Pushtimi Rus i Ukrainës Frenon Rimëkëmbjen Post-Pandemi të Ekonomive të Reja të Europës dhe Azisë Qendrore - Business Magazine Albania

Pushtimi Rus i Ukrainës Frenon Rimëkëmbjen Post-Pandemi të Ekonomive të Reja të Europës dhe Azisë Qendrore

Frenon Rimëkëmbjen

Lufta që po zhvillohet në Ukrainë ka zbehur perspektivat e rimëkëmbjes post-pandemi për ekonomitë e reja dhe në zhvillim të rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore, thuhet në Përditësimin Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin, të sapo publikuar.

Aktiviteti ekonomik do të mbetet në nivele shumë të ulëta dhe përgjatë vitit të ardhshëm, me pritshmëri për një rritje minimale prej 0.3% në vitin 2023, për shkak se goditjet nga rritja e çmimit të energjisë do të vijojnë të sjellin pasoja në rajon. Megjithatë, rajoni i ka përballuar deri më tani vështirësitë e shkaktuara nga pushtimit rus i Ukrainës më mirë nga sa ishte parashikuar më parë. Prodhimi rajonal pritet të tkurret me 0.2% këtë vit, duke reflektuar rritje më të forta se pritshmëritë për disa nga ekonomitë më të mëdha të rajonit dhe zgjatjen e kujdesshme të zbatimit të programeve stimuluese që qeveritë e disa vendeve ndërmorën gjatë periudhës së pandemisë.

Ekonomia e Ukrainës aktualisht parashikohet të tkurret me 35% këtë vit, si rezultat i dëmtimit të aktivitetit ekonomik nga shkatërrimi i kapaciteteve prodhuese, dëmtimit të tokës bujqësore dhe zvogëlimit të ofertës së punës pasi më shumë se 14 milionë njerëz mendohet të jenë shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, nevojat për rimëkëmbje dhe rindërtim në mbrojtjen sociale, sektorët prodhues dhe të infrastrukturës arrijnë të paktën në 349 miliardë dollarë, shifër kjo 1.5 herë më e lartë se madhësia e ekonomisë para-lufte të Ukrainës në vitin 2021.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar një nga krizat më të mëdha të shpërnguljes së njerëzve dhe një bilanc të rëndë për sa i përket jetëve njerëzore dhe situatës ekonomike”, tha Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. “Në kushtet e vazhdimit të një lufte të panevojshme, Ukraina vijon të ketë nevojë për mbështetje të madhe financiare, si dhe për projekte rimëkëmbjeje dhe rindërtimi që mund të ndërmerren me shpejtësi.”

Lufta po vijon të dobësojë ekonominë globale nëpërmjet ndërprerjeve të konsiderueshme në tregti dhe goditjeve të çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, dhe të gjitha së bashku po kontribuojnë në rritjen e inflacionit dhe shtrëngimit pasues të kushteve të financimit në tregjet botërore. Aktiviteti ekonomik në eurozonë, që është partneri më i madh ekonomik për tregjet e reja dhe ekonomitë në zhvillim (EMDE) të rajonit të Europës dhe Azinë Qendrore, është përkeqësuar ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2022, për shkak të problemeve në zinxhirët e furnizimit, rritjes së tensioneve financiare dhe rënies së besimit të konsumatorëve dhe biznesit. Megjithatë, pasojat më të rënda nga pushtimi janë rritja e çmimeve të energjisë si rezultat i reduktimeve të mëdha në furnizimin me energji nga Rusia.

Lexo: Rrjedhjet “shqetësuese” të Nord Stream tregojnë rrezikun e emetimeve globale të metanit

Rishikimi me ulje i normave të parashikuara të rritjes për vitin 2023 prekin një pjesë të madhe të EMDE-ve të Europës dhe Azisë Qendrore për shkak të nivelit të lartë të pasigurisë që dominon perspektivën rajonale. Zgjatja apo intensifikimi i mëtejshëm i luftës mund të shkaktojë dëme ekonomike dhe mjedisore edhe më të mëdha si dhe rrit mundësinë për fragmentizim të tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare. Rreziku i stresit financiar mbetet gjithashtu i lartë, duke pasur parasysh nivelet e larta të borxhit dhe inflacionit.

