Vjeshta e vitit 2021, padyshim do të jetë një ndër stinët më sfiduese për vendet dhe popullsinë e të gjithë globit, për një numër arsyesh. Pandemisë ende nuk po i duket fundi, duke i mbajtur nën presionin e paqartësisë dhe pasigurisë, ekonomitë dhe individët, tashmë të lodhur dhe të stresuar nga bashkëjetesa prej më se 18 muajsh me virusin COVID-19.
Vaksinimi i popullatës, po ashtu, shoqërohet me një sërë problemesh, si në vendet e zhvilluara apo të pasura, ashtu edhe në ato më pak të zhvilluara e të varfra. Të parat po përballen, përveç luftës tregtare ndërmjet vaksinave, edhe me teoritë konspirative mbi to, duke ndikuar si friksion mbi ritmin e vaksinimit. Të dytat vuajnë më tepër nga kapacitetet e dobëta të sigurimit të vaksinave, të nevojshme si në aspektin financiar dhe të furnizimit me to, si dhe kapacitetet e pamjaftueshme në mbështetjen e ekonomive.
Ndërkohë sëmundja e shekullit vijon axhendën e vet të patrazuar, duke shpërthyer nga një vatër në tjetrën, për shkak të mutacioneve që po pëson e duke u përhapur më tej në territore të reja, apo aty ku ishte. Vjeshta e këtij viti pritet të vijë nën kërcënimin e variantit Delta, i shfaqur fillimisht në Indi. Kjo i ka bërë autoritetet të shtojnë thirrjet për vaksinime, si mjeti që për momentin deklarohet si më i përshtatshmi për të administruar, me dëme të reduktuara, valën e Deltës.
Sfidat e variantit Delta të sëmundjes janë edhe më të mëdha për Shqipërinë. Në kushtet kur fondet publike për mbështetjen e ekonomisë për pandeminë u caktuan me kursim (vendi sipas FMN-së dha paketën më të ulët në Europë ndaj PBB-së, me vetëm 1%), motori i ekonomisë, veçanërisht turizmi, po mbahet në lëvizje nëpërmjet një qasjeje liberale në qarkullimin e njerëzve dhe hapjen tërësore të kufijve. Bashkë me qarkullimin e njerëzve, duket se edhe shifrat e infektimeve po rriten. Ndonëse zyrtarisht, ende nuk kemi pacientin 0 të variantit Delta, gjasat janë që shumë shpejt, edhe ky variant do të konfirmohet në vend, duke pasur parasysh që tashmë është konfirmuar edhe në vendet fqinje me Shqipërinë.
Lexoni: Konfirmohet prania e variantit Delta në Shqipëri
A do të jetë Delta e vjeshtës më e ashpër, e njëjtë apo më e zbutur në krahasim me valët dhe variantet e mëhershme (si p.sh., vala e dimrit 2020 dhe e shkurt-marsit 2021), këtë askush nuk mund ta thotë. Ky përbën variablin kryesor të pasigurisë dhe paqartësisë. A po përgatitet Shqipëria për të administruar në mënyrë më efikase Deltën e vjeshtës, tashmë që supozohet se është fituar dhe një lloj përvoje në administrim pandemie? As këtë nuk mund ta themi.
Nga ana tjetër, edhe ritmet e vaksinimit duket se nuk po e mbështetin lehtësimin e Deltës së vjeshtës. Pavarësisht pritjeve të pakove me vaksina dhe shfaqjeve në kronika televizive me skenografi ecjeje dhe pyetje-përgjigjesh mes krerëve të institucioneve shqiptare, përsëri Shqipëria deklaron mbi 1 milion të vaksinuar (me të gjitha llojet e vaksinave) duke u renditur ndër katër vendet më pak të vaksinuara në Europë, me 21.6% të popullsisë, nga 47% që është mesatarja e Europës.
Për sa kohë vihen në diskutim shifrat zyrtare të të infektuarve dhe të rasteve të fatalitetit nga COVID, pra zyrtarisht nuk njihet realiteti, dhe vaksinimi mbetet në nivele të ulëta, as që mund të flitet se ka një strategji administrimi të organizuar dhe efektive, që i vjen në ndihmë popullatës së prekur prej sëmundjes. Si për çdo fatkeqësi tjetër, popullsia shqiptare është lënë të vetadministrohet, duke rritur barrën financiare mbi familjet shqiptare dhe këtë herë, edhe rrezikun mbi shëndetin e tyre.
Por, gjasat janë që në vjeshtë do të përballemi me një Deltë binjake. Pasigurisë së sëmundjes do t’i shtohet dhe ajo që, me sa duket, ka marrë vëmendjen kryesore të partisë fituese të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, formimi i qeverisë së re. Pavarësisht stinës së pushimeve dhe të arrestimeve të bujshme në radhë zyrtarësh, gjithsesi të niveleve hierarkike jo të rëndësishme, është e qartë se nëntoka politike po zien nga influencat për krijimin e qeverisë së re ose, të shprehur ndryshe, nga strategjitë apo drejtimet për administrimin e parasë publike në 4 vitet e ardhshme.
Politika e vjeshtës mund të na shfaqet edhe ajo me një variant të ri Delta, që mund të prekë jo vetëm krahun fitues të zgjedhjeve, por dhe krahun që mbeti në opozitë. Si do të jetë modeli i administrimit politik (që shprehet më së shumti në funksionimin e Kuvendit dhe të marrëveshjeve ndërpartiake) në vjeshtë, tashmë që kemi një president të shkarkuar nga Kuvendi, një Gjykatë Kushtetuese, e cila ka filluar të forcojë paksa zërin dhe të japë vendime që kanë nxjerrë zbuluar paligjshmërinë e shumë veprimeve të qeverisë, një opozitë që po gëzon mandatin e tretë opozitar dhe një pozitë, e cila e ka forcuar edhe më tej kontrollin e institucioneve?
A do të kemi, në këtë rast, një variant Delta të politikës që do të përçojë më tej sëmundjen pozitare në mënyrë më agresive në të gjithë krahun politik? Apo përafrimi i hapjes së negociatave me BE-në do të shërbejë si proces vaksinimi për të zbutur dhe për të kontrolluar sëmundshmërinë e politikës shqiptare deri në eliminimin apo kontrollimin e virusit politik.
Kjo ka rëndësi, sepse ecuria e sëmundjes së politikës shqiptare mban peng miradministrimin e burimeve ekonomike e financiare të vendit, si dhe zhvillimin e saj. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në dekadën e fundit ka një rritje të pabarazisë mes rajoneve të vendit, sidomos veriut për shkak të emigracionit të lartë dhe mungesës së politikave të zhvillimit. Goditja nga pandemia pritet ta përforcojë dhe më shumë këtë tendencë, nëse nuk do të ketë vëmendje nga politikëbërësit.
Shqiptarët i pret një vjeshtë e pasigurt me variantet Delta të sëmundjes dhe të politikës. Nëse me të parën, popullata nga halli arriti të përballej dhe deri diku, të gjente vetë rrugët e administrimit, Delta e dytë është edhe më agresive dhe nuk mund të administrohet privatisht pa marrë vaksinën BE.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.