Samiti i HikVision në Amsterdam theksoi rëndësinë e lartë të partneriteteve në teknologji.
Ndryshimet sjellin mundësi! Në botën e teknologjisë ndryshimet janë të një shpejtësie gjithnjë në rritje dhe rrjedhimisht edhe me mundësi që shfaqen të shumëfishuara para nesh.
HikVision, kompania lider në botë në prodhimin e pajisjeve të sigurisë, kamera dhe pajisje kontrolli zhvilloi një Samit 4 ditor në Amsterdam, me partnerët e saj në mbarë botën.
Sfidat, por mbi të gjitha mundësitë që shfaqen para nesh në këtë dinamikë, ishin kryefjalë e samitit të mbajtur në mjediset e kompanisë. Mijëra vetë, sollën nevojat e tregut ku punojnë dhe krijuan bazat për mundësi të reja bashkëpunimi, prodhime të mundshme të reja në shërbim të të gjitha industrive.
Myler Zhong, Drejtor i Deparamtentit të Shitjes dhe Zgjidhjeve Teknike në HikVision, tha në një intervistë për Businessmag.al se, “Ne, si prodhues të videoteknologjisë, na nevojiten partnerët për të na treguar më në detaje rreth punës së tyre, nevojave dhe çfarë mund të përmirësojmë në këtë drejtim”.
Gjatë Samitit, partnerët treguan përmes vizitave në showroom, dizenjuar posaçërisht në mjediset e kompanisë, por edhe gjatë konferencës dhe takimeve B2B, se cilat janë trendet dhe nevojat në aplikiminin e teknologjisë.
Lexoni: Hikvision Innovation Summit 2022 tregon mundësitë më të fundit të inovacionit me 25 partnerët e saj
Përfaqësuesit nga Shqipëria theksuan nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të zgjidhjeve të integruara. Pra, një sistem që jep sa më shumë përgjigje dhe zgjidhje për klientin dhe në tërësi për komunitetin. Kompanitë po e përdorin më shumë teknologjinë për të ulur kostot e prodhimit apo shërbimit të realizuar. Individët, për të reduktuar kohën e shërbimeve dhe kostot e tyre.
Zhong theksoi se, “përmes partnerëve ne marrim ekspertizën e nevojshme për të zhvilluar produkte e shërbime të reja”.
Sipas tij, e ardhmja do të fokusohet tek zgjidhjet për klientët (ngjashëm me kërkesën e këtyre viteve), por për kërkesa dhe nevoja shumë më të avancuara. “Nëse deri më tani, teknologjia ka ofruar zgjidhje për kërkesa bazë të shoqërisë, në të ardhmen teknologjia synon të ofrojë më shumë zgjidhje për një nivel më të lartë kërkese”, tha ai. Në të ardhmen e afërt njerëzit do të kujdesen më shumë për aplikimin se si ta bëjnë teknologjinë të ndihmojë njerëzit.
E ardhmja është tani, kur flasim për teknologjinë. Pra ajo çfarë presim të ndodhë së shpejti në treg, në fakt është projekt në tryezat e kompanive të mëdha, ose tashmë edhe në magazinat e tyre gati për t’u shpërndarë. A e dinit se një supermarket nuk do t’i përdorë më kamerat vetëm për të kontrolluar fluksin e klientëve, apo nëse ndonjë prej tyre bën një sjellje të paligjshme si vjedhja?! Po! Tashmë kamerat, përmes sistemit, informojnë punonjësin përgjegjës, ku është rafti bosh për një produkt të caktuar, apo ku ka një rrëmujë që duhet sistemuar. Njësoj me parkimet publike. Kamera e shtrirë në hyrje të parkimit që të jep aksesin për t’u futur, njëkohësisht fotografon nga toka pjesën e poshtme të makinës, duke mundësuar info edhe për pajisje apo materiale të rrezikshme si mina, apo transporti i drogërave.
Pse ka rëndësi akoma dhe më shumë sot përpunimi dhe matja e rezultateve të informacionit nga video?! Për këtë mjafton t’ju themi se 80% e informacionit sot në internet është i prodhuar në formën e viodes. Ndaj dhe kompania ndërkombëtare e video-sigurisë e sheh veten në një rol kyç në të gjitha zhvillimet e shërbimeve teknologjike. Përmes partnerëve të saj, ajo ka sjellë tashmë në treg, jo vetëm produkte sigurie për banesa, sipërmarrje, mjedise publike, apo institucione të rëndësishme si aeroportet, por edhe në sektorë të rëndësishëm si telemjekësia, edukimi online, shtëpi inteligjente, qytet inteligjent.
Ndaj dhe motoja kryesore e këtij samiti ishte: Innovate, Change, Grow!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.