Rritja e çmimeve në Eurozonë arriti një rekord të ri në Gusht. Mallrat dhe shërbimet u rritën mesatarisht me më shumë se nëntë për qind.
Inflacioni në eurozonë e kaloi kufirin nëntë për qind në gusht. Çmimet e konsumit në 19 vendet me monedhën Euro u rritën 9.1 për qind në një vit. Këtë e ka bëro të ditur zyra e statistikave Eurostat në bazë të një vlerësimi të shpejtë. Që nga futja e Euros si monedhë këmbimi në vitin 1999, rritja e çmimeve nuk ka qenë kurrë aq e lartë sa në gusht. Ekspertët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters kishin pritur një rritje në 9.0 për qind. Në Korrik, norma e inflacionit ishte ende 8.9 për qind.
Inflacioni bazë në 4.3 për qind
Energjia u shtrenjtua me 38.3 për qind brenda një viti. Megjithatë, rritja ishte pak më e ulët se një muaj më parë. Në të kundërt, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve u përshpejtua. Gjithashtu u rritën më fort edhe çmimet e mallrave dhe shërbimeve industriale. Për ushqimin, alkoolin dhe duhanin, konsumatorët u përballën me një rritje të kostos prej 10.6%. Mallrat industriale joenergjetike u rritën me 5.0%. Për shërbimet, rritja e çmimit ishte 3.8%. Inflacioni bazë, i cili nuk merr parasysh çmimet veçanërisht të paqëndrueshme të energjisë, ushqimeve dhe pijeve, u rrit nga 4.0 në 4.3%.
Normat më të larta të inflacionit në Eurozonë u regjistruan sërish në tre Shtetet Baltike, mbi 20 për qind. Në Estoni, për shembull, norma vjetore e inflacionit arriti në 25.2%. Në Gjermani, norma e inflacionit e llogaritur sipas standardeve evropiane ishte 8.8%.
Lexo: “20 milionë dollarë brenda natës”. Financieri i mbështetur nga Soros akuzohet se zhvlerësoi monedhën
Banka Qendrore Evropiane nën presion
Me këtë rritje të re të inflacionit, bëhet gjithnjë e më e mundshme një tjetër rritje e ndjeshme e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) në mbledhjen e saj javën e ardhshme. Sepse, ajo vazhdon të mbetet dukshëm larg objektivit të saj të inflacionit.
Në korrik, pas viteve të politikës së normës zero të interesit, Banka Qendrore Evropiane e rriti me gjysmë pikë përqindje normën e interesit në 0.50 për qind. Një hap tjetër i rëndësishëm pritet në mbledhjen e Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane më 8 shtator. Ndërkohë, disa bankierë të bankave qendrore të eurozonës janë shprehur në favor të diskutimit të një rritjeje edhe më të madhe me 0.75 pikë përqindjeje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.