Guvernatori Gent Sejko ka komentuar situatën makroekonomike në vend pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në lidhje me temën më aktuale për xhepat e qytetarëve, ajo e rritjes së çmimeve, Sejko u shpreh se ajo do të jetë e ndjeshme dhe mund të përbëjë një rrezik për rimëkëmbjen e ekonomisë, por në parashikimet fillestare ajo mbetet kalimtare. Sipas Bankës, çmimet pritet të stabilizohen fillimin e vitit të ardhshëm.
“Çmimet e lëndëve të para, të ushqimeve dhe produkteve energjetike kanë njohur një rritje të shpejtë muajve të fundit. Kjo rritje ka pasqyruar si rimëkëmbjen e kërkesës botërore, ashtu edhe vështirësitë që ka pasur niveli i ofertës në nivelet e parakrizës. Ky ndikim pritet të jetë kalimtar, por ai përbën një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe potencialisht për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike. Këshilli Mbikëqyrës është i gatshëm të rishikojë politikën monetare, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me objektivin tonë të inflacionit.” – u shpreh Sejko.
Lexo: Sejko: po përmirësohet ritmi i rritjes ekonomike
Guvernatori, foli edhe për nivelin e punësimit në vend, duke e konsideruar ende të dobët:
“Pavarësisht tendencave përmirësuese, niveli i punësimit vazhdon të jetë më i ulët dhe shkalla e papunësisë më e lartë se nivelet para pandemisë. Kthimi i ekonomisë në punësim të plotë duket se kërkon më shumë kohë dhe mbështetje të vazhduar me stimuj makroekonomikë.”
Guvernatori u shpreh se rritja ekonomike në Shqipëri sipas parashikimeve pritet të jetë në nivelin 7%, afërsisht i njëjti edhe me parashikimet e Bankës Botërore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto