Guvernatori Sejko gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH: Pritet që vala aktuale e rritjes së çmimeve të jetë kalimtare - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko gjatë mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH: Pritet që vala aktuale e rritjes së çmimeve të jetë kalimtare

rritjes së çmimeve

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Në fjalën e mbajtur para mediave, Guvernatori Gent Sejko tha se informacioni i ri i marrë në analizë tregon se ekonomia shqiptare po vijon të rimëkëmbet nga goditjet e marra nga tërmeti dhe pandemia. Sipas guvernatorit, kjo ecuri vihet re në rritjen e vëllimit të aktivitetit ekonomik, në zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave, në përmirësimin e bilanceve financiare të sektorit privat, si dhe në rritjen e qëndrueshme të kredisë bankare.

Lexoni: Kriza e zinxhirëve të furnizimit rrezikon të “shembë” ekonomitë

“Po ashtu, informacioni i ri tregon rritje të inflacionit, si në ambientin e huaj dhe në atë të brendshëm. Rritja e inflacionit u diktua kryesisht nga goditjet e ardhura si pasojë e disbalancave midis kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare. Këto disbalanca priten të jenë të përkohshme dhe efekti i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar. Nga ana tjetër, ndonëse në rritje, presionet e brendshme për rritjen e punësimit, të pagave dhe të inflacionit, janë ende të moderuara. Parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive. Projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, e mbështetur dhe nga stimuli monetar, duke krijuar premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm” tha Guvernatori.

Inflacioni erdhi në rritje gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar nivelin mesatar prej 2.4%. Kjo ecuri pasqyroi, në masën më të madhe, goditjet e ofertës të ardhura nga rritja e çmimeve të ushqimeve, të energjisë, të naftës dhe të kostove të transportit, në tregjet botërore.

Më tej, guvernatori evidentoi se efekti i goditjeve të ofertës në inflacion pritet të jetë i pranishëm dhe gjatë tremujorit aktual dhe gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, e të vijë në shuarje gjatë periudhës në vazhdim.

“Ky gjykim bazohet në konsensusin e analizave të institucioneve ndërkombëtare dhe pritjet e tregjeve. Sipas këtij konsensusi, çmimet e naftës, të energjisë dhe të produkteve ushqimore, pritet fillimisht të stabilizohen e më pas të reduktohen gjatë vitit 2022, çka do të zvogëlojë presionin mbi kostot e prodhimit në vend dhe çmimet e konsumit. Përkundrejt tyre, presionet e brendshme inflacioniste kanë shfaqur një dinamikë rritëse, por graduale dhe ende të përmbajtur. Kjo dinamikë pasqyron zgjerimin ende të pamjaftueshëm të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit, si dhe pritjet për inflacion të moderuar nga bizneset dhe tregjet financiare” vijoi guvernatori.

Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia do të regjistrojë rritje të lartë për vitin 2021, ndërsa do të ruajë norma rritjeje më të ulëta, por të qëndrueshme gjatë viteve në vijim. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se materializimi i skenarëve të rrezikut do të kërkojë një rishikim të qëndrimit të politikës monetare, duke e afruar në kohë dhe përshpejtuar procesin e normalizimit të politikës monetare, apo duke e shtyrë në kohë dhe ngadalësuar atë.

Lexoni: BSH përgatit projektligjin – Llogari bankare dhe shërbime pagesash falas për shtresat më të brishta

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për mbështetjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

  • Të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
  • Të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimi i skenarëve të rrezikut do të kërkojë një rishikim të qëndrimit të politikës monetare, duke e afruar në kohë dhe përshpejtuar procesin e normalizimit të politikës monetare, apo duke e shtyrë në kohë dhe ngadalësuar atë.

Njoftimin e plotë e gjeni në KËTU.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0