Gjatë një interviste televizive, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se duke nisur nga data 1 tetor do të vendoset si tavan fasha prej 800 kilovat/orë dhe konsumatorët familjarë. Mbi këtë sasi, do të faturohen me vlerën e tregut.
“Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, në synimin tonë është të nisë me 1 tetor”, tha Balluku. Ajo kujtoi se, çmimet e energjisë në bursën ndërkombëtare kanë kaluar çdo parashikim, ku sot vlera arriti në 616 euro për megavat.
Ministrja tha se nuk ka asnjë plan për ndërprerje të energjisë ndërsa shtoi se, do të ketë një task-forcë në terren për të ndaluar abuzimet, si nga konsumatorët familjarë, ashtu edhe bizneset. “Është e domosdoshme në këto momente, si për të vënë në funksion të gjithë eficencën energjetike, duke nisur nga bashkitë tek entitetet private”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kaskada e Drinit është mirëmenaxhuar, teksa njoftoi se në fillim të shtatorit në Vlorë do të vendosen 2 anije që do të prodhojnë energji që njihen si termocentrale lundruese. “Ne presim që të ankorohen në fillim të shtatorit dhe të jenë të gatshme për prodhim në tetor”, bëri të ditur Balluku.
Në pozicionin e zv.kryeministres, Balluku pohoi për hartimin e një pakete tjetër mbështetëse për familjarët dhe bizneset që nuk përballojnë dot rritjen e tejskajshme të çmimeve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto