Sigurimi Shoqëror Vullnetar, një mundësi më shumë për ata që kanë periudha të paplotësuara - Business Magazine Albania

Sigurimi Shoqëror Vullnetar, një mundësi më shumë për ata që kanë periudha të paplotësuara

Sigurimi Shoqëror Vullnetar

Ministrja e Financave, Anila Denaj njofton përmes profilit të saj zyrtar se Sigurimi Shoqëror Vullnetar është një mundësi më shumë për të gjithë ata, që kanë periudha të paplotësuara kontributive.

Përmes kësaj skeme mund të përfitoni pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.

Me sigurimin vullnetar mbulohen disa fusha:

  • Për vitin korrent;
  • Për periudha të kaluara;
  • Për më shumë të ardhura;

Gjithashtu Sigurimi Vullnetar është një mundësi për të gjithë shtetasit shqiptarë kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj.

Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që:

  • Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
  • Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm;
  • Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
  • Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
  • Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?

1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, (nenet 3,7,8,11 dhe 13) dhe në Rregulloren Nr.4,  datë 25.05.2009  është përfitues, sipas rastit, i:

  • Pensionit  të plotë të pleqërisë;
  • Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;
  • Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
  • Pensionit të invaliditetit;
  • Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.

2. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.

3. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar.

Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm.

Lexoni: Nënshkruhet marrëveshja e garancisë dhe huasë me BERZH, 100 milionë euro për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave

Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?

Me sigurim vullnetar mbulohen disa fusha të kësaj skeme:
I. Sigurim vullnetar për vitin korent.
II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

I. Sigurimi vullnetar për vitin korent.

Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:

  • Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension;
  • Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm;
  • Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi;
  • Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimeve shoqërore.

Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për vitin korrent?

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.

2. Kuota mujore e sigurimit vullnetar  për  vitin 2021 është 6,480 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 30,000 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:

– 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar);
– 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);
– 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 6,480 lekë, deri në kufi të pagës maksimale.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për vitin korrent:

– Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
– Pensione më të larta se pensioni social, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara.

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara

Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?

  1. Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
  2. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas univesitare është me pagesë.
  3. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.
  4. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar).

2. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 6,480 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Shembull:  Një person që është në prag të mbushjes së moshës ose e ka mbushur moshën që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet  periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare.

Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi  do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre-vjeçare. Masa kontributive që do të paguajë qytetari për këtë periudhë është 6,480 lekë për një muaj.

Në rastin  kur qytetari nuk e ka mbushur moshën , ai mund të blejë periudhë kontributive sa të dëshirojë.

Në rastet kur blihen periudha te kaluara nuk aplikohet zbritje.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara:

– Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension;

– Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.

III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?

1. Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
2. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 6,480 dhe 132.312 lekë (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).

Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?

a) Personat e vetëpunësuar – sigurohen me pagë minimale mujore 30,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 132.312 lekë.

b) Punëmarrësit – që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 132.312 lekë.

c) Çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale, ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page.

d) Çdo kontribues vullnetar për vitin korent ka të drejtë të sigurohet për më shumë të ardhura.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura:

– Pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar.

Si paguhet sigurimi vullnetar:

1. Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.
2. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme:

a) Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
b) Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
c) Fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit.

Pas informacionit të marrë nga inspektori i sigurimit vullnetar, bëhen llogaritjet e periudhave të punës, konstatohen periudhat boshe dhe dakortësohet për periudhat që qytetari është i interesuar që t’i mbulojë me sigurim vullnetar. Inspektori i sigurimit vullnetar i Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore plotëson dokumentin tip “Urdhër veprimi” dhe ja jep atë të interesuarit.

4. Me “Urdhër veprim”, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”.

5. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar (një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes).

6. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re, në qoftë se nuk ka.

Periudhat e siguruara pasqyrohen në Regjistrin e kontribuesve të sigurimit vullnetar, dhe qytetari ka mundësi t’i shohë dhe të pajiset me vërtetim për periudhat e siguruara nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0