Disa influencues gjermanë e francezë të mediave sociale morën në muajin maj një ofertë të çuditshme; një agjenci e marrëdhënieve me publikun me bazë në Londër kërkoi që t’i paguajë ata për të promovuar e përhapur mesazhe në emër të një klienti të saj.
Mesazhi shoqërohej me një dokument me tre faqe, ku përshkruhej me hollësi se çfarë duhej të thuhej dhe në cilat platforma të rrjeteve sociale duhej të thuhej. Influencuesve nuk u kërkohej që të promovonin produkte estetike, apo paketa turistike, siç ndodh zakonisht, por deklarata që shënjestronin imazhin e vaksinës Pfizer. Çudia thellohet pasi u mësua se agjencia me emrin Fazze kishte dhënë një adresë për të cilën nuk ka asnjë provë se ajo ka ekzistuar ndonjëherë.
Disa prej personave që e morën këtë mesazh postuan faksimile të tij në rrjetet sociale të tyre, që detyroi kompaninë Fazze të mbyllte menjëherë llogaritë që kishte hapur në rrjetet sociale. Në të njëjtën javë, influencues brazilianë dhe indianë publikuan për miliona ndjekës të tyre mesazhe dhe video që bazoheshin të dokumenti i kompanisë Fazze e që sulmonin vaksinën Pfizer.
Skema duket të jetë pjesë e një industrie sekretet dhe analistët e sigurisë dhe zyrtarët e SHBA thonë se po punëson njerëz me ndikim në rrjetet sociale për të përhapur lajme të rreme. Kompani private po shesin shërbimet e tyre për të kryer detyra e operacione që dikur kryheshin nga agjencitë e inteligjencës.
Ato synojnë anarkinë, ndikimin në zgjedhje, narrativen e rreme për të shtyrë drejt konspiracioneve që përfundojnë më pas virale në rrjet, sidomos në mediat sociale. Këto kompani u ofrojnë klientëve të tyre, që zakonisht mund të jenë shtete, ose agjenci spiunazhi të shteteve të caktuara, mundësinë e artë, mohimin se qëndrojnë pas këtyre veprimtarive.
“Aktorët e punësuar për të përhapur lajme të rreme po rekrutohen nga qeveritë, institucione, apo aktorë të lidhura me qeveritë në përmasa serioze”, thotë Graham Brookie, drejtor i “Atlantic Council Digital Forensic Research Lab, duke shtuar së kjo industri po pëson një “bum”.
Fushata të ngjashme së fundmi nëpër rrjetet sociale kanë promovuar partinë në pushtet në Indi, objektivat e politikës së jashtme në Egjipt dhe figurat politike në Bolivi dhe Venezuelë. Organizata e Graham Brookei gjeti edhe disa operacione të tjerë, si në garën për kryebashkiak të Serras në Brazil dhe një kompani ekstremiste ukrainase, që promovoi disa parti politike
Në Republikën e Afrikës Qendrore, dy operacione të veçanta përmbytën mediat sociale në një duel dezinformimi pro-francez dhe pro-rus. Të dyja shtetet po përpiqen që të rrisin influencën e tyre në këtë vend.
Në Irak, një valë postimesh antiamerikane, në dukje origjinale u gjurmuan te një kompani marrëdhëniesh me publikun, që në të shkuarën është akuzuar se ka shpikur lajme për protesta antiqeveritare në Izrael.
Burimet e gjithë këtij dezinformomi global janë kompani, që shërbimet e ligjshme që ofrojnë janë të një niveli të ulët e mediokër, që kryesisht fokusohet te bombardimi në masë i publikut me mesazhe të njëjta në postën elektronike, të njohura si “spam”.
Përshkrimi i punës në profilet e punonjësve që lidhen me kompaninë Fazze e përshkruajnë atë si një nëndegë të kompanisë Adnow, me zyra qendrore në Moskë. Disa domaine të Fazze janë regjistruar në pronësi të Adnow, siç u raportuar nga mediat gjermane Netzpolitik dhe Ard Kontraste. Palë te treta e përshkruajnë Adnow si një kompani ofrimi shërbimesh në krizë. Zyrtarët europianë thonë se po hetojnë për të zbuluar se kush e kontraktoi Adnow, ndërsa mes materialeve kundër vaksinës Pfizer gjenden lidhje e propagandë që promovon vaksinën rusë Sputnik V.
