjore.
Lexo edhe: Twitter njofton ndryshimin e ri, përdoruesit do kenë mundësinë e redaktimit të postimeve
Një zëdhënës i Twitter-it tha se kompania ka pranuar letrën dhe planifikon që të mbyllë marrëveshjen me çmimin prej 54.20 dollarë për aksion, aq sa kishte ofruar Musk në muajin prill. Ky vendim i Musk bëri që aksionet e Twitter-it të rriteshin për më shumë se 20 për qind apo 52 dollarë për një aksion. Megjithatë, vlera e një aksioni është më e ulët sesa çmimi që Musk ka ofruar.
Kur Musk fillimisht shpalosi dëshirën e tij për ta blerë Twitter-in për 44 miliardë dollarë, ai tha se dëshironte që të hiqte llogaritë e rreme dhe ta ruante platformën si një vend për lirinë e shprehjes.
Por, miliarderi u tërhoq nga blerja e kompanisë vetëm disa javë më vonë, duke thënë se kishte shqetësime se numri i llogarive të rreme në platformë ishte më i lartë sesa Twitter kishte deklaruar. Drejtuesit e Twitter-it kanë hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se Musk – personi më i pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 220 miliardë dollarësh – dëshironte që të tërhiqej nga marrëveshja për blerjen e platformës për shkak të çmimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.