Një shtojcë e raportit analizon ndikimin e krizës energjetike. Ndonëse çmimet e naftës, gazit dhe qymyrit kanë pësuar rritje në nivel global që prej fillimit të vitit 2021, ato kapën majat pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke e çuar inflacionin në rajon në nivele të papara për dekada. Kjo krizë e paprecedentë mbart pasoja si për konsumatorët ashtu edhe për qeveritë – duke kufizuar përballueshmërinë fiskale; produktivitetin e firmave; dhe mirëqenien e familjeve.

Vendet që do të preken më së shumti janë ato që kanë varësi të mesme deri të lartë në importet e gazit natyror për ngrohje (e cila përbën 30% të kërkesës për energji), industri ose energji elektrike, si dhe vendet e lidhura ngushtë me tregjet e energjisë të BE-së. Këto vende duhet të përgatiten për mungesa të gazit dhe të hartojnë plane emergjente me qëllim zbutjen e ndikimeve negative tek familjet dhe bizneset, siç janë kursimi i energjisë, rritja e efikasitetit të energjisë dhe zbatimi i planeve të kuotave/racionimit të përdorimit të energjisë. Fushatat për ndryshimin e sjelljes të cilat fokusohen në efikasitetin e ngrohjes në shtëpi dhe ndërtesa, si ri-izolimi i dritareve dhe shtimi i izolimit, kërkojnë investime relativisht minimale dhe kanë efekte të menjëhershme.

“Krizat e mbivendosura si pasojë e luftës në Ukrainë, vazhdimit të pandemisë dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve janë kujtesa të dhimbshme që na tregojnë se qeveritë duhet të jenë të përgatitura për të menaxhuar goditje masive, të papritura dhe që përhapen me shpejtësi”, tha znj. Bjerde. “Sistemet e mbrojtjes sociale, të cilat janë baza e përpjekjeve kundër varfërisë, kërkojnë modernizim me qëllim për t’i bërë ato sa më efektive përballë goditjeve, si dhe sfidave afatgjata.”

Raporti i kushton gjithashtu vëmendje të veçantë sistemeve të mbrojtjes sociale në rajon, të cilat kanë luajtur një rol kritik në mbështetjen e familjeve dhe bizneseve gjatë pandemisë dhe, së fundmi, nga pasojat e luftës në Ukrainë.

Reagimi i rajonit ndaj pandemisë përfshinte dy grupe të gjera të instrumenteve të politikave: masat për mbrojtjen e të ardhurave dhe masat për mbrojtjen e vendeve të punës. Raporti vlerëson efikasitetin e këtyre masave në nxitjen e rritjes ekonomike, uljen e varfërisë dhe ruajtjen e vendeve të punës. Ai konstaton se, në periudhë afatshkurtër, rritja e shpenzimeve në kuadër të masave për mbrojtjen e vendeve të punës u shoqëruan me rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë. Megjithatë, efekti i këtyre masave në rritjen ekonomike është më pak i qartë.

Mësimet që u nxorën prej pandemisë shërbejnë si udhëzues për politikëbërësit për t’i bërë sistemet e mbrojtjes sociale fleksibël dhe gjithëpërfshirëse me qëllim që ato të arrijnë të adresojnë në mënyrë efektive jo vetëm goditjet afatshkurtra në ekonomi, por edhe tendencat afatgjata që po transformojnë tregjet e punës, si globalizimi, tendencat demografike, inovacioni teknologjik, dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe veprimet klimatike.

Ndërhyrjet përmes politikave për krijimin e sistemeve të mbrojtjes sociale për të ardhmen mund të jenë një kombinim i (i) mbështetjes për të garantuar një minimum të të ardhurave, e projektuar për të mbrojtur individët dhe familjet nga goditjet me efekte negative, (ii) reformave rregullatore që synojnë heqjen graduale të kufizimeve në praktikat e punësimit dhe largimit nga puna të bizneseve, duke mbështetur kështu krijimin e vendeve formale të punës në sektorin privat dhe reduktimin e informalitetit; (iii) zgjerimit të mbulimit dhe mbrojtjes për grupet e cënueshme; dhe (iv) dixhitalizimit për rritjen e cilësisë dhe sasisë së ofrimit të shërbimeve.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0