Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur edhe për muajin maj. Inflacioni arriti në 6.7%, ndërsa ky nivel është më i larti në 20 vitet e fundit në vendin tonë. Grupet kryesore që ndikuan në inflacionin e muajit maj janë ushqimet ndjekur nga transporti, ku përfshihen çmimet e rritura të karburanteve, dhe më pas vjen grupi i qirasë, lëndëve djegëse dhe energjisë.
Kostot e energjisë janë rritur për bizneset në treg të lirë, ndërsa në muajin maj çmimi arriti 32 lekë kW/h, 3 herë më i lartë se një vit më parë, ndërsa me 60% është rritur edhe çmimi i energjisë për bizneset në tension të mesëm, por mbetet i pandryshuar për familjarët dhe bizneset e vogla.
Karburantet gjithashtu vijojnë rritjen, ndërsa vendimi i fundit i Bordit e ka dërguar çmimin e naftës në nivelin historik në 258 lekë.
Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit për të luftuar inflacionin, por kjo masë ende nuk po jep shenja në ngadalësim, ndërsa niveli i kredisë së re apo paraja në qarkullim vijon të rritet.
Nga krahu tjetër, leku po vazhdon të qëndrojë i fortë në krahasim me euron. Kjo ka zbehur disi inflacionin që vjen nga mallrat e blerë nga jashtë, pasi me BE-në, Shqipëria realizon rreth 60% të tregtisë së jashtme.
Inflacioni i lartë po jep dhe shenjat e para në ngadalësimin e konsumit në vend, siç shihet edhe nga shifrat e doganave, ku në muajt prill dhe maj janë importuar sasi më të pakta nafte.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.