Punësimi për dezinformim, megjithëse vetëm në pak raste ka rezultuar efektiv, po rritet në një formë të sofistikuar dhe po mëson me kalimin e kohës. Ekspertët thonë se ky fenomen po rritet në të gjitha pjesët e globit, duke tejkaluar edhe operacionet direkte të Qeverive.
Rezultati është një rritje e fortë e polarizimit për shkak të konspiracive, grupe shoqërore të rreme që nuk ekzistojnë, manipulim të perceptimeve shoqërore dhe deformim të realiteteve. Ky trend u rrit fort pas skandalit të Cambridge Analytica në vitin 2018, thonë ekspertët. Cambridge, një kompani konsultimi private e lidhur me anëtarët e stafit të fushatës së Donald Trump në 2016 mblodhi detaje dhe të dhëna nga miliona përdorues.
Skandali zbuloi se të dhënat e ndjeshme të përdoruesve, deri te bindjet e tyre politike u vunë në dispozicion të metodave të zakonshme të influencuesve dhe faqeve të rreme në rrjetet sociale për të bombarduar me lajme të rreme, ose gjysmë të vërteta.
Rasti mësoi një gjeneratë këshilltarësh dhe oportunistësh që të kuptojnë se marketingu në rrjetet sociale për kauzat politike kishte para të mëdha në mes dhe gjithçka e maskuar si aktivitet origjinal. Disa prej tyre, arritën në përfundimin që në 2016 kishte arritur edhe Rusia, që dezinformimi performon mjaft mirë, sidomos në platformat e mediave sociale.
“Fatkeqësisht ka një kërkesë të madhe në treg për dezinformim dhe shumë gatishmëri për ta plotësuar këtë kërkesë”, thotë Brookie.
Një studim i Universitetit të Oksfordit gjeti se kompani tregtare punësuan individë dhe organizata për dezinformim në të paktën 48 vende të botës vitin e kaluar, pothuajse më shumë dyfishi i një viti më parë.
Verën e kaluar, Facebook fshiu një rrjet grupesh boliviane dhe faqesh mediatike. Kompania tha se faqet dhe grupet përhapnin lajme të rreme në mbështetje të qeverisë së djathtë. Studiues të Universitetit të Stanford gjurmuan burimin e këtyre faqeve dhe grupeve te kompania CLS Strategies me bazë në Uashington, që ishte e regjistruar si konsulente me qeverinë boliviane. Në të shkuarën, kompania ka ofruar konsultime në Venezuelë dhe Meksikë.
Një zëdhënës i kompanisë tha se shefi i saj për rajonin ishte pezulluar nga puna, por mohoi akuzat e Facebook se shërbimet që kryente përmes platformës sociale karakterizohej si ndërhyrje në punët e brendshme të Bolivisë.
Teknologjia sot u mundëson të gjithëve që të përfshihen në këtë industri. Programe që gjenerojnë llogari të rreme, foto profilesh anonime, megjithatë aktorët e këtyre fushatave rrallë janë aq të sofistikuar sa hakerat, apo kompanitë e specializuara qeveritare, si ato të Kremlinit.
Avantazhi i tyre është se kushtojnë pak dhe u japin një alibi të fortë qeverive që i punësojnë. Disa kontraktorë, kur janë kapur kanë deklaruar se kanë vepruar “me kokën e tyre” pa miratimin e punëdhënësit, ose për të rritur biznesin. Platformat e rrjeteve sociale kanë përshkallëzuar luftën e tyre kundër dezinformimit. Analistët në këtë pjesë vlerësojnë sidomos Facebook, që publikon raporte të detajuara mbi grupet, apo faqet që bllokon.
Megjithatë, disa thonë se vetë kompanitë e mediave sociale luajnë një rol përkeqësues në kërcënimin e përhapjes së lajmeve të rreme. Algoritmat e përhapjes së një lajmi, fotoje, videoje, apo postimi, sipas studiuesve, shpesh favorizojnë përmbajtjet konspirative.
