Një nga pyetjet më të shpeshta që bëhen në Google është: “Lind apo bëhesh sipërmarrës?”
Përgjigjja është shumë e qartë për mua, ju duhet të lindni dhe të bëheni i tillë. Le t’i shtjellojmë të dy aspektet.
Sipërmarrës i lindur – Gjeni atë gjë që është e përshtatshme për ju
Çdo sipërmarrës i suksesshëm është një sipërmarrës i lindur. Megjithatë, lajmi i mirë është se nuk ka vetëm një tip sipërmarrësi.
Të jesh një sipërmarrës i lindur nuk do të thotë të lindësh në një mënyrë të veçantë, por bëhet fjalë që të gjesh diçka që është e përshtatshme me natyrën tuaj.
Ekzistojnë sipërmarrës në sektorë të ndryshëm si në financë, argëtim, media, software, sport, inxhinieri, në kujdesin për të moshuarit apo fëmijët; ju do të shihni personalitete të ndryshme të cilët kanë bejxhin e “sipërmarrësit”.
Sipërmarrësit e suksesshëm mund të jenë tipa introvertë, të marrin përsipër rreziqe, socialë, të ndrojtur, konservatorë, liberalë, optimistë ose skeptikë në perspektivën e tyre. Çështja është të përshtateni mirë me personalitetin dhe sipërmarrjen që ndiqni. Ajo që është e përshtatshme për dikë tjetër, mund të jetë një katastrofë për ju nëse natyra juaj nuk përshtatet me atë lloj biznesi. Ekzistojnë vetëm disa përjashtime që janë të zakonshme për pjesën më të madhe të sipërmarrësve që ia dalin mbanë…
Së pari është guximi: sipërmarrja ka të bëjë me një hap drejt së panjohurës. Disa sipërmarrës ndihen të guximshëm pas një analize të kujdesshme, disa pas një ngjarje që i bën njerëzit të flasin. Megjithatë, për të qenë i guximshëm, çdo sipërmarrës duhet të dalë herë pas here nga zona e tij e komfortit.
Lexo edhe: 5 mënyra se si sipërmarrja do t’ju “detyrojë” të rimendoni karrierën tuaj 9–5
Së dyti, sipërmarrësit e duan shumë atë çka bëjnë, përtej fitimit të parave. Paratë janë një mënyrë e mirë për të arritur objektivin, por nëse do të bëhet fjalë vetëm për para, loja e sipërmarrjes do të gjejë një mënyrë për t’ju eliminuar. Shumë sipërmarrës fitojnë shumë para pas dhjetë vitesh përpjekjeje, por nëse paratë janë motivuesi i vetëm, një dekadë është një kohë tmerrësisht e gjatë për të pritur suksesin tuaj.
Karakteristika e tretë unike e sipërmarrësve të suksesshëm është kokëfortësia. Kjo kërkon aftësinë të përqendroheni në gjëra që do të kishin ndikim në një periudhë të gjatë. Sipërmarrësit e suksesshëm kanë një shqisë të gjashtë për problemin më të rëndësishëm që duhet të zgjidhin dhe mund të qëndrojnë me to për një kohë të gjatë, ndonjëherë edhe dekada.
Të bëhesh sipërmarrës – Zhvillimi i aftësive bazë të një sipërmarrësi
Pasi të gjeni llojin e biznesit që përshtatet më shumë me natyrën tuaj, ju duhet të zhvilloni aftësinë kyçe – të ndikoni te të tjerët.
Për çfarëdo që të bëhet fjalë – të blini një produkt, të investoni në vizionin tuaj, ju duhet të ndikoni te mënyra e të menduarit dhe të vepruarit të të tjerëve.
Të drejtosh një biznes është një punë komplekse që përfshin financën, shitjet, komunikimin, pronësinë intelektuale, krijimin e produkteve, kulturën e kompanisë, marketingun, zhvillimin e teknologjisë etj., etj.
Sipërmarrësit kanë sukses vetëm nëse rrethohen nga njerëz të aftë të cilët u japin burimet që u nevojiten. Aftësia kryesore e një sipërmarrësi është ndikimi – t’i bësh njerëzit të përdorin kohën e tyre, kreativitetin, ekspertizën apo burimet në një mënyrë të cilën nuk e kishin menduar më parë. Fatmirësisht kjo është një aftësi që mësohet, ju mund dhe duhet ta zhvilloni.
Le t’i kthehemi edhe një herë pyetjes, lind apo bëhesh sipërmarrës? Sipërmarrësit duhet të gjejnë diçka për të cilën ata ndiejnë se janë lindur të më pas të zhvillojë aftësitë në mënyrë që njerëzit të përqafojnë vizionin e tij.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.