Sipas Zyrës Amerikane të Statistikave të Punës, 20% e startup-ve mbyllen në vitin e parë dhe gjysma e tyre brenda pesë viteve të para. CBInsights raporton se 35% e startup-eve dështojnë për shkak të mungesës së kërkesës në treg, ndër të tjera arsye dështimi – problemet e fluksit të parave, dalja nga konkurrenca, një model biznesi me të meta dhe sfida ligjore.
Më poshtë janë 3 këshilla mbi fillimin e një biznesi që do t’ju ndihmojnë të jeni të suksesshëm si në afatshkurtër, ashtu edhe në afatgjatë.
Ndaloni romantizimin rreth idesë së biznesit
Të duash atë që bën dhe të bësh atë që do tingëllon romantike dhe frymëzuese, por jo në realitetin e biznesit. Para së gjithash, ju duhet të vlerësoni nëse ka kërkesa të mjaftueshme në treg që pasioni juaj të jetë fitimprurës. Për shembull, ju pëlqen kafeja e mirë dhe madje kuptoni varietetet e saj. Ndoshta ju keni ndjekur edhe kurse baristi. Por këtu është fati i keq: Në qytetin tuaj, ka kafene në çdo cep dhe konkurrenca është shumë e lartë. A duhet të hapni kafenenë nr. 101 në një rrugë dhe të shpresoni se njerëzit do të vijnë tek ju? Nëse nuk ju shqetëson koha, paratë dhe mundi, atëherë mund ta provoni. Por, është shumë më mirë t’i bëni vetes disa pyetje përpara se të filloni një biznes:
- Cila është arsyeja e vërtetë që dëshironi të filloni një biznes?
- Cilat janë qëllimet tuaja personale dhe të biznesit?
- Kush është klienti juaj?
- Çfarë problemesh ka klienti juaj dhe si mund t’i zgjidhë ato biznesi juaj?
- Çfarë propozojnë konkurrentët tuaj dhe si do të ndryshoni nga ata?
- Cilat burime ju nevojiten për hapjen e një biznesi?
Lexoni: 5 mënyra për t’u bërë një performues më i mirë në çdo kompani
Mos i nënvlerësoni konkurrentët tuaj
Ju duhet të shikoni tregun me maturi dhe të analizoni konkurrentët tuaj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse do të tërheqni investime. Në fund të fundit, një nga pyetjet kritike që do të bëjë një investitor potencial është avantazhi juaj konkurrues.
Këtu është një sistem me tre hapa që mund të përdorni për të analizuar tregun:
- Hulumtimi parësor: Në vend që të fantazoni se çfarë dëshiron konsumatori, mund t’i pyesni drejtpërdrejt. Përdorni pyetësorë, hulumtime dhe intervista për këtë. Nëse tashmë keni klientë, mund të përdorni statistika nga Google Analytics, YouTube, mediat sociale, raportet e shërbimeve të postës elektronike dhe platforma të tjera për të kuptuar preferencat dhe sjelljen e klientëve.
- Hulumtimi dytësor: Sistematizoni informacionin e marrë dhe studiojeni atë në detaje. A përputhet kjo me të kuptuarit tuaj për tregun? Si mund të zgjidhë produkti juaj kërkesat e klientëve?
- Analiza SWOT: Një analizë SWOT është një mënyrë e besueshme për të studiuar pikat e forta, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet e një ideje. Nga analiza, ju mund të vendosni nëse tregu ka nevojë për një produkt dhe nëse do të merrni fitimin që prisni. Ju mund të gjeni lehtësisht template për këtë sistem në internet dhe të bëni një analizë.
Si rezultat i këtij hulumtimi, do të gjeni përgjigjet për këto pyetje:
- Cilët janë klientët tuaj dhe cilat janë shitjet, vlerësimet dhe kufizimet e tyre?
- Cilët janë konkurrentët tuaj dhe çfarë pëlqejnë/nuk pëlqejnë klientët tuaj potencialë në produktet e tyre?
- Çfarë duhet t’i propozoni tregut për të qenë më i suksesshëm?
- Çfarë lloj oferte unike mund të ofroni?
Testoni hipotezën tuaj
Pasi të keni hulumtuar tregun dhe të dini se çfarë dëshiron konsumatori, duhet të siguroheni që produkti juaj të plotësojë kërkesat e tyre. Për më tepër, kjo duhet bërë sa më lirë të jetë e mundur, në formën e një MVP (Minimum Viable Product). Shkurtimisht, një MVP ofron një mundësi për të zhvilluar një produkt të ri për më pak para dhe për të mbledhur komente nga klientët e mundshëm.
Një instrument tjetër për të vërtetuar supozimet tuaja për biznesin e ardhshëm është Testimi A/B. Ju mund ta përdorni këtë metodë për të kontrolluar se çfarë versioni ose dizajni të faqes në internet pëlqejnë më shumë klientët. Për shembull, mund të krijoni dy versione të faqes të së njëjtës ofertë, me të njëjtin çmim dhe tekst, por dizajne të ndryshme. Më pas ju analizoni se në cilin version konsumatorët shpenzuan më shumë kohë dhe cili ju dha më shumë rezultate cilësore.
Vetëm pas këtyre tre hapave duhet të filloni të kërkoni investime dhe ekipe. Në këtë mënyrë, mund të jeni të sigurtë se paratë dhe përpjekjet nuk do të shpërdorohen dhe startup-i juaj nuk do të bëhet thjesht një statistikë e dështimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.