Po ashtu, këto platforma akuzohet edhe se po ushqejnë një gjeneratë udhëheqësish populistë. Rodrigo Duterte në Filipine u rrit në pushtet përmes manipulimit në rrjetet sociale dhe sapo mori pushtetin i institucionalizoi këto metoda si mjete për të qeverisur dhe ushtruar marrëdhëniet me jashtë.
Në Indi, dhjetra llogari në Twitter kanë shpërndarë postime nga llogaria India vs Disinformation, një faqe e hapur për të faktuar lajmet që përhapen në vend. India vs Disinformation vetë është produkt i kompanisë së komunikimit publik të regjistruar në Kanada, Press Monitor.
Thuajse të gjitha postet që ajo synon të diskreditojë, janë raportime kritike, apo jofavorizuese për Kryeministrin Narendra Modi dhe qeverinë e tij, përfshirë këtu edhe raportimet për vdekjet nga Covid. Një raport i “Digital Forensic Research Lab” e cilësoi këtë rrjet si një rast studimor i rëndësishëm për të kuptuar rritjen e fushatave dezinformuese në vendet demokratike. Press Monitor e cilësoi raportin si krejtësisht fals.
Përfaqësuesi i Press Monitor e cilësoi të rremë edhe raportin se kompania e tij ishte e regjistruar në Toronto të Kanadasë dhe e identifikonte veten si pjesë e industrisë hi-tech që po lulëzonte në këtë qytet. Një profil në Linkedin me emrin Abhay Aggarwal thotë se është shefi ekzekutiv i kompanisë Press Monitor me bazë në Toronto dhe se shërbimet e kësaj kompanie janë pajtuar nga qeveria indiane.
Që prej 2019, Graphika, një kompani kërkimore digjitale ka rënë në gjurmët e një rrjeti të koduar “Spamuflazhi”, gjatë punës për të studiuar evoluimin e atyre që njihen si “spame”, apo mesazhe identike që dërgohen në masë. Në këtë rrjet, mesazhet e përhapura ishin pro Kinës dhe mbështesnin qeverinë kineze për çështje gjeopolitike.
Muajt e fundit, ku rrjet është zmadhuar edhe me “individë” ku secili ka llogarinë dhe identitetin e vet. Të gjitha kanë historikun dhe postime, që mund të duken si autentike dhe që duket sikur janë nga vende të ndryshme dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Graphika gjurmoi këto profile në Bangladesh, që me gjasë i ka krijuar, ose i ka vjedhur këto profile dhe më pas i ka shitur për një palë të tretë. Në këtë rrjet ka kritika të forta kundër protestave dhe aktivistëve pro demokracisë në Hong Hong dhe ndaj politikës së jashtme amerikane. Përmes koordinimit, që në pamje të parë duket organik, ky rrjet ja ka dalë mbanë që të tërheqë vëmendjen dhe të ndryshojë pjesërisht opinionet publike.
Ky rrjet llogarish është amplifikuar nga një sërë mediash në Panama, politikanë në Pakistan dhe Kili, në faqet kineze në Youtube, nga analisti i majtë britanik, George Galloway dhe një numër i madh diplomatësh kinezë.
Gazeta investigative tajvaneze “The Reporter” zbuloi një rrjet pro qeverisë kineze që operonte në qindra faqe interneti dhe mijëra llogari në mediat sociale për të avancuar agjendën e Pekinit për bashkimin e ishullit me të. Investigimi gjeti lidhje mes faqeve dhe llogarive me një kompani të regjistruar në Malajzi, që u ofronte përdoruesve dollarë në këmbim të promovimit të përmbajtjes së tyre.
Graham Brookei thotë se kjo fushatë e qeverisë është thika me dy presa. Së pari, kompanitë private janë më të vështira për t’i kontrolluar dhe mund të dekonspirojnë taktikat e politikat e tyre dhe së dyti, këto kompani ngrihen mbi bazën e ofertuesit më të madh dhe mund të kthejnë energjitë dhe punën e tyre ndaj shteteve e qeverive që dikur i kanë punësuar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.