Më tepër se një vit nga aprovimi i ligjit për kriptovalutat përmes të cilit synohej tregtimi dhe investimi i ligjshëm i tyre, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nuk është regjistruar asnjë aplikim për licensë. Përballë indiferencës së kompanive apo bizneseve për tu licencuar në tregun e kriptomonedhave , ish zëvendës kryeministri Erjon Brace ka dyshimet e tij.
Erjon Brace: Si ka mundësi nuk kanë asnjë aplikim. A nuk duhet të dyshohet se ndoshta po kryhet pastrim parash Kjo do të thotë që ata po bëjnë pastrim parash apo jo?
Ervin Mete: Prononcimi për këtë mund të jetë deluzive. Tani si të flas unë për faktin që ata nuk kanë ardhur të licensohen.
Me kërkesën që tregu i zi i kriptomonedhave të kontrollohet , Erjon Brace solli si shembull dështimin e institucioneve publike me lulëzimin e call centerave në Shqipëri që më pas u hetuan ndërkombëtarisht jo vetëm nga drejtësia gjermane
Erjon Brace: U bëmë turpi i botës me call-centerat dhe asnjë organ ligjzbatues shqiptar nuk funksiononte. Tani i njëjti fenomen po ndodh me kriptovalutat. Mos të bëjmë sikur nuk e dimë që ky tregu funksionon dhe që është i dyshuari numër një për pastrimin e parave. Po ju them diçka për kriptovalutat. Edhe në skandalin e fajdeve që shpërtheu në 97’, Banka e Shqipërisë kështu thoshte që nuk monitorojmë një aktivitet të palicensuar, por e patë se çfarë ndodhi, prandaj ju duhet të jeni agresiv në kontrolle dhe agresiv në denoncime pranë policisë.
Për 2021 policia kreu disa operacione të bazave të fshehta për prodhimin e monedhës virtuale dhe sekuestroi në disa qytete 10 laboratorë. Mbas bllokimit të një serie pajisjesh që kushtojnë mijëra euro , akuza ka hapur hetime për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit financiar përmes prodhimit të kriptovalutës. Në disa nga këto hetime llogaritet si dëm ekonomik edhe vjedhja e energjisë elektrike, evazioni fiskal si dhe pastrimi i parave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto