Të shpresojmë që 2022 do të jetë një vit më i mbarë për ekonominë - Business Magazine Albania

Të shpresojmë që 2022 do të jetë një vit më i mbarë për ekonominë

ekonominë

Opinion nga Aurora Sulçe, eksperte për ekonominë

Viti 2021 nuk rezultoi i lehtë për bizneset dhe konsumatorët. Kjo pavarësisht se ekonomia u fut në ciklin e rimëkëmbjes ekonomike, me një rritje të pritshme në 7.6% dhe të çertifikuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore. Rritja ekonomike konsiderohet ndër më të lartat në rajon dhe padyshim është një lajm i mirë dhe premtues për të ardhmen.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit u rritën, çka i dhanë mundësi qeverisë që të realizonte planin e shpenzimeve dhe t’i jepte oksigjen ekonomisë, edhe nëpërmjet krijimit të vendeve të punës, veçanërisht në projektet e infrastrukturës dhe Programin e Rindërtimit.

Nga ana tjetër, u shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura të TVSH-së ndaj biznesit, çka i mundësoi sipërmarjes më shumë likuiditet.

Sigurimi i Eurobondit padyshim që dëshmoi për besueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe i dha mundësi ekzekutivit që të realizojë projektet e premtuara. Ministria e Financave zbatoi rekomandimet e FMN-së për heqjen e disa prej përjashtimeve fiskale, çka pritet që të garantojë barazi në treg mes bizneseve.

Por nga ana tjetër, pasiguritë mbetën të larta, çka u reflektua tek konsumi dhe investimet. Shumë sektorë si fasonët dhe bujqësia shënuar ritme gati anemike rritjeje, duke e bërë të paqartë ecurinë e tyre në të ardhmen.

Turizmi, një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, pavarësisht një ecuri deri diku pozitive gjatë verës, mbetet në një situatë kaotike dhe të paqartë për të ardhmen. Kjo për shkak të pranisë së pandemisë, nivelit të ulët të vaksinimit, por edhe mosplotësimit të një pjese të kërkesave që kanë bërë operatorët e tregut. Rritja ekonomike u bazua kryesisht tek ndërtimi, duke bërë që ajo të mos jetë gjithëpërfshirëse dhe as e qëndrueshme në afatgjatë.

Rrjedhimisht, edhe vendet e punës që u hapën nuk konsiderohen cilësore, çka do të thotë me paga të larta dhe në sektorë premtues. Rritja ekonomike nuk u pasqyrua në rritje të të ardhurave të disponueshme të qytetarëve, ashtu siç edhe pritej. INSTAT konfirmoi se në tremujorin e tretë të 2021 paga mesatare bruto u ul në 56.435 lekë nga 56.710 lekë në tremujorin e dytë.

Biznesi nga ana tjetër u përball me rritje të kostove. Kjo si pasojë e shtrenjtimit të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, rritja e çmimeve u reflektua tek konsumatorët, që për një pjesë u bë gati e papërballueshme. Kjo ndikoi tek rënia e fuqisë blerëse dhe konsumi, i cili u tkurr.

Lexo: Web3, e ardhmja e ekonomisë krijuese

Inflacioni arriti në nëntor në 3.1%, niveli më i lartë në 10 vitet e fundit, duke reflektuar shtrenjtimin e jetesës të shkaktuar nga rritja e çmimeve të shumë produkteve bazë, kryesisht ushqime dhe pije alkoolike, si dhe kostove të transportit. Parashikimet e ekspertëve të huaj, por edhe institucioneve vendase, si Banka e Shqipërisë tregojnë se rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme dhe do të zgjasë deri në gjashtëmujorin e parë të 2022-it, megjithëse siguritë e plota në këtë drejtim mungojnë.

Besimi tek ekonomia mbetet i luhatshëm, për shkak edhe të pandemisë ende të pranishme dhe nivelit të ulët të vaksinimit. Kjo dëshmohet nga Treguesi i Ndjesisë Ekonomisë, që publikohet nga Banka Qendrore.

Gjatë vitit 2021 në muaj të caktuar ky indeks ka qenë në rritje dhe në muajt e fundit ka pësuar sërish rënie, duke reflektuar pasiguritë ende të pranishme. Kjo sigurisht që është një dukuri negative, duke pasur parasysh se paraja është besim. Kjo do të thotë se bizneset nuk priren që të investojnë në situata të paqarta dhe të pasigurta dhe as konsumatorët që të shpenzojnë, por qasja e tyre është drejt kursimit dhe pritjes.

Të gjithë shpesojmë që viti 2022 të jetë më i mirë se ai që u mbyll dhe premisat ekzistojnë. Kjo pavarësisht pandemisë ende të pranishme apo edhe disa problemeve të brendshme që kanë të bëjnë me strukturën e ekonomisë, klimën e biznesit apo nivelin e lartë të korrupsionit dhe evaizonit fiskal. Sfidat që e presin ekonominë mbeten të shumta, si për qeverinë, ashtu edhe për agjentët ekonomikë.

Për buxhetin e shtetit sfidë mbetet ulja e borxhit dhe konsolidimi i rritjes ekonomike, të parashikuar në 4% vitin e ardhshëm dhe për një periudhë afatmesme. Gjithashtu, duhet të realizohet plani i të ardhurave, çka do të mundësonte vijueshmërinë e shpenzimeve. Sfidë mbetet edhe zbatimi i reformave strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit, që po përballet aktualisht me kosto të shtuara, për shkak edhe të rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.

Sipërmarja gjithashtu, ka sfida të forta përpara vetes. Ajo duhet të përshtatet në kushtet e reja të tregut, që ka imponuar pandemia e COVID 19. Por edhe të rrisë prodhimin përballë disa vështirësitë që janë krijuar, si largimi i fuqisë punëtore apo shtrenjtimi i lëndëve të para. Qytetarët nga ana tjetër po vuajnë gjithashtu, rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit. Nëse ky shtrenjtim do të zgjasë në kohë dhe do të shkojë përtej gjashtëmujorit të parë të 2022-it, siç janë edhe parashikimet e deri tanishme, atëherë do të duhen ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga qeveria për të mbrojtur shtresat më vulnerabël dhe për të frenuar thellimin e varfërisë.

Por pavarësisht problemeve të shumta, që në këtë periudhë të trazuar për të gjithë ekonominë botërore janë normale, le të shpresojmë që 2022-i do të jetë një vit më i mbarë për ekonominë e gjithësecilit dhe ekonominë tonë të përbashkët!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0