Kroacia është gati t’i bashkohet Eurozonës, tha të mërkurën Komisioni Europian, duke i hapur rrugën vendit ballkanik që të adoptojë euron nga fillimi i vitit 2023 dhe të bëhet shteti i 20-të europian që përdor monedhën e përbashkët.
Pasi vlerësimi i Komisionit të miratohet nga liderit e BE-së në qershor, ministrat e financave të BE-së do të përcaktojnë në korrik kursin e këmbimit me të cilin monedha e Kroacisë, kuna, do të konvertohet në euro më 1 janar 2023.
Kroacia do të ketë më pas gjashtë muaj për përgatitjet praktike për ndryshimin e monedhës.
Lexo edhe: Bashkimi Europian ul në mënyrë drastike parashikimin për rritjen ekonomike
“Sot, Komisioni Europian ka arritur në përfundimin se Kroacia është gati të adoptojë euron më 1 janar 2023, duke e çuar numrin e shteteve anëtare të Eurozonës në 20,” thuhet në deklaratë.
Për të adoptuar euron, Kroacia, një anëtare e BE-së që nga viti 2013, duhej të përmbushte kriteret e stabilitetit të çmimeve dhe kursit të këmbimit, menaxhimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik dhe normave afatgjata të interesit, të gjitha të matura me standardet e BE-së.
Komisioni shqyrtoi gjithashtu integrimin e tij ekonomik dhe konvergjencën me pjesën tjetër të Eurozonës, duke përfshirë tendencat e bilancit të pagesave dhe integrimin e produkteve të tij, të punës dhe tregjeve financiare dhe verifikoi që ligjet e tij të bankës qendrore janë në përputhje me ligjet e Eurozonës në Bankën Qendrore Europiane (BQE).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.